1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

030111 Finanzaufsicht EU

4 Janar 2011

Duke filluar nga muaji janar BE-ja ka edhe tri agjenci kontrolli dhe mbikqyrjeje të bankave, bursave dhe sigurimeve në vendet e BE-së. Këto janë pjesë themelore e reformave financiare të BE-së.

https://p.dw.com/p/zt8i
Pamje simbolikeFotografi: picture-alliance/dpa

EBA, ESMA dhe EIOPA, pas këtyre tri shkurtesave qëndrojnë tri agjenci të reja kontrolli me ndihmën e të cilave Evropa do t'i mbikqyrë më mirë tregjet financiare. Ato do të kontrollojnë, mbikqyrin dhe do t'u tregojnë në rast nevoje dhëmbët bankave, bursave apo sigurimeve të pakujdeshme. Agjencitë e reja ndryshojnë prej institucioneve të tyre parardhëse, të cilat ishin më tepër grupe pune të agjencive kombëtare të kontrollit.

Shtetet anëtare të BE dhe Parlamenti Evropian ranë dakord për krijimin e tyre në vjeshtën e vitit të kaluar. Bisedimet për krijimin e këtyre agjencive ishin tepër të vështira dhe marrëveshja për krijimin e tyre ishte një surprizë, sepse këto agjenci kanë më tepër forcë se sa dëshirojnë shumë prej qeverive.

Michel Barnier
Michel BarnierFotografi: AP

Mbikqyrja e financave forcohet pas dështimit dhe krizës

Sipas komisionerit të BE-së Michel Barnier "kriza ishte në një pjesë të madhe dështim i autoriteteve mbikqyrëse." I këtij mendimi është edhe eurodeputeti i të Gjelbërve, Sven Giegold, i cili thotë se në rast se këto agjenci do të ekzistonin më parë problemet gjigande të Irlandës me bankat do të mund të shmangeshin: "Eshtë e qartë që në Irlandë nuk ka pasur mbikqyrje financiare të saktë. Njerëzit mbyllin sytë dhe bankat u kanë hyrë rreziqeve eksesive. Një agjenci evropiane kontrolli, e pajisur me mundësitë juridike si kjo e sotmja, mund ta pengonte një gjë të tillë."

Attac Mitbegruender Sven Giegold
Sven GiegoldFotografi: AP

Para EBA-s ESMA-s dhe EIOPA-a ndodhet një test i rëndësishëm

Kontrolli i përditshëm rutinë do të vazhdojë të bëhet prej autoriteve kombëtare, por në raste icidentesh dhe mosmarrëveshjesh do të ndërhyjnë punonjësit e agjencive EBA, ESMA dhe EIOPA.

Data e saktë se kur do të fillojnë rregullisht nga puna të tri agjencitë nuk dihet ende, por deri sa të bëhen të gjitha emërimet do të zgjasë edhe disa muaj. Gjithësesi në muajin shkurt agjencitë do të kalojnë provën e parë të zjarrit, sepse në shkurt 2011 do të zhvillohet raundi i dytë i testit të krizës për bankat e BE-së. Raundi i parë i këtij testi, zhvilluar para rreth gjashtë muajsh, u kritikua ashpër prej investitorëve dhe analistëve. EBA duhet të dëshmojë tani se një autoritet i njësuar kontrolli i BE-së mund ta bëjë vërtet më mirë një gjë të tillë.

Autor: Martin Bohne/Pandeli Pani

Redaktoi: Lindita Arapi