1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

240311 EU Flüchtlinge

24 Mars 2011

Aktualisht në Lampeduza qëndrojnë rreth 4500 refugjatë ilegalë, një e treta e tyre nuk ka asnjë trajtim, shumica duhet ta kalojnë natën pa një batanije përjashta.

https://p.dw.com/p/10giU
LampeduzaFotografi: DW / Petersmann

Gjithnjë e më shumë banorë të Lampeduzës po e shohin me sy gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen refugjatët ilegalë, dhe po bëjnë atë që nuk e bën qeveria italiane: Ata ndihmojnë vullnetarisht, siç bën edhe Paolo di Benedetto, i cili ka marrë tre tunizianë në shtëpi dhe i ka ofruar organizatave humanitare oborrin e vet.

Flash-Galerie Italien Lampedusa Flüchtlinge
LampeduzaFotografi: picture-alliance/dpa

"Besoj te zoti dhe për këtë e bëj, gjë që mund ta bënte çdo i krishterë! Mund të ofroj disa krevatë dhe një copë tokë nga oborri im. Ambienti është i pastër, madje mund të ngrihet edhe një çadër, për fëmijë apo të rritur, për të gjithë ata që kanë nevojë."

Në qendrën katolike janë sjellë qindra emigrantë. Caritas ka organizuar edhe një aksion për të mbledhur veshmbathje. Don Baldo Raina:

"Njerëzit janë të gatshëm të ndihmojnë. Ata kanë treguar një zemërgjerësi të padëgjuar më parë. Para disa ditësh bëmë një thirrje, dhe tanimë mund të shpërndajmë rrobat, sidomos tek refugjatët që flenë jashtë në port dhe nuk janë stabilizuar nëpër kampe."

Por edhe Don Raina thotë: Po vijnë shumë vetë, gjendja në rajon nuk mund të zotërohet më.

"Ndoshta ata që kanë të drejtën e vendimmarrjes duhet të vijnë të kalojnë disa orë në Lampeduza. Kjo do gjë t'ju bënte mirë për të kuptuar se këtu kemi të bëjmë me një emergjencë humanitare."

Një emergjencë që sjell edhe probleme të tjera për Lampeduzën. Supermarketet në qytet janë mbyllur dhe i lejojnë klientët të futen vetëm njëri pas tjetrit. Matia Salvatore sqaron pse:

"Është masa e madhe e njerëzve që e bën situatën të padurueshme. Nuk ka të bëjë me atë që nuk duam t'u shërbejmë njerëzve. Ne thjesht nuk kemi mundësi t'i vëzhgojmë të gjithë, sepse jo të gjithë i respektojnë rregullat."

Flash-Galerie Italien Tunesien Flüchtlingsstrom nach Lampedusa Zaun
LampeduzaFotografi: picture alliance/dpa

Ndërkohë një numër i madh opozitarësh dhe organizatash humanitare e kanë kritikuar hapur sjelljen e qeverisë italiane dhe kushtet e padurueshme, në të cilat ndodhen refugjatët ilegalë. Federica Bertolin nga organizata "Save the children" që kujdeset për 230 minorenë, thotë se ajo që mungon është një plan.

"Minorenët dërgohen në kampet e Sicilisë, të përshtatshëm për këtë moshë. Këto kampe tani janë plot. Por ne e dimë që në Itali ka shumë vende të lira. Disa qendra madje janë gati bosh. Shpërndarja duhet të organizohet në mënyrë të arsyeshme."

Po të shohësh Lampeduzën momentalisht, vetëm fjalët "e arsyeshme dhe "organizim" nuk të bien ndërmend.

Autor: Stefan Troendle/ Lindita Arapi

Redaktoi: Aida Cama