1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ed Miliband - kryetari i ri i laburistëve britanikë

27 Shtator 2010

Ed Miliband është kryetari i ri i Partisë Laburiste britanike. Siç bëri të ditur Partia Laburiste, 40 vjeçari mundi me një shumicë të vogël votash në votim vëllanë e tij më të madh, David Miliband.

https://p.dw.com/p/PNAR
Ed Miliband, kryetari i posazgjedhur i Partisë Laburiste Britanike
Ed Miliband, kryetari i posazgjedhur i Partisë Laburiste BritanikeFotografi: AP

Fitorja e ngushtë e 40 vjeçarit Ed Miliband, ish-ministrit të Energjisë ndaj të vëllait, ish-ministrit të Jashtëm britanik, David Miliband erdhi e papritur. Për një kohë të gjatë Ed Milibandi ishte konsideruar me pak shanse. Deri të premten në mbrëmje, zgjedhja e David Milibandit konsiderohej madje e sigurtë. Por Milibandi i ri përfitoi nga sistemi i komplikuar i votimeve.

"Ed Miliband mori... një numër total votash prej 50,65%. Prandaj unë e deklaroj Ed Milibandin fitues dhe lider të partisë laburiste."

I vëllai, Davidi pati kryesuar në votimet për preferencën e parë, por mori më pak vota në zgjedhjet për preferencën e dytë dhe të tretë. Në tri javët e shkuara, tri milionë anëtarë të partisë dhe të sindikatave si dhe deputetë zgjodhën me votim me postë udhëheqjen e re laburiste. Krahas dy vëllezërve Miliband, për postin e kryetarit të partisë patën kandiduar edhe ish-ministri i Arsimit, Ed Balls dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Andy Burnham si dhe deputetja Diane Abbot. Të tre konsiderohen pjesë e krahut të majtë të partisë, ashtu si Ed Milibandi.

Ish-ministri i Energjisë e pati vënë pikërëndesën e fushatës së tij në kërkesa të liberalëve të majtë siç janë të drejtat e qytetarëve dhe lufta kundër ndryshimit të klimës. Përkundrazi, David Milibandi u përpoq që pa u fiksuar në përmbajtje konkrete të fitonte një shtresë sa më të gjerë zgjedhësish.

Brez i ri udhëheqësish

Personaliteti i kryetarit të ri të partisë do të përcaktojë në mënyrë të konsiderueshme drejtimin e partisë Laburiste vitet e ardhshme. Disa vëzhgues kërkojnë të kundërshtohet kursi i rreptë i kursimeve të qeverisë me një politikë drejtuar nga nevojat e punëtorëve. Por disa politikanë laburistë kërkojnë të mbetet e hapur dera për një koalicion të mundshëm me liberaldemokratët.

Ed Miliband luftoi për krahun e majtë të laburistëve, ndërsa i vëllai David Miliband nuk kishte mesazh të përcaktuar
Ed Miliband luftoi për krahun e majtë të laburistëve, ndërsa i vëllai David Miliband nuk kishte mesazh të përcaktuarFotografi: AP

"Unë do të jem në opozitë me këtë koalicion (qeveritar) kur ata të bëjnë gjëra të gabuara, por do t'i mbështes ata, kur të bëjnë gjërat e duhura. Kjo është politikë e përgjegjshme dhe politika që duan njerëzit në këtë vend. Zgjedhjet e sotme e kthejnë faqen, sepse një brez i ri ka avancuar për t'i shërbyer partisë sonë dhe shpresoj në kohën e duhur për t'i shërbyer vendit tonë. Sot fillon puna e brezit të ri".

Kështu u shpreh Ed Miliband-i, kryetari i ri i laburistëve pas zgjedhjeve. Ai vjen në krye të partisë pas dështimit në zgjedhjet parlamentare të Gordon Browni-it, kryeministër britanik. Pas kësaj Brown-i pati dhënë dorëheqjen nga kreu i partisë.

Sfidën e parë Milibandi e nisi që të dielën (26.09.), kur laburistët nisën në Manchester një takim pesëditor për të diskutuar për rolin e partisë në peizazhin e ri partiak britanik.

Autor: Auron Dodi/phoenix/Al Jazeera/Lüning

Redaktoi: Elert Ajazaj