1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Obama Abrüstung

6 Prill 2009

Presidenti amerikan Obama mbajti në Pragë fjalimin e tij të parë publik në Evropë që prej ardhjes në detyrë. Temë kryesore ishte çarmatimi dhe ëndrra për një botë pa armë bërthamore.

https://p.dw.com/p/HRE8
Obama në PragëFotografi: picture-alliance/ dpa

Po, ai mundet! Barack Obama është me gjasa njeriu i vetëm në botë, që mund të kërkojë asgjësimin e të gjitha armëve bërthamore pa e qeshur njeri. Në sfondin e Kalasë së Pragës dhe me shumë idealizëm ai bëri reklamë për planin e tij për çarmatosje globale në përgjithësi dhe për heqjen dorë prej armëve bërthamore në veçanti.

Duke përmendur si shembull paralajmërues të mëngjesit të së njëjtës ditë presidenti i ri amerikan e paraqiti veten dhe vendin e tij si luftëtarë pararojë për një botë më paqësore. Madje njerëzit ia besojnë Obamës "detyrimin moral për të vepruar". SHBA janë deri tani fuqia e vetme bërthamore, që e ka përdorur armën bërthamore. Deri në këtë pikë nuk duhet të mbërrijë më puna, theksoi Obama.

Mos vallë fjalimi i pritur me kureshtje ishte një refuzim ndaj çdo forme dhune, siç e kishte kërkuar Jezusi para më shumë se 2000 vjetësh në Predikimin e tij të Malit? Si të thuash një version i ri si predikim kështjelle? Sigurisht, jo. Në çështjen e çarmatimit as Obama nuk mund të ecë mbi ujë, por duhet të mjaftohet me hapa të vegjël në tokë.

Në fillim të javës ai ishte marrë vesh me presidentin rus Medvedev për të reduktuar kokat shpërthyese bërthamore në të dyja anët e Atlantikut. Të paktën kaq. Deri në 2012-ën do të mbeten vetëm 1.700 deri 2.200, në vend të më shumë se 3.000, sa janë tani. Gjithashtu ai planifikon të mbajë brenda vitit të ardhshëm në SHBA një samit botëror mbi sigurinë bërthamore dhe të ketë ratifikuar deri atëherë marrëveshjen kundër provave bërthamore. Të gjithë këta hapa në drejtimin e duhur, por që duhen hedhur njëherë. Së bashku me evropianët dhe me rusët presidenti amerikan kërkon të ndalojë Iranin që të bëhet kërcënim bërthamor - një punë e vështirë përballë dallimeve politike midis anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Edhe mburoja antiraketore amerikane në Evropën Lindore i shërben si mjet frenues në drejtim të Iranit, siç theksoi Obama. Një temë e vështirë për presidentin amerikan në Pragë: 70 për qind e çekëve janë kundër bazës amerikane të radarëve në vendin e tyre.

Përballë këtij qëndrimi kritik kundrejt planeve amerikane ishte një lëvizje e zgjuar e Obamës për t'i ulur pritjet ndaj forcave të tij shpëtimprurëse. Sidoqoftë ai bëri mirë që theksoi para 20.000 spektatorëve, se nuk është kurrsesi naiv dhe që pranoi se ka të ngjarë që bota pa armë bërthamore të mos arrihet sa të jetë ai gjallë. Edhe nëse Obama arrin t'i entuziazmojë njerëzit si një Mesia i kohës së re, aq pushtet ai nuk ka!

Së paku deri tani prej njerëzve me pushtet nuk ka pasur nisma për t'u marrë seriozisht në drejtim të arritjes së një bote pa armë bërthamore - po të lëmë këtu mënjanë planet e papërcaktuara të fundit të viteve tetëdhjetë të presidentit amerikan Reagan dhe të presidentit sovjetik Gorbaçov. Në rast se përmbatja e predikimit të kështjellës të Obamës bëhet realitet, ai do të kishte bërë vërtet një mrekulli!

Autor: Susanne Henn/Elert Ajazaj

Redaktoi: Angjelina Verbica