1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Obama Rede UN

22 Shtator 2011

Fjalimi i Presidentit amerikan para Kombeve të Bashkuara nxjerr në pah zbehjen e ndikimit ndërkombëtar të SHBA-së. Obama bëri disa gabime në çështjen e konfliktit me Lindjen e Mesme.

https://p.dw.com/p/12eTT
Obama duke folur para OKB-së
Obama duke folur para OKB-sëFotografi: picture-alliance/dpa

Barack Obama është njeri optimist. Dhe kështu ai ravijëzoi edhe në fjalimin e tij para Kombeve të Bashkuara, pamjen e një bote, në të cilin "aktivitetet luftarake po pakësohen". Ai pranon se pranvera arabe ka sjellë ide demokratike, të cilat disa muaj më parë nuk i mendonte kërkush si të mundshme. Megjithatë e vërtetë është edhe se ato u zhvilluan pa ndërhyrjen e SHBA-së.   

Presidenti amerikan priti shumë gjatë, para se të shprehte mbështetjen për demonstruesit në Siri dhe Egjipt. Heshtja që shoqëroi këtë vit fjalimin e Obamës mbajtur në OKB është shumë e ndryshme nga pritja e zhurmshme e presidentit amerikan dy vjet më parë ,kur foli para Asamblesë së Përgjithshme të OKB.

Sepse është konflikti i Lindjes së Mesme, ai me të cilin ngrihen dhe bien të gjitha. Vitin e kaluar, Obama pati kthyer çështjen e paqes në Lindjen e Mesme dhe njohjen e shtetit palestinez, temë qendrore të fjalimit të tij. Në atë kohë ai tregohej optimist, se palestinezët do të pranoheshin në familjen e Kombeve të Bashkuara. Por, tani kjo është bërë më e largët se kurrë. Pas perdeve zhvillohet një luftë e ashpër diplomatike. Ajo duhet të pengojë palestinezët që të mos e bëjnë kërkesën për njohjen e shtetit të tyre dhe për anëtarësimin në OKB.

Gjetja e kompromisit - e vështirë

Një hap të tillë, theksoi Obama në fjalimin e tij, SHBA do ta bllokojë duke përdorur të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit. Për amerikanët vlen se: Pa procesin e paqes nuk duhet të ketë as shtet palestinez. Por procesi i paqes ka ngrirë prej disa muajsh. Barack Obama nuk është i vetëm fajtor për këtë. Ai ka bërë disa gabime, kur kundër këshillave të ekspertëve ka kërkuar nga Izraeli ndalimin e ndërtimit të ngulimeve - dhe dikur duhet të hiqte dorë dhe nga kjo kërkesë. Nga ana tjetër ai zgjoi tek palestinezët përshtypjen e njohjes pa rezerva të shtetit, por edhe në këtë pikë atij i duhet të tërhiqet. Me këtë manovër Obama ka humbur shumë influencë tek të dyja palët.

Tani është puna të gjendet një kompromis për Lindjen e Mesme, një zgjidhje e cila t'i lejojë presidentit palestinez Mahmud Abaz të paraqesë para OKB kërkesën për njohjen e vendit të tij, në mënyrë që të mos nxijë faqen, por edhe që të mos e bëjë nga ana tjetër të domosdoshëm votimin në Këshillin e Sigurimit, që të mos ashpërsohen frontet. Dhe që të hapë rrugën drejt bisedimeve të reja. Janë evropianët që janë duke punuar aktualisht për një zgjidhje të tillë.

Sepse amerikanët, për të cilët thuhet se janë forca vendimtare që mund të sjellë përpara konfliktin në Lindjen e Afërme, nuk janë më në gjendje për një gjë të tillë. Ata e kanë humbur peshën në parketin ndërkombëtar. 

Autor: Christina Bergmann

Redaktoi: Auron Dodi