1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Erdogani dhe fatkeqësia e minierës

Zoran Arbutina/Auron Dodi14 Maj 2014

Fatkeqësia më e rëndë e minierës në Turqi prej dekadash e rrit presionin politik ndaj Erdoganit. Qeverinë e akuzojnë se është bashkëfajtore në vdekjen e 200 minatorëve në Soma të Turqisë Perëndimore.

https://p.dw.com/p/1Bzec
Recep Tayyip ErdoganFotografi: Reuters

Që gjatë kërkimit të të mbijetuarve dhe të vrarëve në fatkeqësinë e minierës në Soma u aktivizuan kritikët e kryeministrit. Parti opozitare dhe sindikatat thirrën në shumë qytete në të gjithë Turqinë manifestime kundër qeverisë. Nxënës dhe studentë në shumë pjesë të vendit u hodhën në grevë. Fjala "masakër" ndaj minatorëve në Soma filloi të qarkullojë - këtë fjalë e bëri pjesë të diskutimit sindikata e majtwe DISK. Qeveria e Erdoganit shpalli një zi treditore dhe dërgoi në Soma ministrin e Energjisë, Taner Yildiz për të koordinuar masat e shpëtimit. Por ministri nuk pati mundësi të bënte gjë tjetër, veçse të shpallte vazhdimisht numrin në rritje të viktimave. "Shpresat tona po shuhen", pranoi ai në mëngjes. Vetë Erdogani sinjalizoi praninë e tij gjatë ditës në Soma.

Kërkesa për hetim refuzohet

Kritika kryesore ndaj qeverisë është se i la pas dore kontrollet e sipërmarrjeve të minierave në kuadër të privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore vitet e kaluara. Veç kësaj, numri i kontrollorëve shtetërore në miniera nuk mjafton. Kësaj i shtohet që partia e Erdoganit, AKP e kishte refuzuar vetëm dy javë më parë një kërkesë të opozitës për hetimin e mangësive të sigurisë në minierën e Somas. Që prej shtatorit 2012, sipas të dhënave të kundërshtarëve të qeverisë e kanë humbur jetën në zjarre nën tokë 22 vetë.

Minenunglück in der Türkei
Pamje nga miniera ku ndodhi fatkeqësiaFotografi: picture-alliance/dpa

Dhe tani, qeveria e Erdoganit duhet të dëgjojë kritikën se ka vënë në lojë jetën dhe shëndetin e punonjësve, duke ndjekur një politikë të njëanshme pro punëdhënësve. Ministri i Energjisë, Yildiz e pati inspektuar personalisht vitin e kaluar minierën e fatkeqësisë dhe pati lëvduar investimet atje në sisteme të shtrenjta sigurie në dobi të punëtorëve - por ato nuk mjaftuan. "Në fakt, puna është e tillë", shkroi të mërkurën (14.05.2014) kolumnisti i njohur Murat Yetkin në botimin në internet të gazetës "Radikal":" Qeveria refuzoi t'i marrë seriozisht të gjitha paralajmërimet për minierën e Somas dhe punonjësit paguajnë tani çmimin."

Disa manifestime të kujtojnë protestat në Sheshin Gezi

Numri i përgjithshëm i viktimave në fund pritet të arrijë 350-400 vetë, tha deputeti Hasan Ören nga partia opozitare CHP, që përfaqëson në parlament rajonin rreth Somas. Me këto shifra, kjo është katastrofa më e rëndë që ka ndodhur ndonjëherë në miniera në historinë e Turqisë. Në vitin 1992, në Zonguldak në bregdetin e Detit të Zi e humbën jetën 262 vetë.

Në mediet sociale u dëgjua thirrja për dorëheqjen e ministrit përkatës të qeverisë së Erdoganit. Disa prej manifestimeve spontane të kujtonin protestat antiqeveritare në Sheshin Gezi, vitin e kaluar.Në lagjen e biznesit Levent studentë dhe demonstrues protestuan me flamuj të zinj para përfaqësisë së pronarit të minierës Soma- Holding. "Vrasës" shkruan ata me ngjyrë të kuqe në mure.