1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagime të dyzuara

Jannis Papadimitriu/Lindita Arapi24 Shtator 2013

Ndërsa në Greqi i tremben politikës së kursimeve të Merkelit, në Poloni, kancelarja Merkel është shumë popullore. Turqia i drejton sytë tek deputetët e rinj të Bundestagut me origjinë turke.

https://p.dw.com/p/19mvN
Angela MerkelFotografi: picture-alliance/dpa

"Një triumf për mbretëreshën e rreptësisë", kryetitullon gazeta athinase "Ta Nea" të hënën (23.09.2013): Në faqen kryesore një fotomontazh me Angela Merkelin me kurorë të ulur fronin e artë duke qeshur e lumtur. Ndërsa gazeta konservatore "Eleftheros Typos" shkruan "për një triumf" të Merkelit dhe markës gjermane". Kjo e fundit nënkupton suksesin e papritur të partisë "Alternativa për Gjermaninë", e cila u deklarua kundër eruos.

Analistët politikë grekë gjykojnë se në Berlin do të krijohet "një koalicion i madh" mes CDU-së kristiandemokratëve dhe partisë socialdemokrate, (SPD). Analisti Giorgos Tzogopoulos nga ELIAMEP mendon se nuk pritet ndonjë ndryshim kursi edhe në një rast të tillë. Megjithatë një pjesëmarrje e socialdemokratëve në koalicion do t'i jepte politikës europiane një drejtim më pozitiv, beson Tzogopoulos. Nga ana tjetër analisti grek i sheh me skepticizëm shanset për një program të rimëkëmbjes ekonomike për Greqinë dhe Europën jugore, program për të cilin kanë bërë fjalë politikanë drejtues socialdemokratë. Ky diskutim tërheq vëmendjen e mediave, por pas tij fshihet pak substancë.

Poloni: Gëzim për suksesin e Merkelit

Ndërkohë që në Greqi nuk ka ndonjë gëzim të madh për suksesin e Merkelit, në sondazhet polake, Merkeli është politikanja e huaj më popullore. Në përkim me këtë preferencë, ishin edhe titujt e gazetave polake. "Merkel e pakonkurrueshme", "Merkeli shtrysh konkurrentët", "Gruaja më e rëndësishme e botës". Kryeministri konservatoro-liberal, Donald Tusk u shpreh pas fitores së Merkelit, ai është i gëzuar që ai do të vazhdojë të bashkëpunojë me "partnerin më të besueshëm". Publicisti Piotr Buras në Këshillin Europian për Marrëdhëniet Ndërkombëtare shprehet se për Poloninë janë mjaft interesante marrëdhëniet ekonomike me Gjermaninë. Sepse nga ekonomia gjermane varet si ekonomia polake, pore dhe shpëtimi i eurozonës. Po qe se reformat do të kenë sukses, atëherë edhe Varshava do ta ketë më të lehtë futjen në eurozonë.

Merkel und Tusk und Jain in Berlin Buchvorstellung
Angela Merkel dhe kryeministri i Polonisë Donald TuskFotografi: Reuters

Turqia: Nuk pritet ndonjë ndryshim

Ndryshe nga Greqia dhe Polonia, në opinionin publik turk, diskutohet më pak për politikën dhe ekonominë, por për rolin e gjermano-tuqrve në Gjermani. Ministri turk për BE-së, Egemen Bagis twiterte pas bërjes publike të fitores së Merkelit: "Zgjedhjet që zhvillohen sot në Gjermani, paraqesin një shans për motrat dhe vëllezërit tanë, të forcojnë pozicionin e tyre në Gjermani." Pas zgjedhjeve, agjencia turke Cihan dhe gazeta Hürriyet japin lajmin. "11 deputetë me origjinë turke futen në parlamentin gjerman." Por Turqia nuk pret shumë nga një mandat i ri i Merkelit, thotë Emre Gönen, politolog nga Instituti europian i Universitit të Stambollit, Bilgi, në intervistë me Deutsche Welle-n. "Kjo lidhet me atë që Turqia nuk pret ndonjë ndryshim nën udhëheqjen e Merkelit." Kancelarja gjermane nuk ka për ta ndryshuar qëndrimin e saj refuzues për një anëtarësim të plotë të Turqisë në BE.