1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

201009 EU Finanzminister

21 Tetor 2009

Shtetet e BE-së hodhën edhe një hap drejt reformimit të mbikqyrjes financiare. Ministrat e tyre të financave u morrën vesh përgjithësisht për mbikqyrjen e sistemit financiar nën ombrellën e Bankës Qendrore Evropiane.

https://p.dw.com/p/KBmM
Ministri suedez i tregut Mats Odell, dhe ai i financave Anders Borg
Ministri suedez i tregut Mats Odell, dhe ai i financave Anders BorgFotografi: AP

Njëherë lajmi i mirë: Shenjat për një rimëkëmbje ekonomike pa mbështetje nga jashtë po shtohen. Në nëntor Komisioni Evropian do të publikojë një parashikim. Në të kriza ekonomike mund të shpallet si e përfunduar. Por me këtë, thotë komisioneri i BE-së për monedhën Joaquín Almunia, duhet të marrë fund edhe koha e bërjes së borxheve: "Në qoftë se parashikimi ynë tregon, se 2001-i mund të shihet si viti i parë i një rimëkëmbjeje të qëndrueshme, atëherë ky do të ishte momenti i duhur për t'u dhënë ngadalë fund programeve koniunkturore dhe për të nisur me konsolidimin. Por kjo nuk do të thotë, se vende të veçanta nuk mund të detyrohen që të fillojnë me këtë që para 2011-ës."

Për momentin shumica e 27 shteteve anëtare nuk e respekton paktin e stabilitetit, që lejon një deficit buxhetor prej maksimumi tre për qind të produktit të brendshëm bruto. Veçanërisht irritues i duket Almunias rrethana që autoritetet greke me sa duket kanë bërë dredhi. Fillimisht u bë fjalë për një deficit prej gjashtë për qind, pak më vonë ishin papritur mbi dhjetë për qind. Komisioni e qortoi ashpër Greqinë për këto mospërputhje.

Takimi i G-8 në Romë
Takimi i G-8 në RomëFotografi: AP

Ministrat e financave donin t'i afroheshin edhe synimit të krijimit të një mbikqyrjeje financiare evropiane. Ministri suedez i financave Anders Borg, njëkohësisht kryetar i këshillit financiar, i përmblodhi kështu përshtypjet: "Kemi përjetuar një kohë shumë të vështirë parregullsie financiare dhe natyrisht që në këtë situatë duhet të forcojmë rolin e policit të trafikut."

Por se çfarë kompetencash duhet të ketë ky polic trafiku në rolin e entit mbikqyrës evropian, kjo është ende një pikë e madhe mosmarrëveshjesh. Para së gjithash Britania e Madhe me tregun më të rëndësishëm financiar evropian, Londrën, nuk do që t'i ndërhyjë në politikën e vet një qendër evropiane. Kjo temë u shty për në samitin e javës së ardhshme.

Ministrat nuk bënë siç duhet përpara as në temën e mashtrimit fiskal tejkufitar. Austria dhe Luksemburgu vunë veton kundër një marrëveshjeje të BE-së me Lihtenshtajnin, e cila synon të shmangë evazionin fiskal. Kjo sepse këto dy vende të BE-së do të detyroheshin atëherë të hiqnin dorë prej rregullave përjashtuese në shkëmbimin e informacionit. Si kjo pikë ashtu edhe financimi i mbrojtjes së klimës mbetën të pasqaruara. Krerëve të shteteve dhe të qeverive do t'u duhet të mbarojnë mjaft punë gjatë samitit.

Autor : Christoph Hasselbach / Elert Ajazaj

Redaktoi : Aida Cama