1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evropa ime: Si Sizifi në Bukuresht

30 Korrik 2017

Fati i Bukureshtit lidhet me emrin e dy gjakpirësve, shkruan Catalin Dorian Florescu. Sot parada e gjakpirësve vazhdon - dhe pastërtia po bëhet si mundim Sizifi.

https://p.dw.com/p/2hND9
Bukarest - Parlamentspalast
Fotografi: picture-alliance/dpa/C. Schmidt

Në rrugët e Bukureshtit sheh brune shalëgjata që joshin me hiret e tyre meshkuj të huaj veshur me kostume të shtrenjta, edhe pastrueset e rrugëve që të armatosura me fshesa dhe kosha plehërash pastrojnë deri në orët e vona rrugët e qytetit. Ato rrugë ku në pranverë qindra-mijëra vetë protestuan për pastrimin e politikës.

Në Bukuresht jetojnë miliona vetë, dhe qyteti është plot me kontradikta, por aty duket se moti nuk ndryshon. Të paktën të hartat metereologjike në perëndim Bukureshti nuk shfaqet kurrë, po kjo nuk ka ndonjë rëndësi, sepse as koha në kryeqytetet e tjera evropiane, si në Tiranë, Sofie apo Bernë nuk duket se i intereson kujt.

Mes Drakulës dhe Çausheskut

Fati i Bukureshtit lidhet me emrin e dy gjakpirësve. I pari qe Vlad Tepes, i cili ka shërbyer si bazë për personazhin e Drakulës, dhe që ngriti në Bukuresht një kështjellë ku jetonte si princ i Vllahisë. Rrënojat e kësaj kështjelle gjenden sot në lagjen Lipscani, ku jetonin shumë tregtarë sepse qe një vend ku kryqëzohej krishtërimi me osmanizimin. 

Rumänien Parlamentsgebäude in Bukarest
Fotografi: picture-alliance/dpa/R. Ghement

Por princi komunist Çaushesku ia kaloi Vlad Tepes. Ai ngriti në të gjithë vendin kampe internimi, shpronësoi me mijëra vetë dhe ngriti jo larg kështjellës së Vlad Tepes një pallat me qindra dhoma monumentale. Çaushesku e quajti këtë pallat "Pallati i Popullit". Sot ai quhet "Pallati i Parlamentit" - një emër i madh ky për këtë akt terrori optik prej betoni dhe guri, i cili në fakt duhet hedhur në erë.

Shumë prej deputetëve që kanë zyrat e tyre aty janë akuzuar për korrupsion. Para në xhepat e tyre fusin edhe gjyqtarë, nëpunës të tjerë të shtetit apo biznesmenë. Ushunjëza të një lloji tjetër. Të korruptuar ka në të gjitha partitë, por sidomos te PSD-ja.

Rreziku për demokracinë në Rumani vjen nga e majta

Në fillim të vitit në sheshin Victoriei u mblodhën qindra-mijëra rumunë për të protestuar kundër PSD-së dhe planeve të saj. Ndryshe nga Polonia apo Hungaria rreziku për demokracinë në Rumani nuk vjen nga e djathta, por nga e majta.

Rumänien Bukarest Calea Victoriei
Fotografi: picture alliance/Arco Images

Sheshi Victoriei është dëshmi tjetër e historisë dhe arkitekturës së qytetit. Në vitin 1866 prici gjerman Carol erdhi për të parë vendin ku banonin nënshtetasit e tij të ardhshëm. Meqë rumunët nuk i besonin askujt nga radhët e veta, ata importuan pas krijimit të shtetit të tyre të ri një dinaststi të tërë mbretërore gjermane. Më pas ata importuan edhe arkitektë francezë apo gjermanë, për t'i dhënë Bukureshtit një fytyrë evropiane.

Ndërtesa të tilla si pallati mbretëror, bibliotekat, salla e koncerteve apo bankat e afruan Bukureshetin me Parisin, por fare pak.

Para se të vinte Çaushesku dhe të ngrinte ndërtesat staliniste, Bukureshti qe i mbushur me parqe dhe bulevarde elegante, që të kujtojnë Parisin. Sot në Bukuresht i ke pranë njëri-tjetrit të dy si Stalinin dhe Parisin.

Qyteti vuan nga mania e pastërtisë

Në pjesën veriore të sheshit Victoriei shtrihet një lagje me vila dhe me parqe, Dorobanti. Vilat janë ndërtuar në vitet 1920-1930 dhe janë të stileve të ndryshme. Në këtë lagje jetonin dikur Çaushesku dhe anëtarët e tjerë të nomenklaturës komuniste. Kurse sot aty jetojnë njerëzit me makina Bentley dhe gratë shalëgjata dhe të pispillosura. Kur ecën rrugëve të Dorobantit kalon nga bota e monstruozitetit komunist në Bukureshtin mondan. 

Rumänien Bukarest Universität, Universitätsplatz
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Në pjesën veriore të sheshit Victoriei shtrihet një lagje me pallate të tmerrshme prej betoni dhe parafabrikatesh. Në shumë zona të qytetit sheh se lagjet e dikurshme janë të rrethuara prej pallatesh prej betoni dhe parafabrikatesh, që duhet sikur do ta mbrojtnë, apo mbysin qytetin.

Ky qytet ka shumë fytyra, një katrahurë urbane alla Dr. Jekyll dhe Mr. Hyde.

E ndërsa parada e gjakpirësve vazhdon, biznesmenët shëtisin me Bentley dhe femrat shkojnë në palestër për të rregullar format e trupit që t'i nxjerrin më pas në parakalim. Nga ana tjetër pastrueset e rrugëve do të vazhdojnë të fshijnë plehërat e rrugëve dhe makinat e ujit do t'i spërkasin më pas rrugët që t'i pastrojnë nga pluhuri. Duket se ky qytet vuan nga mania e pastërtisë dhe mundohet çdo natë të lajë jelekun, që e bën pis ditën. Në këtë aspekt pastruesit e rrugëve në Bukuresht janë si Sizifë.

Shkrimtari Catalin Dorian Florescu, që shkruan në gjermanisht, ka lindur në Rumani dhe jeton në Zvicër prej vitit 1982. Për romanin e tij "Jakobi vendos të dashurojë", ai u nderua me Çmimin zviceran për Librin në vitin 2011.