1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Erdogan shfyn kundër Gjermanisë

4 Mars 2017

Pritej që Erdogan të mos i pranonte kritikat për trajtimin e gazetarëve në Turqi. Por në këtë situatë, korrespondenti i arrestuar gjerman me prejardhje, Deniz Yücel ka rënë në mes të fronteve. Erdogan e quan atë "spiun".

https://p.dw.com/p/2Ydaj
Türkei Präsident Erdogan Rede in Istanbul
Fotografi: picture-alliance/Ap Photo/Y. Bulbul

Tonet pajtuese nuk janë karakteristikë e tij. Por tani presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan e akuzon korrespondentin e gazetës gjermane,  "Die Welt", Deniz Yücel për aktivitete spiunazhi për Gjermaninë. Yücel është "një agjent gjerman" dhe "përfaqësues" i partisë së ndaluar kurde, PKK, tha Erdogan. Ndërsa autoritetet gjermane Erdogan i akuzoi për mbështetje të terrorizmit në Turqi.

I fshehur në konsullatë?

Fjalimi që kreu i shtetit turk e mbajti të premten në mbrëmje në Stamboll mund të quhet një shkallëzim i ri në krizën aktuale mes Gjermanisë dhe Turqisë. Erdogan pretendon se Yücel "ka qennë fshehur një muaj rresht në konsullatën gjermane", para se të paraqitej tek autoritetet turke. Ministria e Jashtme gjermane i hodhi poshtë fajësimet duke i cilësuar ato "pa lidhje".

Ashtu si pritej, Erdogan shprehu kritika edhe për refuzimin në Gjermani të disa daljeve publike për fushatën zgjedhore pro referendumit të disa ministrave turq. Ministrat turq nuk lejohen të flasin atje, ndërsa përfaqësues të organizatës së ndaluar kurde, mund të flasin publikisht, u shpreh Erdogan. Ai propozon që autoritetet gjermane të "dalin para gjyqit për mbështetje dhe strehim të terrorizmit". Lidhur me refuzimin e një aktiviteti në qytetin Gaggenau dy ditë më parë, u shpreh edhe ministri turk i Drejtësisë, Bekir Bozdag, duke e cilësuar atë si "veprim fashist".

Deutschland Außenminister Gabriel Aufbruch Reise in die USA
Diplomaci në kohë të vështira- Sigmar Gabriel, ministri i Jashtëm gjermanFotografi: picture-alliance/dpa/B.v. Jutrczenka

Ndalim në Rotterdam

Jo vetëm në Gjermani, përfaqësues të qeverisë turke nuk shihen me sy të mirë edhe në vende të tjera. Holanda nuk është arenë fushate zgjedhore për vende të tjera, shkroi kryeministri holandez, Mark Rutte në Facebook. Ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Cavusoglu donte të fliste para publikut më 11 Mars në Roterdam, por me sa duket aktiviteti nuk do të zhvillohet. "Ne nuk do të punojmë për këtë, kjo nuk është e dëshirueshme", tha Rutte.

Kjo temë mund të kthehet në një provë të vështirë për ministrin e Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel (SPD). Gabriel telefonoi me homologun e tij, Cavusoglu për situatën. Të mërkurën e ardhshme është planifikuar një takim në Ankara. Ministria e Jashtme bëri fjalë për "një bisedë konstruktive dhe të angazhuar".

Kritika nga Gjermania

Ndërkohë Parlamenti Komunal Gjerman kërkoi nga qeveria gjermane të mos e delegojë tek komunat grindjen për daljet publike të ministrave turq në fushatë zgjedhore. Presidentja e tij, Eva Lohse është shprehur për "Rheinische Post", se "problemi i vërtetë është se deri në cilën masë duhet të lejohen politikanët turq të bëjnë fushatë zgjedhore në Gjermani." Ky problem mund të zgjidhet vetëm mes Ankarasë dhe Berlinit. Ndërsa e ngarkuara e qeverisë gjermane për Integrimin, Aydan Özguz kritikoi reagimet e qeverisë turke si "tejet të ekzagjeruara". Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann (CSU) bëri thirrje për vetëpërmbajtje. "Gjermania nuk duhet të kthehet në skenë dhe shesh-loje për konfliktet e brendshme turke", tha Hermann për gazetën "Bild".

Këtë dielë (05.03) ishte planifikuar të fliste para një salle në Frechen, edhe ministri turk i Drejtësisë, Nihat Zeybekci, por pronari i sallës nuk dëshiron ta vërë sallën në dispozicion. Zeybekci para refuzimit ishte shprehur për agjencinë turke, Anadolu, se "do ta zhvillojë udhëtimin e planifikuar, e ne themi fitorja është e Allahut. Po qe se nuk më japin sallën, unë do të shkoj shtëpi më shtëpi, lokal më lokal", ka thënë ministri turk. Të dielën është planifikuar edhe një përshëndetje e Zeybekci në një koncert në Leverkusen.