1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Syrien Lage

31 Korrik 2011

Gjatë sulmeve të ushtrisë siriane ndaj disa qyteteve të dielen (31.07.2011), sipas të dhënave të aktivistëve për të drejtat e njeriut, kanë gjetur vdekjen dhjetra civilë. Vetëm në Hama flitet për 100

https://p.dw.com/p/126zq
Ushtria Siriane sulmon qytetin Hama
Ushtria Siriane sulmon qytetin HamaFotografi: picture alliance/abaca

Në Hama ushtarët dhe forcat e rendit gjatë ndërhyrjes në mëngjes kanë hapur zjarr ndaj civilëve duke plagosur edhe shumë të tjerë, i tha Rahman agjencisë së lajmeve AFP. Qyteti në fillim të korrikut ishte epiqendër e demonstratave kundër udhëheqjes shtetërore. Në demonstrata kanë marrë pjesë gati gjysmë milioni protestues. Në qytetin lindor Deir Esor janë vrarë gjithashtu gjashtë vetë dhe 50 të tjerë janë plagosur, tha Rahman. Në Harak në Jug të Sirisë ka pasur tre të vdekur dhe dhjetra të plagosur.

Sipas Qendrës për Mbikqyrjen e të Drejtave të Njeriut të premten (29.07.2011) gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit kundër qindra mijëra sirianëve protestues janë vrarë në mbarë vendin 100 vetë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur. Të shtunën (31.07.2011) në afërsi të Deir Esor u qëlluan për vdekje nga një autokolonë ushtarake tre banorë të fshatit Tabneh. Autokolona ushtarake udhëtonte për tek selia e guvernatorit lokal në qytet, tha Rahman. Sipas tij ushtarët kanë hapur zjarr, në kohën që ndaj autokolonës me rreth 60 automjete ushtarake, ndër to edhe tanke, është qëlluar me gurë.

Gjendje tepër e tensionuar në Siri. Ushtria përdor tanke kundër protestuesve
Gjendje tepër e tensionuar në Siri. Ushtria përdor tanke kundër protestuesveFotografi: picture alliance/abaca

Dëshmitarët: Ushtria hap zjarr pakontroll ndaj njerëzve

Tanket thuhet, se kanë hapur zjarr në zona të banuara, snajperistë kanë zënë pozicion në çatitë e shtëpive. "Ka pasur një breshëri granatash ndaj qytetit, ushtarët qëlluan ndaj gjithçkaje që lëvizte", përshkruan situatën një ndër aktivistët. Numri i viktimave është në rritje. Ushtria ndërkohë ka rrethuar një spital në Hama, për t'i penguar njerëzit, që të çojnë atje të plagosurit. Përpara se të mbërrinin tanket, specialistët e regjimit të diktatorit Bashar al-Asad kishin ndërprerë furrnizimin me energji dhe me ujë të qytetit, thuhet. "Ata qëllojnë pa kontroll me automatikë dhe ka shumë viktima", i tha me telefon një sirian në Hama agjencisë së lajmeve AP. Një mjek i njoftoi agjencisë Reuters gjithashtu me telefon, se tanket kanë depërtuar nga katër drejtime në Hama. Ato shkatërruan barrikadat e ngritura nga banorët dhe hapën zjarr pakontroll.

Opozitarët sirianë në Algjeri: Jo ndërhyrje nga jashtë, ky është revolucion paqësor

Një person, i cili të shtunën (30.07.2011) duke folur në telefon me agjencinë e lajmeve AFP u prezantua si komandant i ushtrisë, tha se ai për shkak të ngjarjeve në Seir Esor ka dezertuar bashkë me "qindra" ushtarë. Në kohën e telefonatës ai ndodhej, sipas të dhënave të veta në "afërsi të kufirit turk". Nëse ushtria siriane vazhdon ofensivën në qytetin e naftës, atëherë ai do të kundërgodasë me "ushtrinë e lirë" të tij, kërcënoi ushtaraku. Deri tani askush nuk i ka verifikuar të dhënat e tij.

Demonstratat në Siri
Demonstratat në SiriFotografi: AP

Opozitarët sirianë në Algjeri ndërkaq janë shprehur kundër ndërhyrjes në konflikt nga jashtë. "Ky është një revolucion paqësor, armët tona janë kamerat dhe telefonët celularë", tha jurisit që banon në Algjeri, Adnane el Bush në kuadër të takimit të shtunën të rreth 50 aktivistëve në Algjer. Në këtë konferencë, e cila iu kushtua mbrojtjes së fëmijve dhe të rinjve në Siri, u tha, se gjatë trazirave deri tani kanë gjetur vdekjen mbi njëqind minorenë.

Qysh nga mesi i marsit në Siri zhvillohen protesta masive kundër udhëheqejs së presidentit Bashar el Asad. Sipas të dhënave të fundit të Qendrës për Mbikqyrjen e të Drejtave të Njeriut mbi 1550 civilë kanë gjetur vdekjen dhe rreth 12.000 vetë janë arrestuar. Gjithashtu janë vrarë edhe rreth 370 ushtarë.

Autor: V.Filaj-Ballvora (afp, reuters, dpa, ap)

Redaktoi: Mimoza Kelmendi