1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Ecje pa fund në rrugë të gabuar në Rumani

22 Gusht 2012

Gjykatësit kushtetues rumunë vendosën: Referendumi me nismën e Bashkimit Socialliberal për shkarkimin e presidentit Traian Basescu ka dështuar. Presidenti i shkarkuar rumun Basescu lejohet të kthehet në post.

https://p.dw.com/p/15uHl
Fituesi i referendumut, Traian Basescu
Fituesi i referendumut, Traian BasescuFotografi: Reuters

Humbësit që respektojnë rregullat e garës sillen ndryshe. Edhe në politikë. Dyshja social-liberale e pushtetit në Rumani Ponta-Antonescu nuk mund dhe nuk do ta pranojë humbjen. Edhe më shumë: Të dy e deklaruan të paligjshëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese, antidemokratik dhe antikombëtar. Sipas interpretimit të Aleancës për arsye pragmatike detyra kryesore e qeverisë qëndron në mbrojtjen nga "regjimi Basescu" dhe nga Gjykata Kushtetuese të atyre rumunëve, të cilët kanë votuar pro shkarkimit nga posti.

Një thirrje për luftë të ftohtë civile në një shtet të BE-së? Me sa duket si presidenti kalimtar Crin Antonescu ashtu edhe kryeministri socialist Victor Ponta nuk janë të ndërgjegjshëm për efektin e deklaratave të tilla. Ose ata ndjekin vërtet synimin e ndarjes së popullit rumun (dhe të një distancimi të vendit nga partnerët ndërkombëtarë).

Si Bashkimi Evropian ashtu edhe SHBA-ja qenë shprehur në mënyrë kritike në lidhje me zhvillimet e fundit në Rumani duke risjellë në kujtesë vazhdimisht respektimin e shtetit ligjor (duke zemëruar mjaft dy aktorët kryesorë, të cilët pandehnin se e kishin fituar betejën e tyre politike personale kundër presidentit Basescu).

Parlamenti rumun i pafuqishëm përballë Gjykatës Kushtetuese
Parlamenti rumun i pafuqishëm përballë Gjykatës KushtetueseFotografi: AP

Kthim shpine Perëndimit?

Tani, pasi Ponta dhe Antonescu u desh ta pranonin vendimin e gjykatës kushtetuese, lufta për pushtet hyn në një raund të ri. Dhe loja bëhet më e ashpër, pa përfillur kalimin ose jo të vijës së kuqe të njohur. Berlini, Brukseli dhe Uashingtoni akuzohen se janë informuar vetëm në mënyrë të njëanshme, Basescu, thonë më tej ata, ka paguar me qëllim (edhe gazetarë të huaj), për të prodhuar kësisoj një klimë "anti-rumune" tek shtetet partnere. Esenca e kritikës socialliberale nga Bukureshti: "Perëndimi" përzihet intensivisht në punës e brendshme të vendit.

Partnerët flasin ndryshe. Akuza të tilla të koklavitura prodhojnë papritur një gjuhë të njohur mirë nga diktatura komuniste. Ponta dhe Antonescu po ndërtojnë një Perde të Hekurt të re midis Rumanisë dhe "Perëndimit". Këtu ata harrojnë se jo vetëm falë anëtarësisë në NATO dhe në BE, po edhe për shkak të zbatimit të reformave demokratike (megjithëse me mundim) Rumania bën pjesë pikërisht në këtë Perëndim.

Dhe të dy harrojnë gjithashtu që shumica e rumunëve dëshiron edhe më tej t'i takojë bashkësisë së vlerave evropiane. Në emër të këtyre njerëzve dhe në interes të vendit duhet të jetë i mundshëm një "bashkëjetesë" midis kryeministrit Ponta dhe presidentit të rikthyer Basescu. Në plan afatgjatë raporte politike jostabile dobësojnë jo vetëm besimin te një shtet partner, po edhe gjendjen ekonomike edhe tani të pasigurt. Odiseja pa fund do të ishte fundi i demokracisë në Rumani. Këtë nuk mund ta dojë asnjë politikan i përgjegjshëm (as në Bukuresht).

Autor: Robert Schwartz

Redaktoi: Elert Ajazaj