1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Filluan negociatat për anëtarësimin e Serbisë në BE

ag/Bahri Cani21 Janar 2014

Me konferencën ndërqeveritare u shënua fillimi i procesit të negociatave, i cili do të zgjasë me vite të tëra. Ndër temat kryesore në këto negociata do të jetë edhe Kosova.

https://p.dw.com/p/1AuJm
Ivica Dacic në Bruksel21.01.2014Fotografi: Reuters

"Ky ëshë një kapitull historik", derklaroi ministri i Jashtëm grek dhe udhëheqësi i radhës i BE, Evangelos Venizelos, pas hapjes së negociatave të BE me Serbinë. Ministri i Jashtëm grek u shpreh i bindur që Serbia do t'i plotësojë kushtet për anëtarësim në BE. Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq tha se kjo është "dita më e rëndësishme në historinë e Serbisë, pas Luftës së Dytë Botërore. Daçiq theksoi se Serbia do të vazhdojë rrugën strategjike për implementimin e vlerave evropiane dhe përmirësimin e kushteve për jetë në këtë vend. Edhe komisioneri për Zgjerimin, Stefan Füle e quajti këtë si "ditë historike për Serbinë dhe BE". Ndër kushtet më të rëndësishme, sipas tij, do të jenë sektori juridik, të drejtat e njeriut, pavarësia e organeve juridike dhe rregullimi i raporteve me Prishtinën.

Füle theksoi se BE-ja do t'i japë përparësi pikërisht këtyre çështjeve, të cilat do të hapen ndër të para, por jo para vitit 2015. Gjatë këtij viti do të bëhen studime për gjendjen reale dhe do të përcaktohen gjërat që duhet të ndryshojnë. Kryeministri i Serbisë shpreson që vendi i tij "intitucionalisht të jetë gati për anëtarësim në vitin 2018". Por ekspertët thonë që negociatat me Serbinë do të zgjasin më shumë. Negociatat e Kroacisë për anëtarësim në BE kanë zgjatur gati gjashtë vjet. Ndaj nuk mund të pritet që Serbia apo ndonjë vend tjetër t'i plotësojë më shpejt kushtet për anëtarësim. Daçiq tha se populli serb "meriton të jetojë në familjen evropiane dhe se ai ka humbur tepër kohë deri në këtë ditë". Me kornizën e negociatave parashikohet vazhdimi i dialogut me Prishtinën dhe përmirësimi i qëndrueshëm i raporteve me Kosovën. Vanizelos tha se kjo mund të çojë një ditë deri tek normalizimi i plotë i raporteve dhe kjo nënkupton "që Serbia të mos pengojë Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE". "Sifdat do të jenë të mëdha, por kam besim të plotë se Serbia është në gjendje t'i plotësojë këto kushte", tha ministri i Jashtëm grek, i cili Serbisë i premtoi "mbështetje të plotë".

Në këtë takim ishte edhe zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili në konferencën e përbashkët për shtyp tha se "Serbia e di shumë mirë që para saj gjenden obligime shumë të mëdha dhe të rënda. Por ajo është plotësisht e gatshme që t'i plotësojë të gjitha kushtet e parapara"."Shumë gjëra nuk do të shikohen me sy të mirë nga populli ynë, por ne jemi të gatshëm që t'i realizojmë të gjitha detyrat dhe të shkojmë përpara drejt një ardhmërie më të mirë", theksoi Vuçiq. Në pyetjen se a do ta njohë Serbia Kosovën si shtet para anëtarësimit në BE, dhe si e komenton faktin që në dokumentin e BE kërkohet një gjë e tillë, Daçiq u përgjigj se "as BE-ja dhe as Serbia në këtë moment nuk e dijnë saktë se si do të zhvillohet kjo punë". Ai tha se as disa vende anëtare të BE nuk e njohin Kosovën si shtet dhe se kjo nuk është paraqitur deri tani si kërkesë, por vetëm normalizimi i raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit.