1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

270611 Kambodscha Khmer Prozess

27 Qershor 2011

Në kryeqytetin e Kamboxhas, Phnom Penh, fillon të hënën (27.6.) procesi i dytë i gjykatës për kmerët e kuq. Të paditur janë katër anëtarë të lartë të ish-udhëheqjes së kmerëve të kuq nga viti 1975 deri 1979.

https://p.dw.com/p/11kAm
Procesi i dytë në Kamboxha kundër kmerëve të kuq.
Procesi i dytë në Kamboxha kundër kmerëve të kuq.Fotografi: dapd

Para trupit gjykues të përbërë nga një numër i barabartë gjykatësish ndërkombëtarë dhe kamboxhianë, duhet të përgjigjen ish-zëvendësi i Pol Potit "vëllai numër 2" Nuon Chea, ish-presidenti i shtetit Khieu Samphan, ish-ministri i jashtëm Khmer Ieng Sary si dhe gruaja e tij Ieng Thirith.

Një nga të pandehurit, ish ministri i jashtëm i regjimit të kmerëve të kuq, Ieng Sary.
Një nga të pandehurit, ish ministri i jashtëm i regjimit të kmerëve të kuq, Ieng Sary.Fotografi: dapd

Katër të pandehurit me moshë nga 79 deri 85 vjeç, akuzohen për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Gjatë sundimit të kmerëve të kuq nga viti 1975 deri 1979, u vranë dy milionë kamboxhianë.

Ou Virak drejton qendrën kamboxhiane për të drejtat e njeriut:

"Krahas Pol Potit, këta të katërt janë përgjegjësit e vërtetë për të gjitha krimet e tmerrshme. Është shumë e rëndësishme, që ata të nxirren tani para drejtësisë. Pjesa më e madhe e kamboxhianëve janë të bindur se këta të katërt janë fajtorë."

Ky proces konsiderohet si mundësia e fundit për përpunimin nga aspekti ligjor i regjimit të tmerrit të kmerëve të kuq. 63-vjeçarja Kim Sry do ta ndjekë me çdo kusht procesin:

"Unë i kërkoj me forcë gjykatës të vendosë në vend drejtësinë për viktimat, që ata të mund të prehen në paqe dhe që ne ndoshta të mund të kuptojmë se cila ishte arsyeja e thellë për ato vrasje masive."

46-vjeçarja Him Serey ishte ende fëmijë kur kmerët e kuq sundonin në Kamboxhia:

"Drejtuesit e kmerëve të kuq i kanë duart me gjak. Unë nuk mund t'i fal. Ata duhet të marrin dënimin e merituar, dhe për mua ky është burgimi i përjetshëm."

Eshtrat të viktimave në Phnom Penh, foto e vitit 1981.
Më shumë se dy milionë vetë u vranë në genocidin e kmerëve të kuq nga viti 1975 deri 1979.Fotografi: AP

Në procesin e parë vitin e kaluar u dënua me 35 vjet burg drejtori i burgut të torturave S21. Gjykatësit argumentuan se ai ka qenë përgjegjës për vrasjen e 14.000 vetëve.

80-vjeçari Chum Mei është një nga të paktët që ka mbijetuar në burgun e torturave:

"Unë dua që katër të pandehurit të thonë të vërtetën para gjykatës, atë çfarë ka ndodhur atëherë vërtet, në mënyrë që gjithçka të bëhet e ditur dhe vuajtja e viktimave të lehtësohet pak. E vërteta nuk duhet të mbetet më e fshehur."

Për një proces të tretë të mundshëm në gjykatën për kmerët e kuq, pati një zënkë të fortë javët e kaluara. Prokurorët donin të padisnin dy ish-pjesëtarë të ushtrisë, dy gjykatës hetimorë ishin kundër dhe shumë punonjës të gjykatësve hetues në shenjë proteste pezulluan punën. Edhe qeveria kamboxhiane nën kryeministrin Hun Sen nuk është e interesuar në mbajtjen e proceseve të tjera.

Autor: Udo Schmidt / Elert Ajazaj

Redaktoi: E. Xhani