1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

“Fryma e re Demokratike” - gjasat për sukses

8 Maj 2012

Në Shqipëri sapo është formuar “Fryma e re Demokratike”, parti e qendrës së djathtë. Kryetari i grupit nismëtar, Gazmend Oketa thotë për DW se partia synon të zgjidhë çështjen e pronave dhe t’i kthejë politikës moralin.

https://p.dw.com/p/14rt6
Emblema e partisë së re FRD
Emblema e partisë së re FRDFotografi: Ani Ruci

Krijimi i një partie te re, kur afrohen zgjedhjet parlamentare të radhës, është një dukuri e zakonshme edhe në Shqipëri. Ajo që e dallon rastin e partisë ”Fryma e Re Demokratike” është dalja publike jo e një individi te pakënaqur ose refomator, por e një grupi ish- deputetësh të PD dhe ish-anëtarësh të kabinetit Berisha duke përfshirë këtu edhe kreun e shtetit, Presidentin Bamir Topi. Ky i fundit ka deklaruar pjesëmarrjen në këtë parti pas përfundimit të mandatit presidencial, në korrik të këtij viti.Çfarë synon partia FRD?

“E morëm këtë inisiativë për të sjellë një risi në skenën politike të Shqipërisë, për të ofruar një model ndryshe të të bërit politikë. Së pari për t'i kthyer moralin e humbur politikës dhe treguar qytetarëve shqiptarë që politika bëhet edhe ndryshe duke qënë i ndershëm dhe korrekt. Më tej, “Fryma e Re Demokratike” synon forcimin e shtetit, zbatimin rigoroz të ligjit, interesat e qytetareve dhe jo interesat partiake,” thotë Gazmend Oketa, kryetar i grupit nismëtar të krijimit të kësaj partie

Korrupsioni - sëmundja e rëndë në qeverisjen e PD

Modeli politik që partia e sapoformuar kërkon të ndjekë duket se kërkon t'i kundërvihet modelit qe ka funksionuar deri tani në politikën e Tiranës dhe që është kritikuar rëndë nga politikanë drejtues të BE: model i karakterizuar nga konflikti dhe gjenerim i krizave të gjata politike. Por ky synim ka në themel të tij zhgënjimin nga PD, nga forca politike, së cilës deri dje i përkisnin.

“ Partia Demokratike ka devijuar nga programi qeverisës në fillim në vitin 2005 dhe më pas në vitin 2009, nga ajo që u premtuam qytetarëve. Erdhëm në pushtet më 2005 me premtimin se do të qeverisnim me “duar të pastra”, por për fat të keq ky është një premtim krejtësisht i pambajtur, ka një korrupsion masiv dhe më e keqja vazhdon që korrupsioni të mos ndëshkohet. Ne kërkojmë një shtet, ku qytetarët janë të barabartë para ligjit, ku shtetit funksionon dhe nuk dorëzohet, ku secili institucion bën punën e tij dhe nuk ndërhyn në kompetencat që Kushtetuta u jep institucioneve të tjera,”thotë Oketa.

Instalimi i frymës së dialogut dhe kompromisit në vend të konfrontimit dhe krizave politike përbën një synim tjetër të madh te partisë “Fryma e Re Demokratike”.

Zgjidhja e çështjes së pronës- prioritet numër 1

Programi dhe platforma ideologjike e partisë së re është në përputhje me profilin e saj si parti e qendrës së djathtë. Prioritet në këtë program është kthim i pronës tek pronari ligjshëm, që asnjëra nga dy forcat kryesore PD –PS, që në Shqiperi bëjnë rotacionin e pushtetit nuk e kanë realizuar.

“ Pa zgjidhur çështjen e pronave, pa pronë të stabilizuar -të vjetër apo të re –progresi ekonomik i një vendi është pothuaj i pamundur. Ky është edhe dështimi më i madh politik i gjithë klasës politike të Shqipërisë,” thotë Oketa.

Sfida kryesore- koalicioni me qytetarët

Fryma e re Demokratike synon me programin e saj shtresat e mesme të shoqërisë shqiptare, shtresat që në çdo vend janë ato që sjellin ndryshimin progresiv.

“ Kjo shtresë është krijuar me mund dhe me djersë në këo 20 vite të tranzicionit të Shqipërisë, që për fat të keq duket sikur nuk do t' i vijë kurrë fundi. Shtresat e mesme nuk gjejnë përfaqësim tek dy forcat kryesore politike PD- PS, që u themeluan para se kjo shtresë të lindte,” vë në dukje Oketa.

Gazmend Oketa, kryetar i Grupit Nismëtar të FRD
Gazmend Oketa, kryetar i Grupit Nismëtar të FRDFotografi: DW/A. Ruci

Aleancat dhe koalicionin më të qëndrueshëm për të realizuar programin e saj FRD e sheh tek qytetarët. “ Për të bërë të mundur që qytetarët të jenë pjesë aktive e forcës sonë politike, që zëri i tyre të dëgjohet , për një politikë ndryshe, që nuk i ka qytetarët në qëndër të vëmendjes vetëm në kohë fushatash elektorale . Kjo është edhe sfida kryesore: sa do të jemi në gjendje që këtë shkëndijë shprese për një politikë ndryshe ta kthejmë në realitet dhe sjellim ndryshimin e shumëpritur nga qytetarët,” thekson Oketa.

Gjasat për sukses?

Viti i zgjedhjeve parlamentare të radhës , ku FRD do të garojë për herë të parë nuk është larg. Nëse në harkun kohor të një viti kjo forcë politike do të arrijë të mbledhë rreth vetes të pakënaqurit në spektrin e djathtë dhe shtresat e mesme ka gjasa që të zërë vend në Parlamentin që do të dalë nga zgjedhjet e vitit 2013.

Me krijimin e FRD ndodh çarja dyte e rrezikshme në partinë mëmë, PD, pas asaj në vitin 1999, që kreu lëvizja reformatore e kryesuar nga Genc Pollo. Gjashtë vjet me vone, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, partia e Pollos, Partia Demokratike e Refomuar, u përfshi ne koalicionin e djathtë të kryesuar nga PD , mori pjesë në qeverinë e dalë nga ato zgjedhje dhe u shkri me PD para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009.

Autor: Ani Ruci/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi