1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Egjipti në udhëkryq pas zgjedhjeve

18 Qershor 2012

Ushtria kufizon pushtetin e presidentit pas zgjedhjeve në Egjipt, ndërkohë që Vëllazëria Myslimane feston fitoren e kandidatit të saj, Mursi pa dalë rezultatet. Frontet ashpërsohen.

https://p.dw.com/p/15HAW

Pas zgjedhjeve presidenciale në Egjipt, hyn në një raund të ri lufta për pushtet mes ushtrisë dhe islamistëve. Vëllazëria Myslimane feston kandidatin e saj, Mohamed Mursi si fituesin e zgjedhjeve, megjithëse rezultatet nuk kanë dalë ende. Mijëra përkrahës të Mursiut dolën të Hënën në sheshin Tahrir, në qendër të Kajros për të festuar idolin e tyre.

Sipas llogaritjeve jozyrtare, Mursi ka një avantazh të vogël ndaj ish-kryeministrit Ahmed Shafik. Ai ka marrrë rreth 52 për qind të votave në garën me kandidatin e regjimit të vjetër të ish-presidentit Hosni Mubarak, Ahmed Schafik, i cili ka fituar rreth 48 për qind të votave. Ndërkohë përkrahësit e Schafik-ut i hedhin poshtë këto të dhëna. Zyrtarisht rezultatet pritet të publikohen ditën e Enjte (21.06). Numërimi i votave është bërë në 98 për qind të qendrave të votimit.

Mohammed Mursi, kandidati i Vëllazërisë Myslimane
Mohammed Mursi, kandidati i Vëllazërisë MyslimaneFotografi: picture-alliance/dpa

Europa vlerëson zgjedhjet si "hap të rëndësishëm"

Këshilli Ushtarak qeverisës, i cili mori në dorë fatet e Egjiptit pas largimit të Mubarakut, kundërpërgjigjet me një ndryshim kushtetues. Përmes një deklarate kushtutuese ai kufizon dukshëm pushtetin e presidentit. Në të njëjtën kohë ajo i kaloi kompetencat e parlamentit të shpërndarë në duart e udhëheqjes ushtarake. Të Enjten e kaluar, Gjykata Kushtetuese papritur shpërndau parlamentin e parë të zgjedhur para katër muajsh që nga koha e rrrëzimit të ish-pushtetmbajtësit Hozni Mubarak.

Ndërkohë, Maja Kocijancic, zëdhënësja e së ngarkuarës së BE-së, për politikën e Jashtme, Catherine Ashton i vlerësoi të Hënën zgjedhjet në Egjipt, si "një hap të rëndësishëm në rrugën e tranzicionit demokratik të Egjiptit". Për herë të parë egjiptianët dolën në zgjedhje të vërteta për presidentin e tyre. Bashkimi Europian mbështet luftën paqësore të egjiptianëve për të drejtat e tyre dhe përpjekjet për demokraci. "Një gjë është e qartë: Tranzicioni demokratik nuk duhet të vihet në pikëpyetje".

Autor: dpa/Arapi

Redaktoi: Pandeli Pani