1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Efektet, që pati rënia e murit të Berlinit në procesin e ndryshimeve në Shqipëri

5 Tetor 2009

Bisedë me drejtorin e Institutit të studimeve ndërkombëtare, Albert Rakipi, dhe deputetin, Tritan Shehu.

https://p.dw.com/p/JyHP
Shkatërrohet muri i Berlinit, 12 nëntor 1989Fotografi: AP

"Tetori Gjerman", që po zhvillohet në Shqipëri, ka në fokus të tij përkujtimin e 20 vjetorit të rënies së murit të Berlinit. Rrëzimi i perdes së hekurt ka një lidhje të pamohueshme dhe për Shqipërinë e shqiptarët, që atë kohë ishin të izoluar nën diktaturën më të egër në ish vendet e Lindjes komuniste.

Drejtori i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare Albert Rakipi duke iu kthyer zhvillimeve të dy dekadave më parë kujton se atë periudhë ishte mësues në rrethin e Pukës, në verilindje të Shqipërisë. Në kohën, kur kishte ndjekur nëpërmjet televizioneve të huaja për rrëzimin e murit të Berlinit, ardhjet në Tiranë ishin shpeshtuar. Kryeqytetin ai e kujton mjaft të zymtë, ku gjërat thueshin më shumë nën zë. Efekti i drejtëpërdrejtë sipas tij me rrëzimin e murit të Berlinit ishte shumëplanësh.

"E para në aspektin e mobilizimit dhe të heqjes së frikës tek qytetarët. Eshtë inkurajimi më pas dhe për inkurajimin e punëtorëve në Tiranë, Kavajë, Shkodër etj. Një aspekt tjetër ishte dhe aspekti ekonomik. Shqipëria po shkonte drejt një katastrofe ekonomike dhe përpjekja e regjimit komunist për ta përshtatur u kuptua që ishte e kotë. Dhe vendi kështu duhet të ballafaqohej me një zgjidhje tjetër, pak a shumë siç kishte ndodhur dhe me vendet në atë, që njihej si ish Lindja Komuniste".

Një aspekt tjetër sipas Albert Rakipit nga rënia e murit të Berlinit ishte dhe një frikësim i sistemit diktatorial në vend, që në një farë shkalle dhe e zbuti qëndrimin e vet. Gjithëkush e kishte të qartë se nuk mund të ndodhte që në atë trend europian të qëllonte të mbaje të izoluar një vend të vetëm.

"Në fakt fundi i vitit 1989 dhe viti 1990 shoqërohen me ngjarje në një farë mënyre dramatike. Ngjarje, të cilat përcaktuan dhe fatin e Shqipërisë, e cila s'mund të ishte gjë tjetër veçse t'i bashkohej këtij trendi europian për të shmangur regjimet totalitare, ose gjysëm totalitare siç ishin në vende të tjera.

Deputeti Tritan Shehu 20 vjet më parë ishte pedagog në fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës. Ai kujton se momenti historik i rënies së murit të Berlinit është diskutuar mes kolegëve të tij në spital dhe në Universitet. Por ai saktëson se para rëniës së murit të Berlinit një sinjal i mëhershëm për ardhjen e ndryshimeve ishte një një fjalim i Papa Gjon Palit të dytë në Otranto të Italisë më 1984. Për herë të parë kreu i Vatikanit foli publikisht për diktaturën e egër komuniste në Shqipëri. duke e dënuar atë. Pas kësaj pati një sërë ngjarjesh, që evidentonin kthesën e madhe. Një nga kulmet ishte dhe rënia e Murit të Berlinit në 9 nëntor 1989. Një ngajrje me një jehonë të jashtëzakonshme në të gjithë vendet e ish bllokut komunist.

"Ajo ditë ishte shpresa për të gjithë, apo dita e realizimit të shpresës nga të gjithë. Ishte dita, që tregoi se pengesat ranë dhe tashmë çdo ndryshim, qoftë dhe në Shqipëri ishte thjesht çështje kohe. Ngjarjet më pas precipituan. Për ne ishte me të vërtetë një mesazh i madh. Qartësisht u kuptua se po arrihej në fund të tunelit. Ky tunel u duk më i shkurtër atë natë, kur ne pamë çiftin Caushesku të vrarë në Rumani. Kjo ngjarje frenoi dhe çdo tentativë të nomeklaturës komuniste në Shqipëri për të ndërmarrë revanshe".

Impakti i 9 nëntorit të vitit 1989, por dhe i proceseve zinxhir, që ndodhën në disa vende të ish lindjes komuniste, gjallëruan shumë sipas Tritan Shehut dhe reagimin e publikut në Shqipëri. Diku spontanisht diku dhe të organizuar, kujton ai, u kalua në veprime konkrete të revoltës dhe të shprehurit për ndryshime dhe në Shqipëri.

"Kështu ndodhi me atë, që njihet si demonstrata e heshtur e dimrit të atij viti, që realisht askush nuk e mori vesh se kush e organizoi, por të gjithë dolën në shesh atë natë. Pastaj vazhdoi me ambasadat, vazhdoi me një peticion, që ne pedagogët e fakultetit të Mjekësisë kemi firmosur në shtator të vitit 1990 dhe më pas me shpërthimin e madh të lëvizjes demokratike dhe krijimin e partisë demokratike".

Tritan Shehu thotë se i gjithë kontinenti, por në mënyrë të veçantë vendet, që ishin në ish bllokun komunist, patën një frymëmarrje, patën një shtysë nga shëmbja e perdes së hekurt. Ishte këmbana e erës demokratike, që hiqte njëherë e pergjithmonë ndarjet dhe armiqësitë e dy sistemeve të kundërta. Ishte nisja e një rruge pa kthim për shoqëritë pluraliste në ndërtimin e ekonomisë së tregut, për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica