1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndryshime përmes bashkëpunimit ndërkombëtar

Kouparanis, Panagiotis30 Tetor 2013

"Qendra për Demokraci dhe Pajtim në Europën Juglindore" u nderua me Çmimin e sivjetëm të Drejtave të Njeriut të Fondacionit Friedrich Ebert.

https://p.dw.com/p/1A8BB
Fotografi: DW/P. Kouparanis

"Librat e historisë janë një lloj stërvitjeje paraushtarake." Ka shumë rajone në botë të cilëve u përgjigjet vërtet kjo thënie e historianes nga Beogradi Dubravka Stojanovic. Këtu bën pjesë edhe Ballkani. Librat e historisë në Ballkan shërbejnë jo vetëm për të shpjeguar të kaluarën, por edhe për të legjitimuar politikën dhe objektivat nacionaliste. Prandaj në disa vende institucionet akademike detyrohen nga shteti me ligj që të shkruajnë historinë kombëtare. Shumë më e zakonshme në anën tjetër është dukuria që historianët dënohen publikisht nga partitë politike, përfaqësuesit e kishave apo media, kur ata vënë në pyetje mitet kombëtare, për shembull, kur dikush njerëzit e popullit të vet nuk i sheh vetëm si viktima, por edhe si autorë krimesh.

Ndryshim përmes bashkëpunimit ndërkombëtar

Por si mund të kapërcehet perspektiva nacionaliste e historisë? "Duke u ndërkombëtarizuar," thotë profesor Ulf Brunnbauer, drejtor Institutit për Evropën Juglindore në Universitetin e Regensburgut. Nëse dikush shkruan një histori vetëm për dy milionë vetë, që zorërojnë një gjuhë dhe "gjithmonë janë të interesuar për dy, tri ngjarje nga historia kombëtare, atëherë ndoshta nga kjo nuk do të dalë gjë. Por nëse dikush është i përfshirë dhe bashkëpunon ndërkombëtarisht, atëherë risia krijohet pothuajse vetë."

Professor Ulf Brunnbauer
Prof. Ulf BrunnbauerFotografi: DW/P. Kouparanis

Kjo qasje është parimi i punës së organizatës joqeveritare "Qendra për Demokraci dhe Pajtim në Europën Juglindore" ( CDRSEE ). Ajo financohet nga 27 qeveri, institucione dhe kompani, duke përfshirë Komisionin Evropian, qeverinë gjermane dhe suedeze dhe kompaninë Coca-Cola. CDRSEE u themelua 15 vjet më parë nga sipërmarrës grekë në Selanik. "Shkak qenë luftërat jugosllave" thotë historiani Kostas Karras. Lufta tregoi se sa fuqi shkatërruese ka ende në historiografinë e vendeve të ndryshme dhe popujve. E vërteta sipas përfytyrimeve historike kombëtare është përdorur për të legjitimuar konfliktet ushtarake. Dhe qëllimi qendror i kësaj organizate të re ishte për të promovuar një qasje të re kritike ndaj historisë.

Gruppenbild (in der Mitte Preisträger Nenad Šebek)
Qendra për Demokraci dhe Pajtim në Europën JuglindoreFotografi: DW/P. Kouparanis

Njohja e pikëpamjeve të tjetrit

Projekt i rëndësishëm i këtij institucioni është një përmbledhje me katër vëllime materialesh mësimore. Më shumë se 60 historianë nga të gjitha vendet e Evropës Juglindore kanë punuar disa vite për tema të tilla si Perandoria Osmane, kombet dhe shtetet e Evropës Juglindore, Luftërat Ballkanike dhe Lufta e Dytë Botërore. Midis tyre ka karikatura, seksione nga artikujt e gazetave dhe fjalimet politike. Studentët pastaj mund të shikojnë me ndihmën e këtij materiali, si është justifikuar në vendet fqinje, shpërthimi i Luftës së Dytë Ballkanike, ose si është vlerësuar sjellja e të tjerëve, sqaron Nenad Šebek, drejtor i CDRSEE.

Nenad Šebek
Nenad ŠebekFotografi: DW/P. Kouparanis

Një perspektivë për njerëzit

Këmbëngulja ka treguar rezultat. Përveçse në rumanisht dhe sllovenisht, vepra është përkthyer në të gjitha gjuhët e Evropës Juglindore. Në Shqipëri, Kroaci, Serbi, dhe në dy pjesët e Qipros ky libër mund të përdoret zyrtarisht në të gjitha shkollat, kurse në Greqi vetëm në shkollat private.

Megjithatë nuk është kjo arsyeja e vetme pse ky projekt u nderua në Berlin të hënën me Çmimin e sivjetëm të Drejtave të Njeriut të Fondacionit Friedrich Ebert. Seminaret e përbashkëta me mësues dhe gazetarë kosovarë dhe serbë janë pjesë e punës së kësaj organizate, si dhe kampet verore me të rinjtë nga shumë vende dhe një projekt në Serbi.