1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Emigrantët shqiptarë kthehen nga Greqia në atdhe

8 Nëntor 2011

Kriza financiare në Greqi e shoqëruar së fundi edhe me paiguritë që shton kriza politike ka rritur numrin e emigrantëve shqiptarë që rikthehen në atdhe për të ndërtuar jetën nga e para.

https://p.dw.com/p/136i1
Migrantë shqiptarë në Greqi
Migrantë shqiptarë në GreqiFotografi: DW

Numri i emigrantëve shqiptarë që emigruan në Greqi në dy dekadat e fundit varion nga 650 në 800 mijë. Shifrat zyrtare të botuara së fundi në shtypin e Athinës flasin për më shumë se 10 % të emigrantëve shqiptarë të rikthyer në atdhe. Ndërkohë që çdo ditë kjo përqindje rritet.

Për të gjithë ata që humbin vendet e punës, që nuk kanë asnjë mundësi për të jetuar dhe mbajtur familjet në Greqi, e vetmja zgjidhje që u mbetet është rikthimi në atdhe. Edhe pse pjesa dërrmuese e emigrantëve shqiptarë në Greqi punon në sektorin privat dhe në të zezë dhe jo në sektorin publik, që është më i godituri nga kriza, kriza ka trokitur edhe tek këta sektorë. Edhe pse niveli i ekonomisë informale në Greqi arrin në 26% shifër shumë e lartë në krahasim me vendet e tjera anëtare të BE , që kanë ekonominë informale nga 8- 12 %, kriza ka tkurrur punen në të zezë.

Migrantë shqiptarë në kufi
Migrantë shqiptarë në kufi me GreqinëFotografi: DW

Statusi social i emigrantëve- përcakton kthimin në atdhe apo vazhdimin e qëndrimit në Greqi

Megjithatë kthimi i emigrantëve shqiptarë nga Greqia në atdhe, duket se kushtëzohet nga statusi i tyre social. Zef Preçi, ekspert i ekonomisë dhe Drejtor i Institutit të Studiumeve Ekonomike, me seli në Tiranë, dallon dy kategori emigrantësh. “ Ajo pjesë e emigrantëve shqiptarë që ka shkuar vitet e fundit në Greqi dhe nuk ka familje, nuk ka as punë të përhershme, të qëndrueshme është më e predispozuar për t'u kthyer apo edhe për të emigruar në vende të tjera. Pjesa tjetër punon në sektorët më të vështirë të punës fizike. Këto janë punë që për shkak të statusit social që punëtorët vendas gëzojnë, ata nuk i bëjnë. Pra, emigrantët shqiptarë që bëjnë punët më të vështira janë të fundit që mund të kthehen në Shqipëri” thotë Zef Preçi.

Shtimi i të papunëve – pasoja kryesore negative në Shqipëri

Por kjo kategori nuk përbën shumicën. Mungesa e perspektivës kur kriza në Greqi nuk po jep ende shenja të zbutjes së saj shtyn të kthehen edhe emigrantë që sot e kanë një vend pune por janë të kërcënuar me humbjen e tij. Kthimi i tyre çdo ditë, kryesisht përmes pikës kufitare të Kakavijës tregon pasigurinë për të vazhduar jetën në Greqi. Pasoja e parë për Shqipërinë nga kthimi masiv i emigrantëve shqiptarë nga Greqia është shtimi i numrit të të papunëve. Dhe një Greqi në krizë, provokon krizë edhe në Shqipëri.

Zef Preçi
Zef PreçiFotografi: DW / Arben Muka

Shifrat zyrtare të Shërbimit Kombëtar të punësimit, pranë Ministrisë së Punës, Çështjeve sociale dhe Shanseve të Barabarta, niveli i papunësisë në Shqipëri arrin në 13,5 %. Kjo do të thotë që për një vend pune të paraqiten 15 kandidatura. “ Ky është kërcënimi i parë,real, më i padëshirueshëm nga kriza greke” vë në dukje Zef Preçi.

Shanse për përdorim pozitiv të krizës

Po,r edhe këtu medalja ka dy anë: kriza greke ka gjasa edhe për një përdorim pozitiv të saj. Emigrantët shqiptarë kthehen në atdhe me paratë e kursyera, me të cilat mund të hapin biznese të vogla dhe të vetëpunësohen, pa lënë mënjanë edhe dijet që kanë fituar në një vend si Greqia më të përparuar se Shqipëria. “Ka mundësi për përdorim pozitiv të krizës, qoftë edhe në punimin e tokës në vend, të përpunimit të produkteve bujqësore dhe eksportimit të tyre, ne vendet e rajonit” thotë Zef Preçi.

Thoma Miço, Drejtor i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, pranë Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, thotë se emigrantët e kthyer nga Greqia mund të kontribojnë në sektorin e bujqësisë. “Fshati ka hyrë tanimë në një rrugë zhvillimi. Po shënon progres në sektorin e përpunimit të perimeve dhe frutave, në sektorin e serrave. Emigrantët do ta gjejne veten e tyre në këtë treg pune në fshat” thotë Z.Miço.

Thoma Miço
Thoma MiçoFotografi: DW

Jo vetëm në fshat por edhe në investime të vogla në qytete, emigrantëve të kthyer nga Greqia mund t‘iu hyjnë në punë eksperiencat e reja qe fituan në shumë vite punë në shtetin fqinjë.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama