1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermanët kërcënohen nga varfëria në pleqëri

Michael Gessat/Bahri Cani3 Shtator 2012

Ministrja gjermane e Punës, Ursula von der Leyen paralajmëron se të punësuarit e sotëm gjermanë do të kenë pensione tepër të vogla në vitin 2030. Por receta e saj kundër varfërisë ka shkaktuar kritika.

https://p.dw.com/p/162V8
Fotografi: picture-alliance/empics

Tabela më e re e pensioneve është shokuese, shkruan gazeta bulevardeske "Bild am Sonntag". Ajo prezanton të dhënat dhe vlerësimet e ministrisë së Punës, sipas së cilave ata që sot në Gjermani fitojnë 2500 euro bruto në muaj dhe kanë punuar 35 vjet, në vitin 2030 do të kenë një pension prej vetëm 688 euro. Momentalisht pikërisht kjo shumë shenjon edhe kufirin zyrtar të varfërisë në Gjermani. Ata që kanë më pak se kjo shumë në muaj duhet të marrin ndihma për ekzistencën minimale.

Kufiri i varfërisë nuk cënon vetëm gratë e papuna, personat që punojnë me kohë të kufizuar, apo ata që fitojnë pak, por secilin, alarmon mesazhi i Ursula von der Leyen. Gjermanët kanë nevojë për një sigurim shtesë për kohën e pensioneve. Problemi nuk është i ri, sepse njerëzit në Gjermani, për fat të mirë, po jetojnë gjithnjë e më gjatë. Por njerëzit që jetojnë më gjatë duhet të paguhen edhe më gjatë.

Ministrja e Punës, Ursula von der Leyen
Ministrja e Punës, Ursula von der LeyenFotografi: dapd

Kriza e pensioneve

Gati një e treta e të punësuarve "normalë" në Gjermani fiton më pak se 2500 euro bruto në muaj. Kjo rrezikon edhe gjeneratat e ardhshme. Pensionet e ulëta nuk janë problemi i vetëm. Një pension për sigurimin e ekzistencës duhet të marrin të gjithë, edhe ata të cilët kanë paguar pak apo aspak në fondin e pensioneve. Ndaj shumë vetë shtrojnë pyetjen: pse të punësuarit duhet të angazhohen më shumë, nëse në pleqëri nuk fitojnë më shumë?

Koncepti i ministrisë parashikon një sigurim shtesë të pensioneve deri në 850 euro, për ata të cilët kanë paguar rregullisht në fonde dhe kanë ndonjë marrëveshje private për pensione. Por planet e Von der Leyen kanë shkaktuar kritika edhe tek disa kolegë të partisë së saj, CDU. Jens Spahn nga "grupi i të rinjve" shkruan se nuk është mirë që të ngarkohen edhe më shumë brezat e rinj, sepse siç është gjendja aktuale nuk mund të presin shumë nga pagesat që i bëjnë sot në fondin e pensioneve. Më mirë do të ishte një pension bazë për të gjithë, shkruan ai.

Varfëria në pleqëri prek sidomos rrogat e ulta
Varfëria në pleqëri prek sidomos rrogat e ultaFotografi: picture-alliance/dpa

Futja e një pensioni me subvencione, siç do ministrja von der Leyen, ka shkaktuar kritika edhe tek liberalët në koalicion. "Lidhur me këtë çështje nuk ekziston ndonjë marrëveshje", thotë shefi i grupit të liberalëve në Bundstag Rainer Brüderle.

Pensionet shtesë - jo me përzgjedhje

Sekretarja e përgjithshme e socialdemokratëve (SPD) Andrea Nahles pohon se von der Leyen ka dështuar në përpjekjet për luftimin e varfërisë në rritje. Varfëria në pleqëri mund të luftohet vetëm me marrëveshje të përgjithshme për një rrogë minimale. "Von der Leyen duhet të angazhohet për marrëveshje të tilla dhe jo për pensione shtesë vetëm për një grup personash", i tha Nahles gazetës "Bild".

Zëdhënësi për pensione i të Majtëve në Bundestag, Matthias W. Birkwald, pohon se deklarata e von der Leyen është "shokuese por jo edhe befasuese". "Diagnoza e zonjës von der Leyen është e vërtetë, por terapia është e gabuar", deklaroi Birkwald për Deutschen Wellen. Ata që fitojnë më pak nuk mund të financojnë ndonjë pension shtesë. Ndaj e Majta angazhohet për një "pension minimal solidar" prej 1050 euro. E Majta është e mendimit se pensioni minimal është i mundur edhe në kushtet e sotme.