1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europa ime: Frika ime!

Beqë Cufaj
31 Dhjetor 2016

Ndryshimi i motmoteve është zakonisht një çast i përshtatshëm për të parë me optimizëm përpara, mendon shkrimtari Beqë Cufaj. Por viti i ardhshëm mund të jetë edhe më i frikshëm se 2016.

https://p.dw.com/p/2V4CS
Deutschland Kosovo Beqë Cufaj DW Gastkolumnist
Fotografi: Jürgen Sieckmeyer

Stamboll, Bruksel, sërish Stamboll,  Nizza, Saint Étienne-du-Rouvray, Würzburg, Ansbach, München, Berlin. Janë qytet emrat e të cilëve kur i lexon në këtë ndërrim vitesh 2016/2017, në kohë normale, kohë të qeta, mendon që ishin apo do të jenë stacione ku njeriu mund të bëjë pushime të gjata për plazh, vizita të shkurtra shopingu apo ecje alpine.  Për fat të keq nuk është kështu. 

Jemi në ndërrimin e motmoteve.

Janë çaste kur njeriu duhet të shohë me optimizëm dhe të shpresojë çdo të mirë për familjarët, miqtë, kolegët për mbarësi e përmbushje dëshirash.

Por ja që shkronjat janë të pafuqishme ta shpjegojnë të gjithë dhembjen dhe tragjedinë, e cila nuk mundet ta përmbledhë të panjohurën dhe të papriturën. Vrasjen tinzare dhe me këtë edhe vuajtjen njerëzore, e cila ka kapluar, pse të mos i themi, këtë ndeshje të madhe, këtë përballje të tmerrshme të feve dhe civilizimeve, kulturave dhe gjuhëve, shteteve dhe kombeve.

Është e zorshme për të mos thënë e pamundur të bëhet diagnostifikimi i sëmundjes nëpër të cilën njerëzimi po kalon. Ashtu siç interneti që nuk njeh kufijtë dhe gjuhët, vërtetësinë e lajmit (fake apo të vërtetë), edhe shërbimet sekrete e të sigurisë thjesht do ta kenë të pamundur të parandalojnë rrezikun nga terrori dhe sulmet tinëzare të të frustruarve dhe mashtruarve që në emër të një Zoti që nuk ekziston hedhin në erë veten apo të tjerët rreth tyre.

Shqetësim për zgjedhjet më 2017

Dhe janë politikanët ata që si asnjëherë më parë kanë për detyrë që qytetarëve të tyre t'u ofrojnë dhe garantojnë siguri kur shkojnë në punë apo udhëtojnë në pushime. Dhe janë qytetarët ata që përmes votave të tyre duhet që besimin t'ua japin njerëzve, që do ta kenë koncentrimin dhe vizionin që të punojnë për paqtimin në këto kohë kaq të brishta dhe të pasigurta.

Duhet, thjesht, duhet.

Por ja që asgjë nuk duhet nëse askush nuk do.

Prandaj them se po hyjmë në një vit, i cili do të jetë edhe më i frikshëm sesa ky që po  lemë pas.

Pas Brexit-it dhe Trumpit më 2016 Europën tonë e presin në 2017 Holanda, Franca, Gjermania. Zgjedhjet në këto shtete nuk do të jenë vetëm zgjedhje, por edhe referendume: për shtetet nacionale dhe diferencimin e të huajve në to, apo përmirësimin e bazës ligjore në politikën e emigrimit dhe bashkëpunimin ndëreuropian në luftën kundër terrorit. Rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk është i rëndësishëm. Sepse vet fakti që do të jenë vetëm këto dy alternativa për zgjedhësit është një faktkeqësi për Europën. Dhe për pjesën tjetër të botës.

Pa përgjigje ndaj pafuqisë

Ndaj sëmundjes, që ka kapluar njerëzimin, nuk ka as profetë as doktorë, as politikanë, as shërbime sekrete që të mund ta parandalojnë të paditurin, atë që mendon se me një mësymje kamioni apo bombë në pazare po hakmerret për fatkeqësinë e tij pse ka një religjion a shtet i cili është ashtu si është.

Kjo furtunë e cila mundet të shpërthejë në çdo çast dhe çdo vend, në çdo qendër tregtare, stadium futbolli, stacion autobusi, tren, tramvaj, lagje, shesh, nuk e ka as sociologun, as filozofin e aq më pak shkrimtarin, i cili ka dijen a fuqinë ta gjejë përgjigjen e plotë për tërbimin dhe reagimin, që njeriun e bën të humbasë edhe shpresën e fundit në atë që quhet njeri.

Për ta thënë shkoqur: janë në rrezik koncepte civilizimesh. Ky i yni, europiani, perëndimori është duke u sulmuar nga koncepti tjetër, ai i botës tjetër. Përmes individëve të përgatitur a manipuluar, të cilët janë ose refugjatë ose rrezikues, që janë rritur në Europë por duan ta godasin atë. Kudo dhe kurdo. Vitin që po lemë dhe vitin në të cilin po hyjmë.

Prandaj frika është pjesë e pandashme e jetës sonë. Edhe kur Presidenti na apelon që të mos kemi frikë prej saj kur për Kërshëndella na tha: "Ne e ndjejmë frikën- por: frika nuk na mposht. Ne e ndjejmë pafuqinë- por: pafuqia nuk na mposht. Ne e ndjejmë tërbimin- por tërbimi nuk na mposht”.

Çfarë lehtësimi. Dhe frike.

Sepse është pikërisht frika ajo që në çdo fjali megjithatë mbizotëron edhe tek i Pari i Vendit tim.

Lamtumirë frikë e vitit 2016!

Mirësevjen frikë e vitit 2017.

Beqë Cufaj (1970), i lindur në Kosovë jeton prej 20 vite në Gjermani. Ai shkruan libra si dhe ese dhe kolumna për Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) dhe Neue Zürcher Zeitung (NZZ) Së fundmi në gjermanisht është botuar romani i tij projekt@party (Shtëpia Botuese Secession).