1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EULEX-i shqyrton çështjen e imunitetit të deputetëve të kuvendit të Kosovës nën hetime

20 Korrik 2011

Konfirmohet shqyrtimi dhe fakti që kryetari i Parlamentit të Kosovës ka refuzuar hartimin e kërkesës për verifikimin e çështjes nga Gjykata Kushtetuese

https://p.dw.com/p/120AA

Çështja e imunitetit të deputetëve të kuvendit të Kosovës, akoma ka mbetur një çështje e pasqaruar ndërmjet misionit EULEX dhe kuvendit të Kosovës. Misioni EULEX, vazhdon të kembëngulë se kuvendi i Kosovës me anë të një rezolute duhet t'i kërkojë qeverisë që të inicojë çështjen e heqjes së imunitetit deputetëve të kuvendit të Kosovës, në mënyrë që misioni EULEX të mund të procedojë rastet e dyshuara për korrupsion dhe vepra të tjera penale. Mirëpo, kryetari i kuvendit te Kosovës, Jakup Krasniqi, në një letër të fundit që i ka shkruar misionit EULEX, thotë se Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh që kuvendi ta iniciojë këtë çështje, po është qeveria ajo që duhet bërë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese dhe të kërkojë intepretim nga gjykata rreth imunitetit të deputetëve. Zëdhënësi i misionit EULEX, Blerim Krasniqi, i tha DW-së, se me gjithë refuzimin nga ana e kryetarit të kuvendit, EULEX-i vazhdon të besojë se çështja e imunitetit të deputetëve ka nevojë të sqarohet nga Gjykata Kushtetuese.

Zëdhënësi i EULEX-it Blerim Krasniqi
Zëdhënësi i EULEX-it Blerim KrasniqiFotografi: EULEX

“Në këtë letër është refuzuar kërkesa e EULEX-it që Kuvendi të nxjerrë një rezolutë, e cila do të kërkojë nga qeveria të referojë çështjen e imunitetit nga arrestimi për deputetë në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, EULEX-i vazhdon të besojë se çështja e imunitetit nga arrestimi i deputetëve ka nevojë të sqarohet nga Gjykata Kushtetuese. Ne jemi duke diskutuar se si të vazhdohet përpara me këtë çështje”, thotë zëdhënësi Blerim Krasniqi.

Por kryetari i kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nuk e ka ndërmend të ndryshojë qëndrim. Ai thotë se nëse qeveria dëshiron ta iniciojë këtë ëështje në kuvend, mund ta bëjë. “Unë nuk dëshiroj të hyj më në sqarime juridike, sepse këtë e kam bërë, por politikisht për mua është e qartë, deputetët kanë imunitet. Kush nuk e ka të qartë, mund të drejtohet dhe të qartësohet në Gjykatën Kushtetuese,” thotë Jakup Krasniqi.

Kryetari i kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi
Kryetari i kuvendit të Kosovës Jakup KrasniqiFotografi: DW

Sipas nenit 75 të Kushtetutës së Kosovës: “Deputetët e Kuvendit gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi për veprimet dhe vendimet e tyre brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre si deputetë të Kuvendit”.

Imuniteti thuhet se nuk pengon ndjekjen penale të deputetëve të Kuvendit për veprimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive së tyre si deputetë të Kuvendit. Mirëpo, theksohet po ashtu se: “Deputeti i Kuvendit nuk mund të arrestohet dhe as ndalohet përderisa është duke kryer detyrat e tij/saj si deputet i Kuvendit, pa pëlqimin e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit”.

Qeveria e Kosovës sipas kryeministrit Hashim Thaçi i ka kompetencat e ndara nga parlamenti dhe ajo nuk e ka ndërmend të përsfhihet në çështjet, që kanë të bëjnë me deputetët e kuvendit të Kosovës. Ndërkohë, zyra civile ndërkombëtare, e udhëhequr nga Peter Faith, nuk ka dashur të përfshihet shumë rreth çështjes së imunitetit të deputetëve të kuvendit të Kosovës. Zëdhënësi i kësaj zyre, Andy Mc Gaffy, thotë nëpërmjet një deklarate të shkruar, se “zyra civile ndërkombëtare po e përcjell nga afër këtë çështje dhe ajo inkurajon palët, e përfshira që të shikojnë përtej interesave politike duke marrë gjithnjë në konsideratë reputacionin e institucioneve të pavarura dhe reputacionin e vetë Kosovës, si dhe çështjen thelbësore, sundimin e ligjit në Kosovë.”

Ndërkohë zëvëndësshefi i misionit EULEX, Andy Sparks, ka konfirmuar për mediat lokale në Kosovë se është një numër deputetësh të kuvendit të Kosovës, që po hetohet për korrupsion. Ai nuk ka dashur të japë detaje mbi numrin e deputetëve që po hetohen dhe ka përsëritur se nga ligji nuk mund të jetë imun askush.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Elert Ajazaj