1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Franca "ndizet" nga debatet për martesat homoseksuale

Joanna Impey/Amarildo Topi16 Janar 2013

Çështja e “martesave për të gjithë” është duke shkaktuar debate të ashpra dhe protesta në Francë. Kisha Katolike dhe partitë e djatha opozititare janë mbështetëse të protestave. Ata që janë pro ligjit janë të tronditur.

https://p.dw.com/p/17KjX
Fotografi: picture-alliance/dpa

Qindra-mijra protestues pushtuan rrugët e Parisit këtë fundjavë për të kundërshtuar planet për t'u dhënë çifteve homoseksualë të drejtën të martohen dhe të adoptojnë fëmijë. Imazhet e turmës që protestonte në afërsi të Kullës Eifel janë në kontrast të plotë me paradat e shumta shumëngjyrëshe në mbështeteje të të drejtave të homoseksualëve që janë zhvilluar në shumë qytete evropiane. 

Protestuesit mbanin pankarta të tilla si "një baba, një nënë, janë elementare" dhe "jo martesave të të njëjtit seks".  Kjo e fundit është një nga arsyet kryesore se pse njerëzit po u bashkohen protestave kundër martesave të homoseksualëve, thotë Romain Burrel, i cili shkruan për revistën "Tetu", e cila i kushtohet stilit të jetesës së homoselsualëve .

"Ne nuk jemi duke folur thjesht për dy njerëz që duan të martohen, ne jemi duke folur për ato çifte që duan të rrisin fëmijë," thotë Burrel, duke shtuar se "është stresuese të shohësh 340.000 vetë që protestojnë kundër diçkaje që ti mendon se është e drejta jote." Por në të njëjtën kohë ai e di se Franca është një vend shumë katolik  dhe kisha ka qenë kundër kësaj të drejte, që në fillim kur ajo u propozua. "Sigurisht që kur dikush e kalon debatin tek fëmijët shumë njerëz mendojnë: një fëmijë ka nevojë për një nënë dhe një baba". Dhe mendoj se sa më shumë njerëz që flasin përditë në televizion me këtë argument, sigurisht që do të ndikojnë edhe tek opinioni publik. Por në të shumtën e rasteve ata nuk e dinë se si rritet një fëmijë nga një çift homoseksual dhe studimet tregojnë se ata janë po aq të lumtur sa fëmijët me prindër heteroseksualë."

Corinne Cestino und Sophie Hasslauer Homoehe in Frankreich
Çiftet e të njëjtit seks, si Corinne Cestino dhe Sophie Hasslauer kanë pasur mundësi të kryejnë bashkim civil në Francë që prej vitit 1999, por ligji nuk parashikon adoptimin e fëmijëve.Fotografi: dapd

Propozime për të ndryshuar ligjin

Debati u ndez nga propozimi i qeverisë së drejtuar nga Presidenti socialist Francois Hollande. Ligji i ri do të lejojë çiftet homoseksuale të martohen dhe të adoptojnë një fëmijë. Sidoqoftë partia tani ka bërë një hap mbrapa, për shkak të zhurmës që ështe krijuar. Ata thonë se do t'i rikthehen çështjes në muajin mars.  Marie-Fransuazë Klergo është deputete e partisë së Hollande (PS). Ajo është pro ligjit dhe e ka mbrojtur me këmbëngulje në parlamentin francez. "Ideja e martesave për të gjithë nuk do të prekë aspak martesat heteroseksuale, por ne duam t'i lejojmë edhe çiftet e seksit të njëjtë të arrijnë të njëjtat norma sociale, të njëjtat të drejta dhe të jenë të barabartë" - thotë ajo. "Është e qartë se problemi në Francë është i lidhur me kulturën historike. Unë mendoj se jemi në një shoqëri që nuk do ta pranojë realitetin e homoseksualitetit" - vazhdon Klergo.  Nëse ky plan miratohet, atëherë Franca do të jetë vendi i 12-të në botë që legalizon martesat gej.

Jo të drejta për çiftet homoseksualë

Çiftet homoseksuale kanë pasur mundësi të kryejnë bashkim civil në Francë që prej vitit 1999, por ligji nuk parashikon rritjen e fëmijëve.  Çiftet e të njëjtit seks, që duan të kenë një fëmijë duhet të shkojnë në vende të tjera, ku lejohet një gjë e tillë si në Belgjikë, Holandë ose Spanjë, ku ka ligje më liberale. Një femër, e cila e ka bërë një gjë të tillë, është Elodie Lucas, e cila ka dy fëmijë me partneren e saj femër. Lucas është themeluese e organizatës kombëtare "Les enfants de l'arc en ciel" ("Fëmijët e ylberit").

Homosexualität
Fotografi: Fotolia/carma49

Kisha Katolike arsyeja kryesore e kundërshtitmit të ligjit

Sondazhet tregojnë se shumica e popullsisë franceze nuk e ka problem martesën e çifteve homoseksualë, por janë kundër idesë që ata të krijojnë një familje. "Ka një hendek të madh në këtë çështje," - shpjegon Irene Thery, sociologe dhe drejtoreshë e EHESS, Shkollës për Studime të Avancuara në Shkencat Sociale.  Ajo thotë se ata që janë mbi 50 vjeç nuk e mbështesin idenë e martesave gej. "Franca është vend me traditë të fortë katolike dhe kisha është në gjendie të mobilizojë shumë njerëz," - shton ajo. 

Politikania socialiste Marie-Fransuazë Klergo ndan të njëjtin mendim, duke cituar Kishën Katolike si arsyen kryesore të kundërshtitmit të ligjit që lejon martesat gej. "Ndër vite kisha ka ngritur zërin kundër divorcit, kontraceptivëve dhe abortit, të cilat më pas u kthyen në avantazhe të lirisë individuale. Sot jemi në të njëjtën situatë," - përfundon Klergo.