1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fillon sot procesi rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës

17 Prill 2009

Prishtina zyrtare beson se ka argumente të mjaftueshme që tregojnë se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë e ligjshme. Edhe Serbia nga ana e saj, mendon se ka argumenta që tregojnë se ajo nuk ka qenë e ligjshme.

https://p.dw.com/p/HYtM
Selia e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë
Selia e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë - Më 17 prill fillon procesi rreth ligjshmërisë së pavarësisë së KosovësFotografi: picture-alliance / dpa

Prishtina zyrtare thotë se është përgatitur mirë, që të përballet me Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila do të interpretojë ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Përfaqësues politikë dhe analistë në Kosovë, thonë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, por opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, mund të ushtrojë ndikim në shtimin e numrit të njohjeve për shtetin e ri.

Në tetorin e kaluar Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, miratoi një kërkesë të Serbisë që Gjykata të japë një opinion mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Beogradi zyrtar, e cilësoi këtë si fitore diplomatike dhe shpreson të pengojë njohjet e mëtejshme të shtetit të Kosovës.

Serbët kundër pavarësisë së Kosovës
Serbët kundër pavarësisë së KosovësFotografi: AP

Zëvendësministrja e punëve të jashtme e Kosovës, Vlora Çitaku, thotë se kjo çështje është trajtuar seriozisht nga institucionet e vendit. Sipas saj, qeveria e Kosovës ka angazhuar një ekip ekspertësh të së drejtës ndërkombëtare të drejtuar nga britaniku, Majkëll Wood. “Ne besojmë plotësisht që ekipi i ekspertëve i koordinuar nga Sir Majkëll Wood, ka përdorur në përgjigjen me shkrim, që është qindra faqëshe argumenta të mjaftueshme, të cilat janë shumëdimensionale si nga këndvështrimi historik, politik dhe ai juridik," thotë Vlora Qitaku.

Sipas saj, Kosova beson në paanshmërinë e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ka një historik pozitiv në ballafaqim me gjykatat ndërkombëtare, prandaj Prishtina zyrtare beson në drejtësinë e vendimit për shpalljen e Kosovës shtet i pavarur e sovran.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës pa miratimin e KS-it, ka nxitur shumë publicistë ndërkombëtarë që të nxjerrin botime rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Marc Weller, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Kembrixhit, i cili promovi në Prishtinë librin “Pavarësia e kontestuar”, thotë se kërkesa e Serbisë drejtuar GJND-së mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, ka vonuar për një kohë të caktuar procesin e njohjes së shtetësisë së Kosovës. “Edhe nëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstaton se Kosova nuk është ende shtet, kjo nuk do të thotë se shtetësia e Kosovës do të zhduket menjëherë. Megjithatë, pozita diplomatike e Kosovës do të jetë preket ndërkombëtarisht në mënyrë domethënëse dhe jeta e saj do të bëhet edhe më e vështirë, se sa është aktualisht," thotë Marc Weller.

Kosova feston pavarësinë - Flamuj të varur në rrugë.
Kosova feston pavarësinëFotografi: DW

Përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës, presin që vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të mbështesë argumentat e shtetit serb dhe kështu sipas tyre, çështja e statusit të Kosovës të mos marrë formë finale. Megjithatë, ata shfaqin dyshime në panashmërinë e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Dragan Veliq, nga Këshilli Kombëtar i serbëve të Kosovës thotë, se "nuk mund të paragjykojmë se cili do të jetë vendimi, por shpresoj që ai të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, në bazë të argumenteve që sigurisht do të ofrojnë edhe njëraedhe tjetra palë. Sigurisht që Serbia ka argumenta të drejta dhe do të jetë vendim pozitiv - kjo është më tepër sesa e sigurt. Por, vetë vonesa rreth këtij procesi flet se mund të ketë vendim tjetër," thotë Dragan Veliq.

Analistët e pavarur nga ana e tyre, thonë se pavarësisht se opinioni i Gjykatës rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës nuk është detyrues, vetë vënia e çështjes së Kosovës para saj tashmë ka ushtruar ndikim. Lulzim Peci është analist i pavarur: “Vetë kjo ka bërë që të kemi një lloj ngadalësimi në ritmin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe në anën tjetër i tërë ky proces e ka betonuar edhe qëndrimin e pesëshes evropiane, e cila momentalisht është kundër njohjes së Kosovës,” thotë Lulzim Peci. Analisti Lulzim Peci, thotë se një vendim pozitiv për Kosovën do të ishte skenari më i mirë, ndërsa edhe një qëndrim i paanshëm nuk do të dëmtonte shumë vendin, por një opinion i mundshëm negativ do të ushtronte ndikim afatgjatë në zhvillimet në Kosovë.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama