1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Faktor bashkues - Kosova zgjedh presidenten e re, Atifete Jahjagën

Lindita Arapi8 Prill 2011

Zëvëndësdrejtoresha e përgjithshme e policisë së Kosovës, Atifete Jahjaga, u zgjodh presidente e Kosovës të enjten. Zonja Jahjaga, mori numrin e mjaftueshëm të votave që në raundin e parë të votimit.

https://p.dw.com/p/10pjA
Presidentja e re e Kosovës pranon urime
Presidentja e re e Kosovës pranon urimeFotografi: AP

Me 80 vota pro dhe asnjë kundër, Atifete Jahjaga u zgjodh të enjten në mbrëmje presidente e Kosovës. Zëvëndësdrejtoresha e përgjishthme e policisë së Kosovës, Atifete Jahjaga, ishte kandidatja konsensuale e dalë nga një marrëveshje politike ndërmjet PDK-së LDK-së dhe AKR-së. Zonja Jahjaga, mori numrin e mjaftueshëm të votave që në raundin e parë të votimit. Gjatë procesit të votimit, zonja Jahjaga, kishte si kundërkandidate Suzana Novobërdaliun, deputete e AKR-së, e cila mori vetëm 10 vota. Të pavlefshme u shpallen poashtu dhjetë vota.

Kapërcehet kriza politike në Kosovë

Presidentja e re e Kosovës Atifete Jahjaga, pasi dha betimin, u zotua se do të jetë faktor bashkues politik dhe përfaqësuese e të gjithë qytetarëve të Kosovës. “Zgjedhja ime presidente e Republikës së Kosovës, shpreh qëndrimin konsensual dhe marrëveshjen ndërmjet partive politike, parlamentare për kapërcimin e krizës politike dhe për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për të ardhmen e vendit. Duke bërë ndryshimet e nevojshme në Kushtetutën e Kosovës dhe në sistemin zgjedhor, si dhe duke caktuar një axhendë të qartë të veprimeve institucionale për tre vjetët e ardhshëm”, ka thënë Jahjaga.

Atifete Jahjaga i drejtohet Parlamentit
Atifete Jahjaga i drejtohet ParlamentitFotografi: AP

Marrëveshja e arritur ndërmjet tre partive politike PDK-LDK dhe AKR përfshin edhe pajtimin për ndryshimin e kushtetutës dhe reformimin e sistemit zgjedhor. Sipas saj presidenti në të ardhmen do të zgjidhet me vota të drejtpërdrejta. Sipas kësaj marrëveshjeje zgjedhjet presidenciale mund të mbahen pas një viti, ndërsa ato parlamentare pas dy vjet e gjysmë.

Presidentja Jahjaga, në fjalimin e parë para deputetëve, foli edhe për bisedimet Kosovë-Serbi, duke shfaqur bindjen se rajoni do t'i kthehet paqes dhe stabilitetit. “Dialogu do të ketë sukses. Pas përfundimit të tij Kosova dhe Serbia do ta kenë rrugën e qartë drejt Bashkimit Evropian, duke ndihmuar e jo duke penguar njëri tjetrin”, tha presidentja Jahjaga.

Jahjaga: Dialogu Kosovë-Serbi do të ketë sukses

Në seancën e jashtëzakonshme para se të zgjidhej presidentja Atifete Jahjaga, të vetmit që kundërshtuan kandidaturën e saj, ishin deputetët e levizjes Vetëvendosja, të cilët gjatë procesit të votimit edhe lëshuan sallën. Visar Ymeri nga kjo lëvizje, tha se zonja Jahjaga, është një person që nuk e njohin qytetarët e Kosovës dhe si e tillë ajo nuk mund të paraqes unitetin e popullit. Ymeri: “Sa i përket kandidates së propozuar për presidente dhe sa i përket koncepteve të saj politike, nuk mund të flasim aq shumë, sepse askush nuk e di se çfarë vizionesh ka ajo për shtetin e Kosovës për interesat tona kombëtare dhe shtetërore ekonomike dhe shoqërore. Atë nuk e njohin shumica e qytetarëve të vendit e si mund t'i përfaqësojë ajo këta qytetarë."

Pas zgjedhjes së presidentes së re të Kosovës, Atifete Jahjaga, me 75 vota pro, Parlamenti miratoi edhe një rezolutë, me të cilën përkrah marrëveshjen e arritur të mërkurën në mbrëmje, e cila parasheh reformat kushtetuese. Marrëveshja u mbështet nga prania ndërkombëtare në Kosovë, por u kundërshtua nga dy forca politike, Lëvizja Vetëvendosja dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat ishin përjashtuar nga bisedat për tejkalimin e situates se krijuar javën e fundit.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Lindita Arapi