1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania dërgon njësi shtesë në Kosovë

23 Gusht 2012

Si pasojë e vazhdimit të tendosjeve në veri të Kosovës, Gjermania ka vendosur të dërgojë në atje njësinë e veçantë për ndërhyrje. Kjo njësi ka qenë në Kosovë edhe më parë, për ngjarje të jashtëzakonshme .

https://p.dw.com/p/15vNJ
Trupa gjermane të KFOR-it
Trupa gjermane të KFOR-itFotografi: picture-alliance/dpa

Njësia speciale e njohur si Forca Operative Rezervë numëron rreth 700 ushtarë nga Gjermania dhe Austria. Ajo do të dërgohet në Kosovë me kërkesën e KFOR-it, kumtoi komanda e njësisë në Potsdam të Gjermanisë. Njësia do të zëvendësojë në fillim të tetorit një batalion italian, angazhimi i të cilit do të përfundojë sipas planit të mëparshëm.  

Kjo njësi shtesë gjermano-austriake dërgohet në Kosovë për herë të tretë gjatë këtij viti. Qeveria gjermane ka rënë dakord që "të mbështesë përpjekjet për stabilizimin e mëtejshëm dhe përmirësimin e gjendjes së sigurisë në veri të Kosvoës", njofton gazeta gjermane "Der Spiegel".

Tensionet në veri kanë vazhduar

Megjithë prezencën në Kosovë të 5600 ushtarëve të huaj, tensionet nuk kanë përfunduar as 13 vjet pas përfundimit të luftës. Tensionet më të mëdha janë mes minoritetit serb dhe përfaqësuesve të institucioneve kosovare. Pas fitores në Serbi të forcave nacionaliste ekziston mundësia e përkeqësimit të gjendjes, thonë qarqet e komandës. NATO në veçanti e ka vlerësuar  si "të brishtë" gjendjen në veri të Kosovës, në zonën e kufirit me Serbinë.

Serbët e atjeshëm kanë vazhduar bllokadën e rrugëve dhe kalimin ilegal të kufirit. Megjithë përpjekjet e shumta, KFOR-i nuk ka mundur që ta normalizojë në tërësi gjendjen. Situata politike nuk ka ndryshuar. Serbia edhe më tej nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Kryeministri Ivica Daçiç deklaroi këto ditë në seancën e KS të OKB-së se Beogradi kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë që në shtator do të përfundojë mbikqyrja e pavarësisë së Kosovës. Shtetin më të ri në Evropë e kanë njohur deri tani 92 vende.

Autor: dapd/ Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi