1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Klima Abkommen Kopenhagen

17 Nëntor 2009

Marrëveshja e re e OKB-së për klimën, e cila ka vite që planifikohet, nuk do të arrihet në takimin e Kopenhagës në dhjetor. Përpjekjet dështuan prej rezistencës së një numri të madh vendesh.

https://p.dw.com/p/KYuC
Aksion në Poloni kundër ngrohjes së klimës.
Aksion në Poloni kundër ngrohjes së klimës.Fotografi: Henrik Böhme

Kur në tryezën e bisedimeve ulen presidentë dhe kryeministra, vendet e të cilëve janë përgjegjës për emëtimin e mbi gjysmës së gazeve që shkaktojnë efektën serë, dhe ata në fund nuk janë në gjendje të bien dakord në lidhje me klimën, atëhere është e qartë, se shpëtimi i botës duhet shtyrë edhe një herë. Takimi i nivelit të lartë në Kopenhagë do të jetë pra një stacion i mëtejshëm kalimi për varganin gjigand të biseduesve, që kanë vite që përpiqen pa sukses për të arritur një marrëveshje të re për klimën në botë. Kjo nuk të çudit.

Shefi i OKB-së për klimën, Yvo de Boer.
Gjitha ato konferenca të zhvilluara dy vitet e fundit nuk ishin në gjendje, që të afronin me njëra-tjetrën pozicionet krejtësisht të ndryshme të palëve.Fotografi: AP

Me dëshira të mira, por duarbosh

Mbetet të shënojmë se vizioneri Barack Obama më në fund u kthye në botën e realitetit dhe bashkë me këtë edhe të gjithë ata luftëtarë për klimën që e shihnin atë si Mesinë shpëtimtare. Pra delegacioni i SHBA-së do të vijë në Kopenhagë me dëshira të mira, por duarbosh, sepse ligjet për klimën nuk mbështeten prej shumicës në Uashington. Prandaj në Kopenhagë nuk do të ndodhë asgjë. Në këtë rast edhe India dhe Kina kanë karta të mira kur ulen në tryezën e bisedimeve, sepse kërkojnë një herë mirëqënie dhe pastaj detyrime për mbrojtjen e klimës. Gjithësesi në të mirë të Pekinit duhet thënë se edhe pa nënshkruar ndonjë marrëveshje, Kina bën shumë më tepër se shumë vende të tjera për mbrojtjen e klimës, sepse e ka kuptuar se ambienti është shkatërruar së tepërmi.

Plani i Balit ka dështuar

Po ashtu mbetet të shënojmë, se plani i përpiluar para dy vjetësh në rrethana dramatike në konferencën për klimën në Bali, ka dështuar. Gjitha ato konferenca të zhvilluara dy vitet e fundit nuk ishin në gjendje, që të afronin me njëra-tjetrën pozicionet krejtësisht të ndryshme të palëve. Bisedimet për klimën janë gjithmonë edhe bisedime për një botë më të drejtë. Vendet e varfëra, që nuk janë fajtore për transformimin e klimës, kërkojnë me të drejtë prej vendeve të industrializuara, një shpërblim. Sepse mirëqënia e vendeve të pasura është blerë shtrenjtë – me një botë të shfrytëzuar tejë mase.

Filipine- Klima dhe katastrofat
Mirëqënia e vendeve të pasura është blerë shtrenjtë – me një botë të shfrytëzuar tejë mase.Fotografi: DW

Po ashtu mbetet të shënojmë, se edhe në rast se fjala është për shpëtimin e botës, në fund të fundit bëhet fjalë për shumë para dhe ky është shkaku i dështimit. Evropianët deklaruan se do të vënë në dispozicion 100 miliardë euro për t'u ndihmuar vendeve në zhvillim për teknologji ekologjike. Por kur erdhi fjala për ndarjen e kësaj barre financiare brenda BE-së, shumë vendeve nuk u pëlqeu. Për këtë edhe ky hap u shty. Kjo ishte për afrikanët shkak i mjaftueshëm për t'i bojkotuar disa faza të raundit të fundit të bisedimeve për klimën të zhvilluara në Barcelonë.

Qerrja ka ngecur në baltë

Po si do të vazhdohet më tej? Ta anulojmë takimin e Kopenhagës? Të kursejmë mijëra ton CO2, që do të shkatohen prej avionëve që do të çojnë në Kopenhagë rreth 10.000 vetë: ministra, delegacione, aktivistë për mbrojtjen e ambientit dhe gazetarë? me një hap të tillë do të mblidheshin me siguri shumë pikë. Por ndryshimet e klimës nuk mund të shtyhen më. Për këtë duhet të kapesh pas fijes së fundit të shpresës: që në takim kanë thënë se do të marrin pjesë mbi 40 kryetarë shtetesh dhe qeverish, mes tyre edhe kancelarja Angela Merkel. Këta nuk mund t'ia lejojnë vetes të dalin përpara kamerave për një letër të thatë dhe pa përmbajtje. Turpi do të qe thjeshtë shumë i madh. Prandaj duhet parë se ç'mund të bëhet.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton në konferecën e klimës në Uashington.
Ligjet për klimën nuk mbështeten prej shumicës në Uashington.Fotografi: AP

Ndoshta po të hedhim një vështrim nga Brazili mund të bëhemi pak optimistë. Qeveria e atjeshme ka deklaruar se do ta ulë në mënyrë drastike prerjen e pyjeve tropikale. Në këtë mënyrë deri në vitin 2020 emisionet e CO2 do të ulen me 40 përqind. Për këtë ajo nuk kërkon ndonjë shpërblim. Pra edhe kjo është e mundur!

Autor : Henrik Bëhme / Dr. Pandeli Pani

Redaktoi : Aida Cama