1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermanët mbi zgjedhjet në Rusi

5 Mars 2012

Cinike, regresive, të diktuara nga lart: Politikanë gjermanë dhe ekspertë ushtrojnë kritikë ndaj fitores në zgjedhje të Vladimir Putinit dhe planet e tij për të ardhmen e Rusisë.

https://p.dw.com/p/14F3a
Fotografi: Reuters

Zgjedhjet presidenciale në Rusi, ishin një ngjarje cinike. Rezultati ishte bërë i ditur muaj më parë, thotë i ngarkuari i qeverisë gjermane me Rusinë, Andreas Schockenhoff (CDU).

Në një kongres të partisë qeveritare ruse "Rusia e Bashkuar", kryeministri rus Vladimir Putin, i cili ka qenë president në dy legjislacione nga viti 2000 deri më 2008, bëri të ditur sërish se do të kandidojë për postin më të lartë të shtetit. Presidenti Dmitri Medvedev do të bëhet kryeministër. Kështu këmbimi i posteve ishte një çështje e mbaruar.

Por njerëzit nuk e pranojnë këtë, thotë Schockenhoff: “Rusia karakterizohet sot nga një shtresë e mesme në rritje, që ka dalë në rrugë dhe kërkon ndryshime." Kurse Putini kërkon më çdo kusht që të ruajë Status quo-në. Ai kërkon stabilitet. “Por, stabiliteti në një botë që ndryshon me shpejtësi, do të thotë qëndrim në vend, do të thotë regres. Kështu që Rusia do të vazhdojë të karakterizohet nga ky tension", mendon Schockenhoff.

Andreas Schockenhoff, i ngarkuari i qeverisë gjermane me Rusinë
Andreas Schockenhoff, i ngarkuari i qeverisë gjermane me RusinëFotografi: picture-alliance/dpa

Kërkesa për reforma do të vazhdojë

Edhe Gernot Erler, nënkryetari i fraksionit socialdemokrat në parlament, është i bindur se lëvizja e protestës nuk do të pushojë me ditën e zgjedhjeve: “Unë mendoj se edhe në të ardhmen ne do të përjetojmë një Putin, ndaj të cilit ushtrohet presion i madh.“ Presioni për kryerjen e reformave, luftimin e korrupsionit, modernizimin, rinovimin teknologjik dhe ndërtimin e shoqërisë civile do të jetë shumë i madh në presidencën e tretë të Putinit.

Deputetja e Të gjelbërve, Marieluise Beck dëshiron që Putini të njohë çfarë kohe ka ardhur. Të respektojë dëshirat e njerëzve, që janë artikuluar gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, për shtet juridik, demokraci, shoqëri të hapur, shtyp të lirë. “Për këtë duhen ngritur strukturat dhe krijuar mundësitë për modernizimin që i duhet Rusisë domosdoshmërisht," thotë Beck.

Gernot Erler, nënkryetari i fraksionit socialdemokrat në parlamentin gjerman
Gernot Erler, nënkryetari i fraksionit socialdemokrat në parlamentin gjermanFotografi: dapd

Evropa duhet të përkrahë shoqërinë civile

Koordinatori i bashkëpunimit gjermano- rus, Andreas Schockenhoff, beson se njerëzit në Rusi duan të drejtë fjale. “Modernizimi i vërtetë duhet të përfshijë pjesët aktive të shoqërisë. Modernizimi nuk bëhet nga lart".

Vendimtare është që Gjermania dhe Bashkimi Evropian të mos flasin vetëm me elitat dhe udhëheqjen politike dhe ekonomike të vendit, por edhe me shoqërinë civile, nëpërmjet partneritetit midis qyteteve, nëpërmjet shkollave të larta, nëpërmjet këmbimeve rinore. “Për Rusinë nuk ka kthim mbrapsht. Modernizimi i brendshëm kërkon shoqërinë e gjerë dhe tek ajo duhet të shkojmë ne. Ne nuk duhet të kufizohemi në marrëdhëniet zyrtare," thotë Schockenhoff.

Autor: Markian Ostaptschuk/ Aida Cama

Redaktoi: Lindita Arapi