1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ägypten Lehren

31 Janar 2011

Pas Tunizisë edhe qytetarët e shumë pjesëve të Egjiptit janë ngritur kundër pushtetit të tyre autoritar. Forcat demokratike të të gjitha vendeve të këtij rajoni meritojnë mbështetje dhe solidaritet.

https://p.dw.com/p/107qI
Rainer SollichFotografi: DW

Popullatës egjiptiane i janë dashur tri dekada të plota për t'u ngritur kundër pushtetmbajtësit të fuqishëm Hosni Mubarak. Tri dekada të cilat përshkruhen nga kufizimi i të drejtave, shtypja e fuqishme, korrupsioni, shkelja e të drejtave të njeriut dhe ngritja e mllefit për shkak të pabarazisë sociale. Tani egjiptianët prej ditësh kanë dalë në rrugë. Pamjet nga Kajroja apo Aleksandria u ngjajnë atyre që kemi parë këto ditë edhe në Tunizi: njerëzit kërkojnë dorëheqjen e pushtetmbajtësit të tyre të padëshiruar. Ata nuk kënaqen më vetëm me premtime dhe nuk kanë frikë. Ata nuk hezitojnë të dalin në rrugë për shkak të dhunës, janë të guximshëm. Rrezikojnë madje edhe jetën e tyre.

Po çfarë rrezikojmë ne? Shumë më pak. Tri dekada të plota kemi shikuar mënjëanë ose në rastin më të mirë kemi protestuar me gjysmë zëri, kur në vendet tona partnere janë shkelur vlerat elementare që respektohen në Perëndim. Debatet e tanishme në Evropë sillen rreth mundësisë së efektit domino dhe pasojave të mundshme. Pas rënies së pushtetmbajtësit në Tunizi dhe rënies eventuale të Mubarakut, a thua i tërë rajoni do të lëkundet? A kërcënojnë kaosi dhe instabiliteti në fqinjësi të Evropës dhe a ekziston mundësia që pushtetin të marrin forcat radikale islamike? A po shtohen skenaret e cënimit të mundshëm të Izraelit?

Askush nuk mund t'i përjashtojë këto mundësi. Dinamika e valës së protestave e cila po kaplon gjithnjë e më shumë vende arabe, është shumë vështirë e llogaritishme, ndërsa epilogu i paparashikueshëm. Epilogu mund të jetë edhe plotësisht i ndryshëm varësisht prej vendit ku zhvillohen protestat.

Por zhvillime drejt forcimit të lirisë, barazisë dhe demokracisë mund të ketë gjithandej. Ato mbështeten në Egjipt sikur edhe në Tunizi dhe vendet tjera. Thirrja për liri dëgjohet nga të gjitha shtresat e popullatës, prej shtresës së mesme qytetare, gjeneratës së të rinjëve të rrjeteve sociale si facebook e deri tek myslimanët konservatorë apo qarqet e krishtera. Janë këto forca të cilat meritojnë mbështetjen e Evropës dhe SHBA. Tepër gjatë kemi krijuar përshtypjen se shkelja e të drejtave të njeriut dhe padrejtësia në vendet arabe na interesojnë vetëm në qoftë se vijnë prej regjimeve antiperëndimore, në qoftë se prekin aktivistët prominentë demokratikë apo pakicat e krishtera.

Është një sinjal pozitiv fakti që politikanë perëndimorë po rimendojnë qëndrimet e tyre. Për fat të keq është vonë, por shpresojmë se jo edhe tepër vonë. Çdo lloj shoqërimi me pushtetmbajtësit autoritarë dëmton autoritetin tonë në rajon si dhe vetëndërgjegjësimin e gjeneratave të tëra. Politikanët duhet të respektojnë rregullat diplomatike. Por qytetarët jo, prandaj unë e shpall veten solidar me forcat demokratike në Egjipt dhe në rajon. Në qoftë se nuk duam t'i tradhëtojmë vlerat tona, atëherë ata e meritojnë mbështetjen tonë të pakufizueshme.

Autor: Rainer Sollich
Redaktor: Bahri Cani