1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gauck: "Jemi solidarë me grekët"

exh (dpa, afp)6 Mars 2014

Presidenti i Gjermanisë Joachim Gauck gjatë vizitës shtetërore në Athinë mbështet kursin e reformave në Greqi. Vizitën e tij ai e sheh edhe si vlerësim të përpjekjeve të deritanishme për kapërcimin e krizës financiare.

https://p.dw.com/p/1BLGb
Gauck dhe Papulias në konferencën për shtyp në Athinë, 06.03.2014.
Fotografi: Aris Messinis/AFP/Getty Images

Në fillim të pjesës zyrtare të vizitës së tij në Greqi, Presidenti i Gjermanisë Joachim Gauck u përshëndet me nderime zyrtare nga Presidenti i Greqisë Karolos Papulias. Presidenti grek e priti mikun nga Gjermania para pallatit presidencial në Athinë. Më pas të dy presidentët u tërhoqën për një bisedë kokë më kokë. Në përfundim të takimit Gauck shprehu solidaritetin e Gjermanisë me Greqinë: "Ne mbetemi solidarë me Greqinë si gjermanë dhe si evropianë." Gauck theksoi para gazetarëve se pjesa më e madhe e gjermanëve kanë ndjenja miqësore ndaj Greqisë. Më parë Gauck kishte deklaruar se gjatë vizitës do të inkurajojë Greqinë për të vazhduar kursin e reformave për kapërcimin e krizës financiare, megjithë vështirësitë në këtë rrugë.

Pasdite Presidenti gjerman takohet me ministrin e Jashtëm grek Evangelos Venizelos dhe me liderin e opozitës Aleksis Cipras nga aleanca e partive të majta Syriza.

Me shumë interes pritet edhe fjalimi i Gauck për politikën evropiane në muzeun Akropoli. Në këtë fjalim ai do të nënvizojë lidhjen e fortë të Gjermanisë me Greqinë, u bë e ditur paraprakisht.

Përkujtim i viktimave të nazismit

Momument përkujtimor në Lingiadhes
Fotografi: picture alliance/AP Photo

Të premten (7.3.) Gauck bashkë me Papulias do të shkojnë në qytetin e origjinës të Presidentit grek, Janinë. Atje ai do të përkujtojë vrasjes e hebrejve grekë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në fshatin Lingiadhes do të kujtohen viktimat e një masakre të Wehrmacht-it. Trupat naziste patën vrarë më shumë se 80 vetë në atë fshat në 3 tetor 1943.

Vizita e Gauck është e para vizitë shtetërore e një presidenti të Gjermanisë në Greqi që prej 14 vjetësh. Ai shoqërohet nga partnerja e tij Daniela Schadt. Të mërkurën (5.3.) të dy vizituan Akropolin në Athinë dhe u takuan me përfaqësues të kulturës greke.