1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Eksporti gjerman - i dorës së dytë?

11 Prill 2012

A kërcënohet Gjermania nga rënia në shekullin e Azisë? Eksporti nuk shqetësohet. Në qoftë se potenciali ekonomik i tregjeve rritet, kjo mund të jetë vetëm në të mirë të Gjermanisë.

https://p.dw.com/p/14aqP
Nga porti i Hamburgut
Nga porti i HamburgutFotografi: picture-alliance/dpa/dpaweb

Për kohë të gjatë eksporti gjerman ishte në vendin e parë. Por titulli i kampionit prej dy vitesh i takon së shkuarës. Kina dhe SHBA shesin ndërkohë më shumë mallra jashtë vendi se gjermanët. Por kjo nuk duhet të brengosë askënd, thotë Anton Börner, President i shoqatës federale të tregtisë me shumicë dhe tregtisë së jashtme, (BGA): "Ne jemi përfituesit më të mëdhënj të bumit në Azi dhe forcohemi në hijen e bumit aziatik."

Ndërsa Europa humbet gjithnjë e më shumë rëndësinë si treg për produktet gjermane, Azia vazhdon të rritet. Në qoftë se ky trend vazhdon me ritmin e deritanishëm, në 30 vitet e ardhshëm rendësia e Europës dhe e Azisë për ekonominë gjermane do të nivelohet gjithnjë e më shumë dhe në vitin 2040 do të ketë pak a shumë të njëjtën rëndësi. "Ne duhet të gëzohemi, në qoftë se potenciali ekonomik i tregjeve tona rritet vazhdimisht." Në të njëjtën masë shtohet nevoja për produkte me cilësi të lartë. "Në qoftë se një kinez fiton më shumë, ai mund të blejë më lehtë një makinë gjermane", shpjegon Börner.

2012 do të jetë një vit i mirë

Anton Börner, President i shoqatës federale të tregtisë me shumicë dhe tregtisë së jashtme
Anton Börner, President i shoqatës federale të tregtisë me shumicë dhe tregtisë së jashtmeFotografi: picture-alliance/dpa

Në mbarë botën kërkesa për produkte gjermane mbetet e njëjtë. Dhe kështu eksportuesit gjermane kanë përpara një vit rekord, megjithë krizën e borxhit dhe ngadalësimin koniunkturor. Sipas njoftimeve të zyrës federale të statistikave në Wiesbaden, të martën (10.04.2012), nga janari deri në shkurt 2012 eksportet u rritën me 1,6%, megjithë pritjet negative. Gjithsej firmat gjermane nxorën jashtë vendi mallra në vlerë prej 91,3 miliardë euro, 8,6% më shumë se në të njëjtën periudhë para një viti.

Një zhvillim, që duhet të vazhdojë në muajt e ardhshëm. Presidenti i BGA-së Börner supozon se eksportet në vitin 2012 do të rriten mesatarisht gjashtë përqind duke arritur në 1,12 bilionë euro dhe importet me shtatë përqind në 965 miliardë euro.

Tregjet në zhvillim preferojnë "Made in Germany"

Perspektiva të mira zhvillimi shoqata e industrisë sheh këtë vit përsëri në Azinë juglindore dhe lindore, në amerikën Latine dhe përsëri në Amerikën e Veriut, si dhe në Lindjen e Mesme. Por edhe në kontinentin afrikan shihen shanse të mira për rritje. "Arsyeja është se tregjet në zhvillim nuk janë aspak të prekura nga kriza e borxhit dhe vazhdojnë të investojnë fort në teknologjitë e së ardhmes", thotë Bërner.

Karakteristike për vendet në zhvillim është eksplodimi i popullsisë. Investime masive në teknologjitë për përdorimin me efikasitet të energjisë dhe të burimeve, në infrastrukturën e trasportit, të ndërtimit, të telekomunikacionit janë të domosdoshme. Kjo, analizon Bërner, nuk prek vetëm shtetet e BRIC-ut  Brazilin, Rusinë, Indinë dhe Kinën. Edhe vendet e quajtura shpesh si "next eleven" investojnë. Në to bën pjesë Turqia, Egjipti, Indonezia, Irani dhe Meksika, si dhe shtetet e pasura me lëndë të parë të Afrikës perëndimore dhe Arabisë.

Kina vendi i parë eksportues në botë
Kina vendi i parë eksportues në botëFotografi: Reuters

Europa humbët rëndësinë

Tregjet në zhvillim, thotë presidenti i BGA-së, japin mundësi të mëdha edhe për eksportin gjerman në bizneset e shërbimeve. "Shumë relevante janë shërbimet inxhinierike dhe ato në sektorin IT. "Edhe shërbimet në përkujdesjen shëndetësore do të kërkohen më shumë në të ardhmen. Dëshmi për këtë është ndër të tjera vendosja gjithnjë e më e madhe e spitaleve gjermane në botë."

Duke patur parasysh këto fakte, nuk është çudi, që Europa po humbet rëndësinë si treg për produktet gjermane. Vitin e kaluar pjesa e eksporteve gjermane në vendet e BE ra nga 65 në 59 përqind dhe brenda Europës nga 75 në 71 përqind. Veçanërisht të prekura ishin Greqia dhe Italia me13 dhe 10 përqind. Kjo tregon se çfarë ndikimi kanë në këtë zhvillim masat e kursimit dhe përmbajtja e këtyre vendeve nga investimet dhe konsumi.

Autor: Sabine Kinkartz/Angjelina Verbica

Redaktoi: Elert Ajazaj