1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

251211 Nigeria Terrorismus

26 Dhjetor 2011

Si pasojë e sulmeve të fundit në disa kisha katolike në Nigeri janë vrarë të paktën 40 vetë dhe janë plagosur shumë të tjerë. Pas këtyre sulmeve duket se qëndron sekti radikal islamik Boko Haram.

https://p.dw.com/p/13ZBD
Luftëtarë të sektit Boko Haram
Luftëtarë të sektit Boko HaramFotografi: dapd

Boko Haram lë gjurmë gjaku në Nigeri dhe kjo prej kohësh. Luftën e hapur kundër shtetit organizata sektare e ka filluar para dy vjetësh. Fundamentalistë të armatosur deri në dhëmbë tërhoqën në vitin 2009 ushtrinë nigeriane në luftime, që zgjatën disa javë. Në veri të vendit u vranë 800 vetë, policia ekzekutoi udhëheqësit e sektit. Që atëherë Boko Haram hakmerret duke ndezur bomba para institucioneve ushtarake, në restorante dhe kisha dhe në gusht edhe në selinë e OKB-së në Abuja.

Megjithëse ata marrin përsipër përgjegjësinë, shumë pak dihet lidhur me grupin misterioz të fanatikëve islamistë, qëllimet e tyre janë kontradiktore. Një gjë është e sigurtë: Boko Haram dëshiron të zbatojë ligjin islamist të sheriatit në të gjithë Nigerinë. Hussaini Abdou e organizatës „Action Aid Nigeria“ thotë: „Boko Haram është një lëvizje e të rinjve muslimanë, që mund të quhen ekstremistë. Ata kundërshtojnë edukimin perëndimor. Radikalizimi lidhet ngushtë me gjendjen e keqe ekonomike. Boko Haram është bërë pikë takimi për të rinjtë pa arsim dhe pa punë."

Atentat i Boko Haram në Maiduguri
Atentat i Boko Haram në MaiduguriFotografi: AP

Boko Haram e ka të lehtë të rekrutojë fanatikë të rinj

Kështu thotë Harouna Yerima, profesor nga qendra e këtij sekti Maiduguri. Për të fenomeni Boko Haram është edhe një shenjë e dështimit të politikanëve. Sidomos nga pasuria e madhe e naftës së Nigerisë njerëzit nuk përfitojnë. „Varfëria është bërë gangrenë në shoqëri. Shumë nuk kanë punë, nuk dinë as të lexojnë dhe as të shkruajnë dhe korrupsioni është marramendës. Në përgjithësi situata është aq e keqe, saqë mua nuk më habit fakti, që krijohen grupe të tilla, si Boko Haram.“

Kjo është më shumë një ventil për zhgënjimin social. Lëvizja e quan veten edhe "Vëllazëria sunite në kryerjen e luftës së shenjtë". Në fakt sulmet bëhen gjithnjë e më profesionale, gjithnjë e më shpesh kryhen atentate kamikaz me bomba në makina. Për ekspertin e terrorizmit Mathieu Guidère kjo është dora e Al Kaidës.

Kontaktet me Al Kaidën

Nigeria Anschläge
Fotografi: picture-alliance/dpa

„Ndërmjet Boko Haram dhe AQIM, Al Kaidës në Magrebin islam, ka lidhje të qarta. Ka dëshmi për shumë takime ndërmjet shefit të AQIM Abdelmalek Droukdal dhe udhëheqësve të Boko Haram. Droukdal u ka premtuar ekstremistëve nigerianë para, armë dhe trajnim për luftëtarët terroristë, kjo ka qenë në vitin 2010.“

Kjo nuk është e gjitha. Gazeta „Wall Street Journal“ ka fragmente nga dosjet e shërbimit të fshehtë nigerian. Në to thuhet se anëtarë të Boko Haram janë stërvitur në vitin 2007 në kampet terroriste në Afganistan, tek salafistët në Algjeri dhe Mauretani dhe kanë mësuar, si të ndërtojnë bomba, veç kësaj ka dëshmi për kontakte ndërmjet luftëtarëve të Boko-Haram dhe grupit terrorist somalez Al Shabaab, gjithashtu një degë e Al Kaidës.

Por qeveria e Nigerisë megjithë vendosmërinë, që tregon, duket e pafuqishme. Presidenti i ri Goodluck Jonathan nuk ka mundur deri tani të sigurojë qetësinë me reformat politike dhe ekonomike. Receta efektive kundër terrorit Nigeria nuk ka, gjitha forcat me para dhe as nuk munden me mjete ushtarake. Boko Haram rrezikon të dalë jashtë kontrollit. Sulmi pasues i sektit misterioz është sipas shumë ekspertëve vetëm çështje kohe.

Autor: Alexander Göberl / Angjelina Verbica

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora