1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evropa duhet të dalë nga qoshja e rehatshme

Ben Knight / Angelina Verbica6 Shkurt 2014

Një studim i ri mbi aftësitë e mbrojtjes së europianëve vë në pah një dilemë. Ndërsa SHBA orientohen më larg, mbi Evropën bie barra që të bëjë më shumë në nivel global. Por pengesat janë të mëdha.

https://p.dw.com/p/1B3Uc
Konferenca e Sigurisë Mynih 2014: John Kerry dhe Joachim Gauck Begrüßung
Fotografi: Reuters

Argumentimet e krizave në Libi dhe Siri kanë treguar se oreksi për intervenime, si publik, ashtu edhe politik, është në rënie në Evropën Perëndimore. Kështu që kishte diçka sfiduese në fjalimet e javës së kaluar në konferencën e Sigurisë në Mynih për të ardhmen e “angazhimit” jashtë.

Ndërsa Presidenti gjerman Joachim Gauck sugjeroi që Bundeswehri "parimisht" nuk duhet të qëndrojë jashtë konflikteve ndërkombëtare, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry u përpoq të sjellë një koncept të ri: "Si komunitet transatlantik ne nuk mund të tërhiqemi, ne duhet të bëjmë më shumë se vetëm të rikuperohemi, të gjithë ne", tha ai në konferencë.

Konferenca e Sigurisë Mynih 2014
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Ajo, që ne na duhet në vitin 2014, është një rilindje transatlantike, një hov i ri energjie dhe angazhimi në tri rrënjët e forcës sonë: në fuqinë tonë ekonomike, sigurinë tonë të përbashkët dhe vlerat e përbashkëta, që na mbajnë."

Se kush duhet të kujdeset për angazhimin në vendet e huaja është më pak e qartë. Gjuha e Kerrit, së paku në sipërfaqe, ishte inkluzive. “Për të përballuar sfidat e afërta dhe të largëta Amerika ka nevojë për një Evropë të fortë dhe Evropës i nevojitet një Amerikë e përkushtuar dhe e angazhuar”, tha Kerry. “Kjo do të thotë, që për asnjërin prej nesh nuk ekziston opcioni, që të kthehemi brenda vetes. Nëse drejtojmë bashkarisht, të tjerët do të na bashkohen.

Megjithë tonet pajtuese, ekspertët thonë se mesazhi ishte më se i qartë.

"Kjo „rilindje transatlantike“ ishte një mënyrë e sjellshme e të thënit, se “është koha për ju evropianët që të rritemi dhe të shihni përtej murit të shtëpisë tuaj”, thotë Nick Witney, ish diplomat britanik dhe anëtar i Këshillit Evropian për Marrëdhënet me Jashtë.

Shpenzimet për mbrojtjen pakësohen

Por çfarë do të thonë këto fjalë, kur Evropa ka kaq shumë probleme ekonomike, saqë “kthimi përbrenda" duket si një problem natyral? Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS) me qendër në Britaninë e Madhe publikoi të mërkurën (05.02.2014) studimin e tij "Military Balance", një vlerësim vjetor me interes për potencialin ushtarak botëror dhe ekonomitë e mbrojtjes. Hyrja sjell përmbledhtazi gjendjen e vështirë të Evropës: "Shpenzimet e mbrojtjes janë duke u pakësuar në vendet evropiane në një kohë, kur riorientimi të politikës së mbrojtjes së SHBA në drejtim të Azisë-Paqësorit e lëshon një pjesë më të madhe të barrës të sigurisë ndërkombëtare mbi ta, veçanërisht në rajonet delikate në fqinjësi me jugun dhe lindjen e Evropës."

"Si sillen këto në një emërues të përbashkët? Aspak, ky është konkluzioni në këtë moment", shpjegon Henrik Heidenkamp, ish këshilltar strategjik në ministrinë gjermane të Mbrojtjes dhe studjues në institutin Royal United Services, në bisedë me DW. "Fjalimi i Gauckut duhet parë si zë kritik, që të kujton, se cila duhet të jetë përgjegjësia e shtetit.“

Heidenkamp thotë se ka vetëm një rrugë për ta përmbushur vizionin e Gauckut: "Duhet punuar për bashkëpunimin në mes kombeve evropiane", thotë ai për DW. Por në moment ka një sërë masash, prioritetesh nacionale, që e bëjnë atë të vështirë.“

2014 – viti vendimtar

"Kjo do të thotë vendime të vështira", shton Heidenkamp. "Cilat pjesë të aftësive tona jemi të gatshëm të bashkojmë dhe të ndajmë? Ku jemi të gatshëm të lëshojmë sovranitetin tonë dhe ta transferojmë në nivel evropian? Kjo nënkupton edhe aftësitë industriale ushtarake.“

Stërvitje e ushtarëve të Bundesverit
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ka një sërë shenjash, që viti 2014 do të jetë një vit vendimtar për bashkëpunimin ushtarak. Misioni i NATO-s përfundon dhe takimi i organizatës në Britaninë e Madhe në shtator do të jetë një mundësi e mirë, për të menduar për misione të tilla në të ardhmen.

Witney është i mendimit, se në misionin në Afganistan ishte fjala më shumë për diplomaci, se sa për krijimin e një kombi. "Angazhimi në Afganistan ishte një udhë pa krye nga pikëpamja e të gjithë evropianëve“, thotë ai. "Secili prej nesh shkoi pa entuziazëm në zemër për të bërë diçka për të mirën e afganëve, dhe pa besuar se kjo ka të bëjë me të vërtetë diçka me sigurinë evropiane. Opinioni nuk ka qenë kurrë i bindur dhe me të drejtë. Motori lëvizës për të shkuar në Afganistan ishin marrëdhëniet me Uashingtonin".

E gjitha kjo duhet ndryshuar, thotë Witney: "Tundimi është që të fshehësh kokën nën jorgan. Pranvera arabe nuk shkoi si duhet, çfarë mund të bëjmë ne? Pak, prandaj na lini të rrimë larg. Mendoj se kjo nuk është aspak largpamëse, për një kontinent me fokuse të qarta mbi temat, si të drejtat e njeriut, demokracia dhe genocidi.

Të bëjmë për vete opinionin

Edhe pse më shumë angazhim aktiv është në interesin e të gjithë neve, problemi është të bindësh evropianët, sepse ata janë skeptikë ndaj çdo ndërhyrjeje nga jashtë. "Politikanët elitarë duhet të sjellin në agjendën e tyre politikën e sigurisë dhe mbrojtjes“, thotë Heidenkamp. "Çështjet duhen sqaruar shumë më fort se më parë.“

Por Heidenkamp thotë edhe se nuk do të ishte me mend, që të mos merreshin parasysh rezervat e opinionit: „Instrumenti ushtarak duhet të trajtohet në mënyrë shumë më efikase nga ana e qeverisë, sidomos në nivel evropian. Nëse opinioni e kupton se angazhimi në konflikte të huaja në rradhë të parë nuk është detyrë ushtarake, por një detyrë e të gjithë qeverisë, atëherë do ta kuptojë domosdoshmërinë për të ndërhyrë atje.“