1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

230409 Frühjahrsgutachten Stand

24 Prill 2009

Institutet kryesore të studimeve ekonomike nga Gjermania, Austria dhe Zvicra parashikojnë për Gjermaninë një rënie ekonomike të përmasave të papara deri tani.

https://p.dw.com/p/Hd56
Shefat e Instituteve ekonomike në Gjermani
Ekonomia gjermane këtë vit do të bjerë me gjashtë përqind, rënia më e madhe që prej krijimit të RFGJ. Kjo del nga raporti i pranverës, që paraqitën institutet të enjten në Berlin.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Edhe ekspertët mund të gabohen. Institutet kryesore të studimeve ekonomike, patën parashikuar vjeshtën e kaluar një rritje prej 0,2 përqind për 2009-ën. Në prognozën aktuale të pranverës kjo shifër ishte e ndryshme, siç shpjegon Kai Carstensen, i Institutit ifo në Mynih. "Ekonomia gjermane në pranverën e 2009 ndodhet në recesionin më të thellë, që prej themelimit të RFGJ-së. Produkti i brendshëm bruto në vitin 2009 do të bjerë me 6 përqind. Për 2010 institutet nuk presin ndonjë çlodhje të madhe të ekonomisë. Produkti i brendshëm bruto mund të pakësohet 0,5 Prozent."

Prognozat për vitin 2009
Institutet kryesore të studimeve ekonomike, patën parashikuar vjeshtën e kaluar një rritje prej 0,2 përqind për 2009-ën. Në prognozën aktuale të pranverës kjo shifër ishte e ndryshme´.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Por Carstensen thotë edhe se: "Minusi prej përqind në produktin e brendshëm bruto përcaktohet nga rënia e prodhimit në gjashtëmujorin e fundit. Pesë e gjysëm nga gjashtë pikët e përqindjes shpjegohen në këtë mënyrë. Tërmetin e madh në prodhim e kemi lënë pas. Tani vijnë lëkundjet e lehta, dëmet pasuese dhe puna e pastrimit, sidomos në tregun e punës. Këto do të zgjasin shumë dhe do të jenë të dhimbshme."

Shumica e sipërmarrjeve e kanë arritur nivelin zero. Përderisa nuk ka rritje, nuk kanë nevojë për më shumë punëtorë. Një milion vende pune do të shkurtohen në muajt e ardhshëm, sipas llogarive të studjuesve të ekonomisë. Deri në fund të vitit 2010 numri i të papunëve mund të ngrihet në gati pesë milionë. Një skenar i errët, që shkon paralel me rritjen e borxhit të buxheteve publike


Studjuesit janë kundër programeve të tjera miliardëshe të shtetit. Aktualisht, thotë Joachim Scheide i IfW Kiel, duhet të lemë të veprojnë paketat koniunkturore I dhe II. "Sikur gjithçka të ishte kaq e thjeshtë dhe të mos kishte shpenzime për programe ekspansive, atëherë ne të gjithë do të thonim po, duhet patjetër të bëjmë një politikë ekspansive. Por, kjo duhet financuar në periudhë afatmesme dhe frika është psh se rriten shumë taksat. Të gjitha këto duhen menduar, kur bën sot propozime të reja."


Sidomos masat, që nxisin vetëm për një kohë të shkurtër konsumin, si shpërblimi për makinat jashtëpërdorimit, janë për ekspertët shembuj të një politike të gabuar. Vitin e ardhshëm recesioni në industrinë e automobilëve, do të rritet për shkak të boshllëkut, që do të krijohet nga mungesa e kërkesës. Në vend të kësaj, qeveria gjermane duhet të kujdeset për stabilizimin e sektorit bankar, thotë Kai Carstensen.

Vinça si simbole të koniukturës
Një milion vende pune do të shkurtohen në muajt e ardhshëm, sipas llogarive të studjuesve të ekonomisë. Deri në fund të vitit 2010 numri i të papunëve mund të ngrihet në gati pesë milionë.Fotografi: AP

Sa do të zgjasë ende, derisa situata të përmirësohet në Gjermani, varet kryesisht edhe nga ekonomia botërore. Ajo gjendet në recesionin më të madh, që prej depresionit të madh të fillimit të shekullit të 20-të, thotë Volker Nitsch, nga KOF në Zürich: "Shenja të qarta të ndërprerjes së rënies ekonomike nuk duken akoma, edhe pse disa tregues dëshmojnë që rënia e prodhimit dhe e kërkesës në muajt e ardhshëm, do të ndodhë në mënyrë më të ngadaltë. Në vendet në zhvillim të shpejtë, ekonomia në 2009 do të tkurret në përgjithësi lehtë. Kjo i dedikohet ekspansionit të vazhdueshëm edhe pse të dobët në dy vendet e mëdha, Kinë dhe Indi. Në vendet e tjera në rritje në Azi dhe në Amerikën latine si dhe në Rusi, produkti i brendshëm bruto bie ndjeshëm. Për vitin 2010 pritet një çlodhje e moderuar e aktivitetit ekonomik në shumicën e vendeve."

Partitë opozitare Të gjelbrit, Të majtët dhe liberalët kërkojnë që qeveria të veprojë ndryshe. Shefi i fraksionit të të majtëve në parlament Oskar Lafontaine, thotë se edhe qeveria ka faj në rënien më të madhe ekonomike. Atë e kundërshton ministri gjerman i financave Karl-Theodor zu Guttenberg, i cili mendon se ekonomia gjermane ndodhet në vorbullën e rënies koniunkturore globale. Por ka edhe arsye për besim tek përmirësimi. Masat e programeve koniunkturore në mbarë botën tregojnë rezultatet e para.

Autor: Sabine Kinkartz / Angelina Verbica
Redaktoi: Aida Cama