1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gauck - Një gjerman evropian

Marcel Fürstenau23 Shkurt 2013

Presidenti gjerman thekson vlerat e Evropës, por paralajmëron ndaj xhelozisë dhe komfortit. Fjalimi i tij është njëkohësisht një deklaratë dashurie për lirinë dhe demokracinë, mendon Marcel Fürstenau.

https://p.dw.com/p/17kR7

"Kaq shumë Evropë nuk ka pasur kurrë", tha presidenti gjerman në fillim të një fjalimi, i cili në shumë media u cilësua paraprakisht si fjalimi i tij i parë i madh. Një klasifikim tejet i dyshimtë, pasi anasjelltas do të thotë se Joachim Gauck në mandatin e tij tashmë 11-mujor ka mbajtur vetëm fjalime të parëndësishme. Por kjo nuk është aspak e vërtetë, as formalisht dhe as nga aspekti i përmbajtjes. Ka pasur që më parë kornizë të madhe, temë të rëndësishme. Le të kujtojmë vetëm fjalët e tij plot ndjenjë dhe paralajmëruese në verën e vitit të kaluar, me rastin e 20-vjetorit të trazirave me sfond ksenofob në Rostock.

Edhe temën e tij të preferuar, të jetës së tij, lirinë, kreu i shtetit e ka ngritur disa herë në mënyrë mbresëlënëse. Dhe tani Gauck, aktivisti gjermano-lindor për të drejtat e njeriut, guxon të merret me Evropën. Për një njeri si ai ky nocion ka karakter pozitiv, dhe në kohën e Luftës së Ftohtë tingëllonte si një premtim.

Asokohe ai jetonte në pjesën komuniste të kontinentit. Por Gauck është mjaft i zgjuar që megjithë gëzimin e përjetuar personal, për fundin e ndarjes gjermane dhe evropiane, të mos neglizhojë krizën aktuale të euros dhe borxheve shtetërore. Ai paralajmëron që të mos injorohet pakënaqësia dhe indinjata, shumë të përhapura në Bashkimin Evropian.

Në frymën e Rathenaus-it dhe Churchill-it

Dhe çfarë u ofron Gauck skeptikëve apo kundërshtarëve? Sigurisht jo zgjidhjen e të gjitha problemeve. Presidenti gjerman bën atë që kanë bërë Walther Rathenau para Luftës së Parë Botërore dhe Winston Churchill pas Luftës së Dytë Botërore: ai mbron me pasion idenë evropiane. Këtu tërheq në mënyrë të veçantë vëmendjen lutja e tij insistuese drejtuar britanikëve, për të mos i kthyer shpinën Evropës. Asnjë kryetar tjetër i huaj shteti nuk e ka kujtuar në mënyrë më sharmante Mbretërinë e Bashkuar, për përgjegjësinë e saj në suksesin e Evropës.

Redaktori i Deutsche Welle-s, Marcel Fürstenau.
Redaktori i Deutsche Welle-s, Marcel Fürstenau.Fotografi: DW

Propozimet konkrete se si mund të bëhet më transparent dhe demokratik Bashkimi Evropian, Gauck i shmangu. Kjo është për të të ardhur keq pasi një President me të kaluarën e tij mund të dëgjohej edhe jashtë Gjermanisë me kërkesa të qarta. Kush për arsye të forta, flet kaq shpesh për liri dhe përgjegjësi, siç bën Gauck, mund të kërkojë një herë më shumë të drejta për Parlamentin Evropian. Qëndrimi i rezervuar në këtë çështje qendrore nuk shkon shumë me thirrjen e tij për të treguar më tepër guxim. Megjithatë Presidenti gjerman duhet besuar kur thotë se ai ndjehet si gjerman evropian dhe jo si evropian gjerman. Gauck thekson më këtë të përbashkëtat dhe jo atë që ndan. Dhe kjo në Evropën e sotme të predispozuar për zënka, nuk është kudo e vetëkuptueshme.