1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fillojnë takimet e komisioneve kosovaro-maqedonase për shënimin e vijë kufitare

Bekim Shehu1 Prill 2008

Së afërmi pritet njohja zyrtare e Kosovës prej Maqedonisë

https://p.dw.com/p/DZ5S
Flamuri i KosovësFotografi: picture-alliance/ dpa

Në Prishtinë takohen sot për herë të parë komisionet teknike të Maqedonisë dhe Kosovës për shënimin e vijës kufitare Kosovë-Maqedoni. Çështja e pazgjidhur e kufirit ndërmjet këtyre dy vendeve ka bërë që Shkupi zyrtar ta vonojë vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Autoritetet në Prishtinë shpresojnë tani se më fillimin e punës së komisioneve Maqednia do ta njohë shumë shpejt pavarësinë e Kosovës.


Shënimi i vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë është çështja e vetme e pazgjidhur tani për tani ndërmjet këtyre dy vendeve, e cila ka bërë që Maqedonia ta vonojë për pak kohë njohjen e pavarësisë së Kosovës, thonë analistët në Prishtinë. Autoritetet e Prishtinës dhe Shkupit nuk kanë deklaruar asnjëherë zyrtarisht se çështja e demarkacionit lidhet me njohjen e pavarësisë së Kosovës, mirëpo nga deklarimet e të dy palëve është lënë të kuptohet disa herë se kjo çështje duhet zgjidhur shumë shpejt në mënyrë që Maqedonia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Në këtë linjë, gjërat që nga sot kanë filluar të lëvizin, me takimin e parë që po zhvillohet në Prishtinë ndërmjet komisioneve teknike nga të dy vendet nën moderimin e zyrës civile ndërkombëtare. Bisedimet e komisioneve do të vazhdojnë me rotacion Prishtinë-Shkup dhe parashihet që ato të zgjasin më shumë se një vit. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaqi, tani me fillimin e punës së komisioneve për shënimin e vijës kufitare Kosovë-Maqedoni shpreson se autoritetet e Shkupit shumë shpejt do ta bëjnë publik vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

"Gjërat kanë filluar të lëvizin në drejtim të duhur. Njohja e pavarësisë së Kosovës nga autoritetet e Shkupit është punë e kryer edhe unë besojë se ata shumë shpejt do ta bëjnë publik vendimin, ndërsa Prishtina në bashkëpunim të ngushtë edhe me autoritetet e NATO-s do t'i kryej përgjegjësitë e veta në përputhje të plotë me planin e Marti Ahtisarit', thotë kryeministri Thaqi.

Plani i ndërmjetësit Marti Ahtisari njeh një marrëveshje të vitit 2001 ndërmjet Shkupit dhe Beogradit, ky autoritetet e të dy vendeve u morrën vesh që 2.500 hektarë tokë të Kosovës të kalojnë nën administrimin maqedon. Në këtë marrëveshje nuk ishte përfshirë Prishtina e as UNMIK-u, mirëpo marrrëveshjen e njohu zyra ligjore e OKB-së. Këtë marrëveshje menjëherë e pati hedhur poshtë parlamenti i Kosovës me anë të një rezolute, mirëpo tani ndryshimi është se parlamenti i Kosovës, e pranon planin e Marti Ahtisarit dhe ky plan njeh marrëveshjen e kufirit Shkup-Beograd. Autoritetet në Prishtinë asnjëherë nuk e pranojnë hapur se ata janë pajtuar që 2.500 hektarë tokë të Kosovës të kalojnë nën administrimin maqedon, mirëpo thonë se janë komisionet ato që do ta vlerësojnë gjendjen në terren dhe më pas do të merret vendimi.