1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Frankfurter Allgemeine: BE ende i përçarë për Kosovën

2 Gusht 2010

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës u prit me interesim të madh jo vetëm në dy shtetet që preken nga vendimi, por edhe nga Bashkimi Evropian. Por vetë BE vazhdon ende të jetë e përçarë sa i përket kësaj çështjeje.

https://p.dw.com/p/OaC1

Vetëm 22 nga 27 vendet e BE-së e kanë njohur Kosovën. Spanja, Greqia, Qipro, Sllovakia dhe Rumania vazhdojnë të refuzojnë të fillojnë marrëdhënie zyrtare me shtetin më të ri të Evropës.

Diferencat brenda BE-së mbulohen me deklarata pa përmbajtje

Këto diferenca të brendshme u dukën edhe një herë në deklaratën që bëri e Ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme, Catherine Ashton pas njoftimit të vendimit të Hagës. Zonja Ashton nuk tha asnjë fjalë për përmbajtjen e ekspertizës që e deklaroi të ligjshëm deklarimin e pavarësisë nga Prishtina. Ajo përshëndeti vetëm publikimin e saj. "Ne do e shohim me vëmendje," u tha më tej. Kjo është një fjali bosh që përdoret shpesh në diplomaci kur nuk do të thuash gjë.

Në deklaratë u theksua se tani fillon një fazë e re që drejtohet drejt së ardhmes. Dhe për të dy vendet kjo e ardhme ndodhet në BE. Me këtë frazë, BE është përpjekur edhe më parë të mbulojë ndryshimet e pikëpamjeve brenda vetes dhe të vendosë nën kontroll konfliktin midis Prishtinës dhe Beogradit. Sepse nëse të dy vendet do të bëhen një ditë anëtarë të BE-së atëherë konflikti për pavarësinë kosovare nuk do të ketë kuptim. Prandaj vitet e fundit BE është përpjekur shumë të joshë kryesisht Serbinë me afrimin në Evropë.

Shumë vetë presin që vendimi i Hagës të sjellë një valë të re njohjesh të Kosovës. Këtë shpresë ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle e shpreh me fjalët, se ekspertiza nuk do të humbasë efektin e saj. 69 vende e kanë njohur Kosovën, 55 të tjera presin ta bëjnë. Sipas diplomatëve të Brukselit shtetet që deri tani kanë refuzuar njohjen sepse gjendja e të drejtës ndërkombëtare është e paqartë, nuk janë evropiane. Me vendimin e Hagës kjo ka ndryshuar prandaj vendet e botës që nuk kanë interes të madh politik në Ballkan, lejohet të vendosin tani marrëdhënie me Prishtinën.

Frikë nga përpjekjet separatiste në vendet anëtare

Në rastin e pesë vendeve evropiane çështja është ndryshe. Ato nuk e njohin Kosovën sepse kanë frikë se kthehet në rast precedent për konfliktet e pakicave dhe separatistëve që kanë brenda vendeve të tyre. Se ku të shpien këto rezerva në politikën e brendshme e tregon Greqia. Qeveria e Athinës e quan veten zëdhënëse të Ballkanit Perëndimor në BE, e megjithatë duhet t'i kthejë shpinën shtetit më të dobët të atjeshëm.

Që këto pikëpamje të ndryshme evropiane nuk do të zgjidhen menjëherë pas vendimit të Hagës, e tregoi mbledhja e ministrave të jashtëm të BE- së që u zhvillua menjëherë pas vendimit të Hagës. Asnjë nga pesë qeveritë nuk foli në Bruksel për ndonjë njohje. Në diskutimin e shkurtër të ministrave, raportoi kryesisht zonja Ashton për bisedimet e saj të fundit me presidentin serb Boris Tadiç dhe kryeministrin kosovar Hashim Thaçi. Ajo shtoi se përfshirja e Rusisë është e rëndësishme për të shënuar përparime, sepse ndikimi i Moskës në Serbi është i njohur.

BE i interesuar për fillimin e dialogut Kosovë - Serbi

Çarë do të thotë kjo konkretisht, nuk dihet momentalisht. Në deklaratën e Ashtonit bënte pjesë fjalia se BE është e gatshme "të nxisë" procesin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit. Sipas zyrtarëve të Brukselit, kjo nuk do të thotë se zonja Ashton kërkon të aktivizohet si ndërmjetëse midis të dy palëve. Edhe udhëtime ose telefonata të saj nuk janë parashikuar. BE-ja e kufizuar nga problemet e brendshme, është duke thënë se i vlerëson bisedimet. Zonja Ashton ka marrë njoftimin e interesimit në parim të të dy palëve në fillimin e një dialogu. Pala kosovare është më e gatshme se sa pala serbe, thuhet në Bruksel.

Kështu BE mbetet besnike e linjës së saj, të bëjë një hark të madh sa i përket çështjes së Kosovës në vend që të përpiqet me hapa praktikë të zvogëlojë tensionet në Fushë Kosovë. Pjesë e kësaj është misioni Eulex me 2700 vetë që ndihmon autoritetet kosovare në ndërtimin e shtetit. Në këtë mision kanë marrë pjesë që nga fillimi edhe vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Aktualisht 26 nga 27 vendet pjesëmarrëse kanë dërguar njerëz në Kosovë. Rumania ka me 195 vetë kontigjentin më të madh të Eulex-it. Vetëm Qipro nuk ka dërguar deri tani kërkënd.

Marrë nga "Frankfurter Allgemeine Zeitung", 02.08.2010

Përmblodhi: Aida Cama

Redaktoi: Eliana Xhani