1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ende mbi 1900 të zhdukur në Kosovë

27 Prill 2009

Familjarë të të zhdukurve vazhdojnë t’i bëjnë thirrje Qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare që të angazhohen më shumë për zbardhjen e fatit të familjarëve. Ata kërkojnë trysni më të madhe ndaj qeverisë së Beogradit

https://p.dw.com/p/HfFo
Varre pranë Vushtrisë
Varre pranë VushtrisëFotografi: Nikos Pilos

Familjarët akuzojnë për mosinteresim të mjaftueshëm edhe qeverinë e Kosovës

Dhimbja për personat e vrarë gjatë luftës, vazhdon t'i përcjellë qytetarët e Kosovës tash e dhjetë vjet. Mirëpo, dhimbja më e madhe mbetet tek qindra familje, të cilat nuk dinë asgjë për fatin e shumë pesonave tjerë, që figurojnë të zhdukur dhe nuk dihet asgjë për ta.

Familjarët e personave të zhdukur vazhdimisht e kanë pasur një adresë ku i drejtojnin akuzat. Kjo adresë është Beogradi zyrtar që nuk jep informacione, mirëpo, akuzave tash nuk i shpëton as qeveria e Kosovës. Familjarët e personave të zhdukur shprehen të zhgënjyer me qeverinë e Kosovës, e cila sipas tyre nuk ka treguar gatishmëri serioze për të formuar mekanizma profesionalë, që do të merreshin më zgjidhjen e fatit të personave të zhdukur.

Haki Kasumi, udhëheq një rrjet organizatash që angazhohen për fatin e personave të zhdukur:

Ekzistojnë dyshime se ka akoma ka varreza masive të pazbuluara

“Nuk është siguruar asnjë informacion zyrtar tash e dhjetë vjetë edhe për 1907 njerëz. Po zvarritet çështja e mbi 400 mbetjeve mortore, të cilat tash e dhjetë vjetë po qëndrojnë të paidentifikuara në morgun e mjekësisë ligjore në Prishtinë. Nuk është bërë ndonjë përpjekje serioze nga institucionet apo organizatat vendore që të hartojnë regjistrin komplet të qytetarëve të zhdukur, të vrarë dhe të plagosur të Kosovës”, thotë Kasumi.

Ekzistojnë dyshime se në Kosovë, por edhe në Serbi akoma ka varreza masive të pazbuluara. I angazhuar në këtë drejtim tash është edhe misioni evropian për polici dhe drejtësi EULEX, mirëpo, edhe për këtë mision është vështirë të sigurohen informacione.

“Që nga dhjetori i vitit 2008 ekspertët e EULEX-it kanë punuar me kolegët e tyre nga ministria e drejtësisë dhe ata në Zyrën për Personat e Pagjetur pranë UNMIK-u, për të gjetur një përgjigje për familjarët që kanë persona të zhdukur. Megjithatë, informatat për varreza të reja të mundshme janë bërë më të vështira dhe pa informata të besueshme, përparimi në këtë drejtim është shumë i vështirë”, thotë Alberto Perduka.

Manaj: preokupim kërkimi i vendvarrimeve të reja në Kosovë

Prishtina zyrtare akuzon Beogradin për mosbashkëpunim dhe për fshehjen e insformacioneve për të zhdukurit. Autoritet e Beogradit, katër vjet më parë zbuluan disa varreza masive në Serbi. Zhvarrosën kufomat e afro 900 shqiptarëve dhe ato u dorëzuan autoriteteve kosovare. Mirëpo, autoritetet e Prishtinës thonë se Beogradi, duhet të japë të gjitha informacionet edhe për mijëra persona të tjerë që konsiderohen të zhdukur.

Ramë Manaj, është zëvëndëskryeministër i Kosovës.

“Preokupim po ashtu i domosdoshëm mbetet kërkimi i vendvarrimeve të reja në Kosovë dhe jashtë Kosovës, pastaj zgjidhja e çështjes së një numri të trupave të djegur, për të cilët identiteti de fakto dihet, duhet të mbulohet edhe me segmentin juridik, dhe definitivisht edhe bashkëpunimi me rajonin ”, thotë Manaj.

Zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur gjatë luftës është pjesë e një dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që nga viti 2004. Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, një delegacion nga Kosova dhe një nga Beogradi janë takuar vetëm dy herë me ndërmjetësimin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në përpjekje që të siguronin informacione si për shqiptarët e zhdukur, ashtu edhe për qindra serb, të cilët poashtu konsiderohen të zhdukur. Mirëpo, rezultate në këtë drejtim akoma nuk ka.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi