1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

121211 Interview Walesa Kriegsrecht D

12 Dhjetor 2011

Para 30 vjetësh në Poloni i shpall gjendja e jashtëzakonshme. Gjermanët u solidarizuan me polakët, por jo elita politike. Arsyet i përmend njëri nga aktorët kryesorë Lech Walesa.

https://p.dw.com/p/13RIf
Lech Wałęsa
Lech WałęsaFotografi: DPA

Natën midis datave 12 dhe 13 dhjetor 1981 ushtria në Poloni mori pushtetin, një ditë më vonë gjenerali Jaruzelski shpalli në televizionin polak gjendjen e jashtëzakonshme në vend. Synimi i tij: pengimi i trazirave sociale në vend si dhe kufizimi i ndikimit të sindikatës së lirë Solidarnosc dhe e drejtuesit të saj, Lech Walesa. Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme solli në Gjermani një valë solidariteti me popullin polak, por politika zyrtare mbeti e tërhequr. Për përmbajtjen e atëhershme të elitave politike gjermane flet në intervistën me Rozalia Romaniec ish-presidenti polak dhe mbajtësi i Çmimit Nobel të Paqes, Lech Valesa: 

DW: Më 1980 ju themeluat sindikatën e parë të lirë "Solidarnosc". Lufta juaj kundër regjimit komunist e përçau politikën gjermanoperëndimore. Si e shihni këtë sot?

Valesa: Gjermanët u sollën si duhet, por besoj se qendrimi nuk ishte i planifikuar. Ata nuk mbështetën asnjë palë. Gjysma e politikanëve na mbështeti ne, tjetra ishte kundër nesh, ndoshta nga frika prej sovjetikëve. Kjo ishte ideale për kohën. Mua më ndihmoi në lojën time. Edhe unë u solla në një mënyrë të tillë: kur kundërshtari u bë më i fortë, unë e paraqita veten më të dobët. Kur e vura re që komunizmi po dobësohet, atëherë unë ngrita krye. Ja që ky ishte arti i politikës në atë kohë. Nëse gjermanët do të na kishin mbështetur shumë hapur, kjo mund të kishte provokuar sovjetikët dhe kjo do të na kishte dëmtuar më tepër. Po të na kishin mbështetur më pak, atëherë rusët do të kishin marrë zemër për të na likuiduar. Kështu që gjermanët u sollën thuajse në mënyrë ideale.

DW: Po pse e lëvdoni kaq shumë përmbajtjen e gjermanëve? Në Gjermaninë perëndimore u dëgjuan zëra të fortë nga politika: "Polakët do të bënin mirë të punonin, se sa të dilnin në grevë". A nuk ju dekurajoi kjo?

Valesa: Për ne ishte e qartë që nuk mund të synojmë një konfrontim të dhunshëm, përndryshe sovjetikët do të na kishin shkatërruar, ne dhe të gjithë Evropën. E kuptoj që për gjermanët punëtorë ishte e çuditshme që në vend që të punonin, polakët tani dilnin në grevë. Por kjo ishte e vetmja rrugë për të luftuar dhe për të fituar. Që prej fillimit ne e dinim se në radhë të parë duhet të mbështetemi tek vetja. Natyrisht ne atëherë ishim të interesuar për kontakte dhe për ndihmë, por ne nuk e kthenim kokën në drejtim të dikujt, as në drejtim të Helmut Schmidtit dhe as në drejtim të Helmut Kohl-it, as në drejtim të të tjerëve, sepse ne e dinim, që po të fitojmë, ata do të bashkohen me ne.

DW: A ka pasur atëherë takime zyrtare me politikanë gjermanoperëndimorë?

Valesa: Unë jam takuar fshehtas me ministrin Federal të Punëve të Jashtme, Genscher në Paris. Ishte viti 1981. Ai erdhi tek unë. Ai ishte shumë i interesuar për të mësuar atë, që kishim ndër mend dhe çfarë pritet prej saj. Unë i thashë atij se në fund të këtij procesi, Gjermania do të ribashkohet. Ai nuk më besoi dhe më pa si një të çmendur. Ai nuk besoi se ne kishim shumë shanse. Më vonë, pasi ra Muri i Berlinit, në njërin prej takimeve tona ai më tha: "Kam frikë të flas me ju, sepse gjithçka, që flisni ju, vërtetohet."

Autor: Rozalia Romaniec/Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica