1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gauck - 100 ditë si president

Esat Ahmeti25 Qershor 2012

100 ditë ka kaluar Joachim Gauck në postin e presidentit. Ai pasoi në këtë post Christian Wulff-in, i cili dha dorëheqjen pas një afere financiare. Mediat e stilizojnë Gauck-un si presidentin e zemrës.

https://p.dw.com/p/15L4X
Joachim Gauck, presideenti gjerman
Joachim Gauck, presideenti gjermanFotografi: dapd

Për 100 ditë tema e tij e jetës është po ashtu edhe deviza e një kombi të tërë. Presidenti aktual Joachim Gauck u desh që si aktivist i të drejtave të njeriut të luftojë për liritë politike. Nuk është çudi që pastori 72-vjeçar evangjelist nga Rostoku tani flet kaq shumë për fatin e lirisë por edhe për përgjegjësinë që rezulton prej saj. Dhe kjo vërehet edhe tek njerëzit: nga një sondazh i Forsa -s i kryer për revistën "Stern", rezulton se 78 për qind e gjermanëve janë të kënaqur me punën e deritanishme të presidentit Gauck, 26 për qind të tyre bile janë shumë të kënaqur. Vetëm nëntë përqind thonë se e ndjejnë veten të përfaqësuar dobët.

Sa e rëndësishme është liria?

Një valë entuziazmi, e cila gëzon para së gjithash ata që e ngritën Joachim Gauckun si kandidat mbipartiak në postin më të lartë shtetëror në vend. Në masë të madhe këtu kanë qenë pjesëmarrës liberalët, të cilët së bashku me opozitën detyruan kancelaren Angela Merkel (CDU) për nominimin e Gauck-ut. "Ne nuk kemi dyshuar për asnjë sekondë të vetme në vendimin tonë", thotë edhe Jörg van Essen, sekretar i përgjithshëm parlamentar i Partisë Liberale (FDP). Angazhimi i Gauck-ut për lirinë, të cilin ai përsërit pandërprerë është balsam për liberalët, të cilët e shohin partinë e tyre si parti të lirisë, por vlerat e sondazheve për të kanë rënë në nivel shumë të ulët. "Është me rëndësi që presidenti na e kujton gjithmonë se çfarë rëndësie ka për ne tema e lirisë", thotë van Essen.

Albrecht Müllerm, autori i librit "Presidenti i gabuar"
Albrecht Müllerm, autori i librit "Presidenti i gabuar"Fotografi: privat

Publicisti Albrecht Müller, autor i librit për Gauck-un "Presidenti i gabuar", i kundërvihet këtij qëndrimi. Gauck deri tani është kujdesur vetëm për lirinë e atyre që fitojnë mirë, por jo edhe për bazën ekonomike edhe të atyre me të ardhura të ulëta. "Cila është liria e të rinjve në landin e Pomerani-Mecklenburgut, të cilët nuk gjejnë punë atje dhe u duhet që të dielën në mbrëmje të udhëtojnë për në Mynih ndërsa të premten sërish prapa për në shtëpi", pyet Müller,  ish-kreu i zyrës së kancelarisë nën kancelarin Willy Brandt. "Presidenti im duhet ta kuptojë që sot ka rreth tetë milionë njerëz në Gjermani që jetojnë në kushte të tilla ekonomike dhe shoqërore që kufizojnë de-facto lirinë e tyre."

Joachim Gauck dhe Benjamin Netanjahu, kryeministri izraelit
Joachim Gauck dhe Benjamin Netanjahu, kryeministri izraelitFotografi: picture alliance / dpa

Lëvdata për prezantimin e Gauck-ut jashtë Gjermanisë

Ndërkohë që brenda vendit Gauck pjesërisht ka korrur herë-herë kritika për punën e tij, për paraqitjet e tij jashtë shteti ai vetëm është lavdëruar, pa marrë parasysh se në cilin stacion të vizitës së tij: në Poloni, Belgjikë, Holandë, Izrael apo Suedi. Vizita e parë zyrtare e Gauck-ut në Poloni është vlerësuar si  fillim edhe më i mirë i marrëdhënieve dypalëshe. Vizita e tij në Izrael dhe Palestinë pati zgjuar kureshtje të madhe të mediave. "Presidenti zhvilloi me sensibilitet të madh këtë vizitë dhe unë besoj që me këtë rast fitoi shumë miq të rinj për Gjermaninë në Izrael", thekson Jörg van Essen.

Përveç kësaj, presidenti ndërmori edhe një hap diplomatik, kur në prag të Kampionatit Evropian të Futbollit shmangu një vizitë në vendin nikoqir të kampionatit, Ukrainë. Në këtë mënyrë ai protestoi kundër kushteve, në të cilat mbahej në burg ish-kryeministrja e Ukrainës, Julia Timoshenko.