1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Detyra të mëdha, por mungojnë paratë

Nicolas Martin3 Janar 2016

Italiani Filippo Grandi është fytyra e re e organizatës së OKB-së për refugjatët, (UNHCR). Megjithë krizën më të madhe të refugjatëve nga fundi i Luftës së II Botërorë, kjo organizatë lufton me mungesën e fondeve.

https://p.dw.com/p/1HX74
Filippo Grandi
Filippo GrandiFotografi: picture-alliance/AA/C. Ozdel

Detyrë më të vështirë zor se mund të gjesh në këto kohë: Italiani Filippo Grandi është kreu i një organizate me më shumë 9300 punonjës në rreth 123 vende. Por më shumë se përgjegjësia mbi personelin, rëndon detyra e tij. Si Komisari i Lartë i OKB-së, UNHCR-së, ai duhet të kujdeset për sigurinë dhe mbijetesën e refugjatëve në të gjithë botën. Sipas statistikave numri i refugjatëve në vitin 2015 ka arritur një rekord të ri botëror, 60 milionë refugjatë.

Paraardhësi i Grandit, portugezi, Antonio Guterres, së fundmi përpiloi një listë prioritetesh. Para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Guterres kërkoi në mesin e dhjetorit një lloj “neë deal”, marrëveshje të re për shtetet fqinje të Sirisë, duke iu referuar programit ekonomik në vitet 30-të në Amerikë. Ai kërkoi që këto vende me numër të lartë refugjatësh sirianë të mbështeten më shumë financiarisht.

Guterres paralajmëroi edhe Europën nga rritja e armiqësisë kundër të huajve dhe kërkoi më shumë angazhim për refugjatët. Vala më e madhe e migracionit që nga Lufta e II Botërore dhe një Europë pa një qëndrim të qartë e të përbashkët në këtë pikë do të qëndrojnë lart në axhendën e Grandit që në fillim të mandatit të tij. Referenti për Europën i organizatës “Pro Asyl”, Karl Kopp mendon se “është një detyrë shumë e vështirë që merret përsipër nga ai”, dhe shpreson që Grandi të ndjekë gjurmët e Guterres.

Palästinensisches Kind in Flüchtlingslager in Amman Jordanien Palästinenser
Një fëmijë palestinez në kampin e refugjatëve në JordaniFotografi: AP

Përvojë e gjatë

Ish-kryeministri portugez ishte dhjetë vjet si Komisar i Lartë i UNHCR-së. Ndërsa Grandi ka hedhur hapat e karrierës brenda Kombeve të Bashkuara. Biografia e tij lexohet si kronologjia e luftës dhe konflikteve në 20 vitet e fundit: Sudan, Irak, Afgnistan, Liberi, Ruanda, Burundi – gjithmonë me mision të UNHCR-së. Në vitet e fundit, 58-vjeçari është angazhuar për refugjatët palestinezë. Nga viti 2010 deri në 2014-n, ai ka drejtuar organizatën e OKB-së për ndihmën ndaj palestinezëve. “Ne duhet të shkojmë tek njerëzit, para se ata të vijnë tek ne”, kështu e komentoi ai vizitën në një kamp palestinezësh të shkatërruar nga bombardimet, në afërsi të Damaskut në shkurt 2014. Për një kohë të gjatë banorët nuk kishin asnjë përkujdesje mjekësore, arratia mbetej zgjidhja kryesore.

Solidariteti si armë

Grand nuk është thjesht një teknokrat, por di të vendosë edhe theksin human si në një aktivitet në Universitetin e Milanos. Ish-studenti i Universitetit të Milanos, i cili studioi histori moderne dhe filozofi në këtë universitet u foli studentevë për ngjitjen e tij në karrierë. Gjatë një qëndrimi në Tajlandë Grandit i duhet të kujdesej për refugjatët nga Kamboxhia. Një vajzë e vogël vdiq në krahët e tij nga malarja. Kjo ngjarje e preku. “Para vuajtjes ka vetëm një përgjigje – solidaritet i pastër”, tha Grandi para studentëve.

Deutschland Ankunft Notfall-Flüchtlinge
Refugjatët mbërrijnë në GjermaniFotografi: picture alliance/dpa/U. Zucchi

Për këtë solidaritet ai duhet të paralajmërojë së pari donatorët ndërkombëtarë. Një nga detyrat e Komisarit të Lartë të UNHCR-së është sigurimi i fondeve. Ekziston një fond i OKB-së, por UNHCR varet shumë nga donacionet e shteteve, organizatat ndërshtetërore apo njerëzve privatë. Një nga arsyet për krizën e vazhdueshme finaciare në këtë organizatë. Në vitin 2015 UNHCR kishte vetëm 7 miliardë dollarë si buxhet. Nëse këto fonde nuk shtohen, me shumë gjasa shumë nga refugjatët do të vijnë drejt Europës. “Nga njëra anë kemi situatën dramatike të krizës së refugjatëve. Nga ana tjetër vështirë të gjesh partnerë seriozë që janë gati të angazhohen për mbrojtjen e refugjatëve”, thotë Karl Kopp nga Pro Asyl.

Konkurrencë e fortë

Në rrugën drejt postit të Komisarit të Lartë, Grandi rrëzoi konkurrentë të tjerë të rëndësishëm. Për këtë post u përfolën drejtori gjerman i programit të OKB-së për mjedisin, Achim Steiner dhe ish-kryeministrja e Danimarkës, Helle Thorning-Schmidt. Megjithatë Ban Ki Moon vendosi për Grandin. Ai ka marrë një nga postet më të rëndësishmë në hierarkinë e OKB-së. Portugezi Guterres përflitet si një kandidatët me më shumë shanse për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.