1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Etnizimi i kulturës politike në Maqedoni - Intervistë me Stefan Trëbst, ekspert për Evropën Lindore dhe Qendrore

Fabian Schmidt5 Qershor 2008

Mbi sfidën e krijimit të koalicionit qeverisës në Maqedoni pas zgjedhjeve parlamentare prononcohet për DW, prof.dr. Stefan Trëbst (Troebst), ekspert për Evropën Lindore dhe Qendrore pranë Universitetit të Lajpcigut.

https://p.dw.com/p/EEOt
Nga dita e votimeve më 1 qershor në MaqedoniFotografi: DW

DW - Në Maqedoni rezultati i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 1 qershor shtron çështjen: që partia më e madhe nga dy partitë shqiptare ka të drejtën të bashkëpunojë në koalicion me VMRO-në, që i fitoi këto zgjedhje. Çfarë mund të ndodhë nëse në një sistem pluralist thuajse automatikisht gjithnjë partia më e madhe nga grupet etnike pretendon dhe madje e aplikon në kulturën politike, që ajo detyrimisht të përfshihet në qeveri?


Trëbst: Në një sistem demokratik normal, një gjë e tillë nuk do të ndodhte. Vendimtare është forca apo grupi i partive, që ka më shumë se 50% të mandateve në parlament. Kjo nuk ka të bëjë patjetër me madhësinë e partive, sepse jo gjithmonë të mëdhenjtë duhet të krijojnë koaliconin, edhe disa parti të vogla së bashku mund të arrijnë të kenë mbi 50%. Por në një vend sistem partiak të etnizuar si në Maqedoni, që praktikisht është ndarë në dy gjysma, kjo është problematike. Në vështrim më të thellë parlamenti i Maqedonisë përbëhet nga dy parlamente që mblidhen paralelisht: një parlament i deputetëve shqiptarë dhe një i deputetëve joshqiptarë. Ndërsa tani raportet në sistemin e partive janë zhvendosur dukshëm. Fitorja e merituar e VMRO-së e ka ndryshuar fuqishëm simetrinë e gjysmës maqedonase dhe partitë shqiptare me problemet, që kanë midis tyre nuk e dinë se si duhet të reagojnë ndaj këtij ndryshimi.


Kjo do të thotë që ndryshe nga konstelacionet e mëparshme të koalicooneve në Maqedoni, tani VMRO-ja do të jetë më e pavarur nga presioni i aleatit në koalicion në përgjegjësinë për qeverisjen?


Në një demokraci normale VMRO-ja nuk do të kishte nevojë për një partner koalicioni, sepse ajo i ka tashmë mbi 50% të mandateve. Por në një demokraci të etnizuar ekziston presioni, që së paku njëra prej partive përfaqësuese të etnisë të futet në bord. Në këtë rast logjika e demokracisë do të ishte që të futej partia më e vogël në koalicion, sepse me të bashkëpunimi mund të jetë më i lehtë se me një parti më të madhe. Por në Maqedoni kemi të bëjmë me një situatë krejtësisht të veçantë, ku partia më e madhe e shqiptarëve pretendon të hyjë në koalicion me partinë më të madhe të maqedonasve. Pra bëhet fjalë për krijimin e një koalicioni të madh në një kohë që ky koalicion nuk është i nevojshëm.


Një aspekt tjetër është ai i programit të partive. Normalisht koalicionet krijohen prej partive që kanë përmbajtje të ngjashme të programeve të tyre. A do të ishte i qëndrueshëm krijimi i qeverisë dhe a do të mund të bëhej politikë solide afatgjatë, nëse krijohet një kulturë politike, në bazë të së cilës partitë pavarësisht nga orientimet politike dhe programet e tyre krijojnë koalicion vetëm mbi bazë etnike?


Në demokracitë me segmetime etnike programet nuk luajnë rol. Këto luajnë rol vetëm brenda kampit përkatës. Pra në kolacionet transetnike siç e dimë edhe nga koalicionet e mëparshme në Maqedoni programet nuk luajnë rol. Thuajse çdo parti maqedonase mund të krijojë koalicon me secilën parti shqiptare. Ka në fakt disa preferenca tek partitë shqiptare, që kryesisht kanë të bëjnë me të kaluarën pasi ato e kanë prejardhjen nga lidhja komuniste e Maqedonisë. Ndërkohë që në kampin liberal dhe nacional këto preferenca nuk ekzistojnë. Megjithatë edhe këto mund të krijojnë koalicione së bashku. Por këto janë koalicione që nuk bazohen në një platformë qëllimesh të përbashkëta, por vetëm në kalkulimin e interesave të përkoshme. P.sh. në rastin e Maqedonisë interesat e partive përputhen në synimin për antarësimin e shpejtë në BE. Ka pra interesa të përbashkëta në politikën e jashtme, por jo në aspektin e politikës së brendëshme, atë sociale, të shëndetësisë, të financave e tatimeve.