1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Garë kokë më kokë në Renaninë Veriore-Vestfali

10 Maj 2010

Pas zgjedhjeve për parlamentin e ri të landit NRW një gjë është e sigurt, koalicioni i deritanishëm në pushtet mes kristiandemokratëve dhe liberalëve nën drejtimin e kryeministrit Jürgen Rüttgers i humbi zgjedhjet.

https://p.dw.com/p/NJyS
Pllakate elektorale në NRW
Pllakate elektorale në NRWFotografi: picture alliance/dpa

Rreth 13,5 milionë qytetarë me të drejtë vote ishin ftuar këtë këtë të dielë për të zgjedhur parlamentin e ri të landit të Renanisë Veriore-Vestfalisë (NRW). Dhe ato përfunduan sikurse edhe pritej.

Ndërsa socialdemokratët mund të shpresojnë se pas pesë vjetësh në opozitë do të rikthehen në pushtet në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë, landin federal me numrin më të madh të popullsisë në Gjermani, partia kristiandemokrate CDU humbi në këto zgjedhje rreth 10% të votave në krahasim me zgjedhjet e mëparshme. Ekologjistët arritën thuajse të dyfishojnë përqindjen e votave në krahasim me vitin 2005, kurse partia liberale pësoi një humbje të fortë. Me rreth 6,0% të votave për herë të parë në parlamentin e landit NRW do të përfaqësohet edhe partia E Majta. Zgjedhjet në landin NRW çojnë edhe në ndryshimin e raporteve të shumicës në Këshillin Federal, gjë që mund të rrezikojë miratimin e projekteve për reforma të rëndësishme të qeverisë së koalicionit mes kristiandemokratëve dhe liberalëve.

Kryeministri i landit NRW Jürgen Rüttgers (CDU) pranon humbjen
Kryeministri i landit NRW Jürgen Rüttgers (CDU) pranon humbjenFotografi: AP


Duke pranuar humbjen kryeministri i landit NRW Jürgen Rüttgers (CDU) tha në Dyseldorf: "Kjo natë pas votimeve është si për partinë demokristiane në landin Nordrhein-Westfalen, edhe për mua personalisht një natë e hidhur. Kjo sidomos për faktin se ne e zhvilluam këtë fushatë elektorale me bindjen e plotë se në pesë vjetë qeverisje kemi zhvilluar një punë të mirë për qytetarët e NRW-së."

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (SPD), Sigmar Gabriel, mendon se fitorja e socialdemokratëve dhe të gjelbërve në landin NRW do të ketë ndikim edhe në raportet e votave dhe të shumicës në rang federate.

"Në landin NRW u rrëzua sistemi Rüttgers. Koalicioni nuk e ka më shumicën as në federatë", tha Gabriel i shoqëruar me duartrokitjet entuziaste të pasuesve të SPD-së që ishin mbledhur në selinë qendrore të kësaj partie në Berlin.

Flash-Galerie NRW Wahl
Gëzim në BerlinFotografi: AP

"Kjo nuk është vetëm një ditë mbarë për landin NRW, por edhe për të gjithë Gjermaninë, sepse të gjitha anketimet, edhe ato pas zgjedhjeve tregojnë, se njerëzit donin t'i thonin stop politikës antipopullore të Merkelit dhe të Westerwelles, me dhurata fiskale të pamundshme për t'u realizuar dhe që bien në kurriz të qyteteve dhe të komunave, me rikthim në energjinë bërthamore. Një ditë e mbarë për Gjermaninë që zgjedhësit e NRW-së thanë me votën e tyre se nuk duan të jetojnë në këtë mënyrë."

Sipas komentatorëve të shtypit gjerman votimet në landin NRW u kthyen në një mocion mosbesimi ndaj kancelares Angela Merkel. Edhe pse pasojat përfundimtare të këtyre zgjedhjeve nuk mund të përcaktohen ende, një gjë është e qartë: duke filluar nga dita e sotme socialdemokratët janë përmes votës në Këshillin Federal sërish në pushtet në Berlin.

Autor: Pandeli Pani

Redaktoi: Elert Ajazaj