1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fati i Kosovës nuk do të lidhet me përgjigjen e Serbisë

Bahri Cani13 Prill 2013

Shancet për nënshkrimin e marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës ende nuk janë shuar. Berlini nuk do të pranojë që t'i jepet Serbisë data e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE. Me Kosovën puna është ndryshe.

https://p.dw.com/p/18FS7
Bisedime Kosovë Serbi pa rezultatFotografi: picture-alliance/dpa

"Situata është e komplikuar", por fati i Kosovës nuk duhet të lidhet me atë të Serbisë dhe Prishtina mund të shpresojë sinjale pozitive në procesin e afrimit me Brukselin, edhe në qoftë se Beogradi nuk e nënshkruan marrëveshjen për veriun e Kosovës. Kështu pohojnë burimet tona në ministrinë e Jashtme në Berlin, duket shtuar se "ata nuk duan që të dëmtojnë Kosovën, në qoftë se nuk arrihet marrëveshje, sepse Kosova është treguar konstruktive në dialogun me Serbinë".

"Kosova nuk duhet të dëmtohet. Kjo nuk do të ishte fair, sepse sipas mendimit tonë, Prishtina nuk është fajtore për dështimin e dialogut. Këtë e ka thënë disa herë edhe vet zonja (Catherine) Ashton. Por ende nuk dihet se cilat do të jenë vendimet konkrete që kanë të bëjnë me Kosovën", pohojnë burimet tona në Berlin.

Dialog Belgrad-Pristina
Bisedime Kosovë Serbi pa rezultatFotografi: DW/Marina Maksimovic

Sinjale pozitive për Kosovën?

Sipas tyre, është shumë e mundur që Kosova të bëj hapa të tjerë në afrimin me Brukselin, ndërsa vendet e tjera, në këtë rast Serbia, jo. Edhe Mali i Zi është afruar me Brukselin më shumë se sa Serbia. Pra, sipas këtyre burimeve, "fati dhe rruga e ndonjë vendi në procesin e integrimeve nuk duhet të lidhet me vendet e tjera".

Megjithatë Berlini dhe Brukseli ende nuk i kanë shuar të gjitha shancet që Serbia në momentin e fundit të nënshkruajë marrëveshjen me Kosovën dhe në këtë mënyrë t'i hapë rrugën vetes për marrjen e datës së fillimit të negociatave për integrim në Bashkimin Evropian. Mediat serbe dhe disa autoritete në Beograd kanë fajësuar këto ditë pikërisht Berlinin për "një qëndrim tepër të ngurt nga Beogradit dhe Serbisë". Sipas tyre, shumë vende të BE-së janë të gatshme që Serbisë t'ia japin datën e fillimit të negociatave me BE-në, edhe pa nënshkrimin e marrëveshjes me Prishtinën.

Bundestag Reichstagsgebäude
ParlamentiFotografi: DW/K. A. Scholz

Duhet pritur edhe ca ditë

Autoritetet gjermane thonë se "duhet pritur edhe ca ditë", deri sa përfundimisht nuk dihet nëse Beogradi do të ndryshojë marrëveshjen me Prishtinën. "Por pa nënshkrimin e marrëveshjes me Prishtinën, Serbia nuk mund të shpresojë asnjë përparim në procesin e integrimeve me BE-në. Këtë e dinë shumë qartë të gjitha autoritetet vendimmarrëse në Beograd: kryeministri Ivica Daçiq, zëvendëskryeministri Aleksandar Vuçiq si dhe presidenti Tomisllav Nikoliq", thonë burimet tona.

S'ka afrim pa marrëveshje

Baronesha Chaterine Ashton dhe Komisioni Evropian do të hartojnë qëndrimet e tyre deri me 22 prill, ndërsa vendimi përfundimtar nëse Serbisë do t'i jepet data për fillimin e negociatave për integrim në Bashkimin Evropian, do të merret në qershor, nga Këshilli i Evropës dhe kryeministrat e vendeve anëtare. Por më parë me një mundësi të tillë duhet të dakordohet edhe nga parlamenti gjerman, Bundestag.

"Sipas të gjitha informatave, nuk mund të bëhet fjalë aspak për një mundësinë që Bundestagu të dakordohet me kërkesat që Serbisë t'i jepet një datë për fillimin e negociatave me BE-në, pa nënshkrimin e marrëveshjes me Prishtinën", thonë burimet tona në Berlin.