1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fundja kurrë nuk i dihet, se çfarë mund të ndodhë

24 Janar 2009

Shtypi gjerman i ditës komenton frikën që kanë shkaktuar në Moskë vrasjet politike, krizën ekonomike dhe mbylljen e burgut të Guantanamos.

https://p.dw.com/p/GfIU
Njerëzit ndahen nga Stanislav Markelov, Moskë 23 janar 2009
Njerëzit ndahen nga Stanislav Markelov, Moskë 23 janar 2009

"Badische Neue Nachrichten" për vrasjet me motive politike në Moskë:

"Fara e frikës, që është mbjellur nga vrasjet e shumta politike në Rusi, ka zënë më së miri. Gjithnjë e më pak gazeta në Rusi guxojnë ta kritikojnë hapur sistemin. Televizioni i kontrolluar nga shteti është kthyer prej kohësh në raportues të qeverisë si në kohën e Bashkimit Sovjetik. Dhe gjithnjë e më pak qytetarë kanë guximin, të dalin në demonstratë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre. Sepse fundja kurrë nuk i dihet, se çfarë mund të ndodhë."

"Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan për krizën bankare:

"Operacionet e shpëtimit nuk kanë sjellë për fat të keq suksesin e dëshëruar. Me miliardat e fiskut bankat mbushin vrimat më të këqija, por akoma më shpejt shtohen humbjet, ndërsa nga sipërmarrjet dëgjohen gjithnjë e më fort ankesa për kufizime gjithnjë e më të mëdha në dhënien e kredive. Siç duket bankat nuk i ndihmon dot vetëm me para. Duhen marrë seriozisht procedurimet e bilanceve dhe rregullat e mbikqyrjes së bankave. Është krijuar një rreth vicioz: Shitjet e shpejta nga halli të letrave me vlerë ndikojnë te çmimi, kjo çon në shvlerësime të reja, prej të cilave pakësohet kapitali vetjak, që imponon shitje të tjera nga nevoja. Kësaj krizë qeveria duhet t´i japë fund. Atëherë nuk ka për të patur nevojë që të marrë mbi vete rreziqet e bankave mendjelehta."

"Westfälischer Anzeiger" që del në Hamm shkruan për mbylljen e kampit Guantanamo:

"Sigurisht që mbyllja e Guantanamos shtron pyetje, të cilave nuk u gjen përgjigje duke treguar padrejtësinë dhe autorësinë e qeverisë Bush. Jo pak prej të 245 të burgosurve, sipas konfirmimit të amerikanëve, janë të pafajshëm, megjithatë disa do të rrezikoheshin nga burgu dhe biles tortura po të ktheheshin në vendlindjen e tyre. Administrata e Barack Obamës do të ballafaqohet hapur me këtë problem. Këtë do t´ia kalojë edhe të tjerëve, kur pas një peshimi të thellë të jetë e bindur se i duhet ndihmë. Atëherë partnerja Gjermani duhet të jetë e përgatitur; por puna përgatitore për këtë rast bëhet pas kuintave.

(ACA)