1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Festime të dinjitetshme në Gjermani

Bahri Cani28 Nëntor 2012

Shqiptarët në Gjermani kanë festuar dhe po festojnë 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Manifestimi qendror mbahet sonte në ambasadën e Shqupërisë në Berlin.

https://p.dw.com/p/16r6O
Valter Ibrahimi- ambasadori i Shqipërisë në Berlin
Valter Ibrahimi- ambasadori i Shqipërisë në BerlinFotografi: Ibrahimi

DW: Zoti ambasador, si po festohet 100-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë në Gjermani?

Valter Ibrahimi: Sigurisht që është një ngjarje shumë e veçantë dhe e shënuar për popullin shqiptar kudo që ai ndodhet, në Gjermani, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në mbarë botën. Për këtë arsye me të drejtë të gjithë festojnë. Të gjithë organizatat, të gjithë shoqatat shqiptare që janë në Gjermani në dijeninë time, kanë organizuar aktivitete të ndryshme gjatë gjithë muajit nëntor, dhe vazhdojnë edhe në pjesën e parë të muajit dhjetor. Sigurisht që ambasada mundohet të jetë në bashkëpunim me të gjitha organizatat, sepse janë me dhjetëra e dhjetëra shoqata e organizata të tilla që festojnë e gëzojnë me të drejtë këtë ngjarje të shënuar që vjen vetëm një herë në jetë. Kulmimi i këtyre aktiviteteve është pritja sonte që do të ofrohet nga ambasada e Republikës së Shqipërisë në Berlin, për zyrtarët e lartë gjermanë, deputetët, trupin diplomatik, miq të ndryshëm të institucioneve gjermane, qofshin ato federale, lokale apo private por edhe përfaqësues të shoqatave shqiptare dhe miq të Shqipërisë që janë në Gjermani. Është një atmosferë shumë festive, çdo javë ka pasur aktivitete, çdo javë njerëzit kanë festuar për këtë 100-vjetor. Por ajo që është më e rëndësishmja është se shumë miq gjermanë dhe shqiptarë nga Gjermania kanë shkuar në Shqipëri për të festuar dhe atje. Kemi përfaqësues zyrtar të palës gjermane që kanë shkuar për të marrë pjesë në festimet që organizohen në Shqipëri, po ashtu edhe përfaqësues të komunitetit shqiptar që vërtet na nderojnë me pjesëmarrjen e tyre në Shqipëri.

DW: Z. Ambasador, ju e përmendët edhe vetë që në Gjermani ka me dhjetëra organizata dhe shoqata të cilat organizojnë këto festime. Si e vlerësoni ju rolin e diapsorës shqiptare në Gjermani?

Valter Ibrahimi: Diasapora ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Ju e keni parasysh që bëhet fjalë për një komunitet shqiptar i cili vjen nga treva të ndryshme, e që mban nënshtetësi e qytetari të ndryshme. Por kjo nuk e pengon aspak që ata të ndjehen shqiptarë, të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe të kontribuojnë për shtetet e tyre, si për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë apo Malin e Zi. Pra janë qytetarë të lirë që kontribuojnë. Aktiviteti i tyre ka qenë i jashtëzakonshëm. Ata janë ndjerë si një komb, sepse janë shqiptarë dhe të gjitha aktivitetet kanë qenë të përbashkëta. Askush nuk mund t´i dallojë si qytetarë të X apo Y vendi. Në të gjitha festimet, si këtu në Gjermani apo dhe përfaqësuesi në Shqipëri, ata kanë përfaqësuar Shqipërinë, dhe kjo është më e rëndësishmja. Mendoj se kontributi i tyre ka qenë domethënës jo vetëm për këtë moment festimesh, por ka qenë domethënës gjatë gjithë periudhës, të paktën 20-vjeçare, të dy dekadave të fundit. Kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, duke ndihmuar vendet e tyre, familjet e tyre, miqtë e tyre që janë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe kudo që ata jetojnë.

DW: Ju e përmendët edhe vetë se Gjermania ka dhënë një kontribut të veçantë për shqiptarët, që nga themelimi i shtetit shqiptar por në veçanti në 20 vitet e fundit. Si e shihni rolin e Gjermanisë për popullin shqiptar?

Valter Ibrahimi: Kam një besim të patundur që roli i Gjermanisë do të vijojë të jetë shumë domethënës në përparimin e vendeve të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, Kosovën por dhe vendet e tjera ku jetojnë shqiptarë që ata të ndjehen qytetarë evropianë. Kështuqë roli i Gjermanisë është i padiskutueshëm. Është roli i një vendi të madh evropian. Roli i një vendi që gjatë ketyre dy dekadave ka kontribuar si në jetën social-ekonomikë, ashtu edhe në përmirësimin e klimës së mirëbesimit mes popujve të ndryshëm në Ballkan. Kujtoj këtu që Gjermania është një ndër donatorët më të mëdhenj të Shqipërisë dhe vetëm në këto dy dekada ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme për rimëkëmbjen ekonomike të vendit, për zhvillimin e tij, dhe për afrimin e standardeve të Shqipërisë me ato standarde që priten nga Bashkimi Evropian dhe nga organizata të tjera euro-atlantike. Kështu që besoj dhe jam optimist që ndihmat dhe kontributi i Gjermanisë do të jetë i jashtëzakonshëm.

Pra Gëzuar Festën juve dhe gjithë shqiptarëve kudo që ata ndodhen, në Gjermani, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe kudo në botë! Është një ditë e veçantë për të gjithë ne shqiptarët, prandaj le të festojmë dhe të gëzojmë sot të gjithë së bashku!