1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gauck bën betimin si president i ri i Gjermanisë

23 Mars 2012

Joachim Gauck ka bërë betimin si presidenti i 11-të i Gjermanisë. Në përfundim, ai mbajti fjalimin e tij të parë programatik si kryetar shteti.

https://p.dw.com/p/14Pl9
Fotografi: Reuters

Në një seancë të përbashkët të dhomës së ulët dhe asaj të lartë të parlamentit në Berlin Joachim Gauck, ish-veprimtar për të drejtat qytetare nga Republika Demokratike Gjermane, sot 72-vjeçar, bëri betimin sipas formulimit fetar si presidenti i 11-të i Republikës Federale Gjermane. Ish-prifti evangjelist u zgjodh të dielën që shkoi me shumicë përtejpartiake si pasardhës i Christian Wulff-it, i cili pati dhënë dorëheqjen. Më pas ai mbajti një fjalim programatik.

Vendi i mrekullisë demokratike

Në fjalimin e tij, Gauck u bëri thirrje njerëzve për optimizëm për të ardhmen. "Frikërat e pakësojnë guximin tonë sikurse vetëbesimin tonë", tha presidenti. Ndonjëherë në mënyrë aq vendimtare saqë këto të dyja mund t'i humbasim tërësisht" vijoi Gauck. Presidenti i ri Joachim Gauck cilësoi Gjermaninë si "vend të mrekullisë demokratike". Përkundër gjithë skepticizmit Gjermania pas tmerrit të Luftës II Botërore ka mundur të vendosë një rend demokratik të qëndrueshëm, tha ai. Në këtë kuadër, ai lavdëroi edhe lëvizjen e ashtuquajtur të 1968-s në Gjermaninë Perëndimore dhe aspiratën e qytetarëve për liri në Gjermaninë Lindore.

Në foto, presidenti i ri gjerman Joachim Gauck
Në foto, presidenti i ri gjerman Joachim GauckFotografi: dapd

Në lidhje me larminë e qytetarëve të sotëm të vendit presidenti ri tha: "Ndërkohë jetojmë në një shtet, në të cilin pranë traditës krejt të vetëkuptueshme gjermanofone dhe të krishterë kanë hyrë besime si ai islam, edhe gjuhë të tjera, tradita dhe kultura të tjera (në të cilën shteti mund të përkufizohet gjithnjë e më pak nëpërmjet përkatësisë kombëtare të shtetasve të vet, po nëpërmjet përkatësisë në një bashkësi vlerash politike dhe etike). Në të cilin komuniteti nuk përcaktohet vetëm nëpërmjet fatit të përbashkët të krijuar për një kohë të gjatë, po sa vjen e më shumë nëpërmjet synimit të njerëzve të ndryshëm për përbashkësinë. "

Liria është kusht i domosdoshëm për drejtësi

Në fjalimin e tij të parë Gauck theksoi edhe lidhjen midis lirisë dhe drejtësisë. Liria është kusht i domosdoshëm për drejtësi, tha ai. Anasjelltas, përpjekja për drejtësi është e domosdoshme për ruajtjen e lirisë. Në të njëjtën kohë presidenti i ri përqafoi hapur kauzën e Evropës. Gauck risolli në kujtesë një citat të pacifistit indian Mahatma Gandhi, sipas të cilit vetëm një njeri me vetëbesim mund të bëjë progres dhe të ketë sukses.

Gauck u përshëndetet me nderime ushtarake nga Bundeswehri
Gauck u përshëndetet me nderime ushtarake nga BundeswehriFotografi: dapd

Në përfundim, Gauck u përshëndetet me nderime ushtarake nga Bundeswehri në parkun e kështjellës Bellevue, selinë e tij. Udhëtimi i parë jashtë vendit e çon presidentin javën e ardhshme në Poloni, ku do të takohet edhe me homologun e tij Komorowski.

Autor: Elert Ajazaj

Redaktoi: Esat Ahmeti