1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fundi i Shtatorit, fundi i strukturave paralele serbe?

Bekim Shehu / Prishtinë4 Shtator 2013

Qeveria e Kosovës pret që deri në fund të këtij muaji të bëhet shuarja e të gjitha strukturave paralele serbe dhe integrimi i plotë i tyre sipas ligjeve të Kosovës. Tashmë janë mbyllur nëntë zyra të MUP-i serb.

https://p.dw.com/p/19brJ
Fotografi: DW/R. Alija

Fundi i muajit shtator duhet të shënojë edhe fundin e funksionimit të strukturave paralele serbe në Kosovë. Kështu thuhet në marrëveshjen e 19 prillit të nënshkruar ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq. Driton Lajqi, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit në qeverinë e Kosovës, i tha DW-së se deri në fund të muajit shtator ka një dakordim që të mbyllen zyrat e strukturave paralele. “Ne presim që deri në fund të këtij muaji të bëhet shuarja e të gjitha strukturave paralele serbe dhe integrim të plotë të pjesës veriore sipas ligjeve të Kosovës”, thotë Driton Lajqi.

Në foto, Driton Lajqi
Në foto, Driton LajqiFotografi: DW

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës thonë se ka tendenca nga ana e Beogradit që të ketë një shtyrje të afatit për shuarjen e të gjitha strukturave paralele në Kosovë, por, ata shprehen optimist se integrimi i pjesës veriore do të ndodhë.

Nëntë zyra të MUP-it serb tashmë janë mbyllur

Zyrtarë të policisë së Kosovës, nga ana e tyre thonë se zyrat e ministrisë së punëve të brendshme të Serbisë “MUP”, tashmë janë mbyllur të gjitha. Këtë e konfirmoi për DW-në, zëdhënësi i policisë së Kosovës, Brahim Sadriu. “Bazuar në informacionet tona dhe të grupit për verifikim, të gjitha zyrat operative të policisë që kanë qenë, janë mbyllur dhe nuk funksionojnë më”. Në veri të Kosovës sipas zëdhënësit Brahim Sadriu, kanë funksionuar nëntë zyra të policisë së Serbisë.

Sa i përket zyrave tjera të strukturave paralele, zëdhënësi Sadriu thotë se mbyllja e tyre do të bëhet gradualisht sipas planit për integrimin e pjesës veriore të Kosovës.

Strukturat e sigurisë vetëm do të ndërrojnë formën e veprimit

Ekspertët e çështjeve të sigurisë, nuk janë të bindur se strukturat paralele serbe në veri do të shuhen tërësisht. Florian Qehaja, nga Instituti “Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë”, i tha DW-së se strukturat paralele serbe të sigurisë mund të veprojnë në forma të ndryshme. “Konsideroj se nuk mund të pritet shpërbërje e tërësishme e këtyre strukturave duke pasur parasysh se shteti serb ka ngulitur praninë e strukturave të sigurisë në radhët e individëve dhe akterëve të caktuar, të cilët do të vazhdojnë të shërbejnë, mirëpo tashmë në një formë tjetër. Kjo formë do të jetë dukshëm më pak e kushtueshme (se sa ajo ekzistuesja) për arsye se këta individë do të kryejnë këto detyra paralelisht me punët tjera të zakonshme”, thotë Florian Qehaja.

Në foto, Florian Qehaja
Në foto, Florian QehajaFotografi: DW/B. Shehu

Ai përmend “praninë e inteligjencës civile serbe (BIA) dhe inteligjencës ushtarake (VBA)”, të cilat sipas tij do të vazhdojnë të funksionojnë. “Mos të harrojmë edhe prezencën e formacionit "Mbrojtja Civile" ku nuk dihet qartë se a do të shpërbëhet. Ekzistenca e tyre si një formacion do të vazhdoj të sfidojë autoritetin e institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare në veri”, thotë Florian Qehaja.

Sidoqoftë, strukturat paralele serbe të sigurisë tash për tash po vazhdojnë të funksionojnë në veri të Kosovës. Më të dukshëm janë në ruajtje të barrikadës kryesore mbi Lumin Ibër në Mitrovicë.

Në foto, Volker Halbauer
Në foto, Volker HalbauerFotografi: Nato

Barrikadat në veri së shpejti do ta humbin vlerën

Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman, Volker Halbauer, i cili të premten lë detyrën e komandantit të KFOR-it, tha në një konferencë për media se “me zhvillimin e dialogut do t'u humb vlera barrikadave. “Barrikada në urë me siguri do të largohet. Por duhet të shohim këtë bllokadë nga një perspektivë tjetër. Për sa e kuptoj unë kjo ka një simbolikë politike dhe simbolizon njëfarë rezistence të zhvillimeve politike për njerëzit në veri nga pikëpamja e tyre. Dhe pasi që kemi parë dialogun politik dhe proceset politike, mendoj që bllokada në veri do të humb vlerën”, tha gjenerali gjerman në konferencën e fundit për media në cilësinë e komandantit të KFOR-it. Atë do ta zëvendësojë të premten një gjeneral italian, Salvatore Farina.