1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

150711 Murdoch USA Ermittlungen

15 Korrik 2011

FBI ka hapur hetime kundër koncernit të mogulit australian të mediave, Rupert Murdoch. Akuza, se gazetarët e News Corp. kanë përgjuar telefona edhe në SHBA, është bërë ndërkohë e njohur dhe për të do të hetohet

https://p.dw.com/p/11vyZ
Rupert Murdoch
Rupert MurdochFotografi: picture alliance / dpa

Për mogulin e mediave, Rupert Murdoch, punët po keqësohen edhe në SHBA, vend që ai e ka zgjedhur për të jetuar, për shkak të skandalit të përgjimeve. Policia Federale FBI, është duke hetuar për akuzën se punonjës të koncernit mediatik të Murdoch-ut, News Corp, kanë përgjuar, ose janë përpjekur të përgjojnë telefonat e viktimave të 11 shtatorit 2011, si dhe të familjeve të tyre, konfirmoi një zëdhënëse e FBI-së në Nju-Jork.

Rupert Murdoch me të birin James Murdoch
Rupert Murdoch me të birin James MurdochFotografi: picture alliance / dpa

Disa senatorë i patën bërë thirrje autoriteteve të drejtësisë që të hetojnë për dyshimet, sipas të cilave viktima të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2011, janë përgjuar.

Sipas njoftimeve të mediave, një kërkesë e kongresistit amerikan Peter King dha impulsin e fundit për të filluar hetimet. Nga zona e tij elektorale Long Island vinin shumë viktima të sulmit terrorist. King tha dje (14.07): "Unë përfaqësoj një lagje të qytetit, e cila humbi më 11 shtator më shumë se 150 vetë, dhe mendimi se dikush është përpjekur të përgjojë telefonat e atyre, që humbën jetën, ose të atyre që humbën familjarët në këtë kohë tragjike, është për mua e përçmueshme."

Sally Regenhard, që humbi të birin në sulmet e 11 shtatorit 2001, tha për BBC:

"Kur dëgjova, se kjo mund t`i ndodhte SHBA-së dhe viktimave të 11 shtatorit u mërzita shumë dhe u shqetësova shumë dhe unë do të dëshiroja të shihja që dikush të mbajë përgjegjësinë për këtë. Kërkush nuk mund të jetë mbi ligjin."

Në fundjavë, Murdoch mbylli gazetën britanike bulevardeske "News of the World" për shkak të një skandali përgjimi. Po ashtu ai hoqi dorë nga planet për blerjen e televizionit britanik, BSkyB.

Autor: A Cama/Agenturen

Redaktoi: A Verbica