1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania dhe Kombet e Bashkuara

Sven Pöhle/Angjelina Verbica18 Shtator 2013

Gjermania feston 40 vjetorin si anëtare e OKB-së. Në shumë raste një histori suksesi, por imazhi gjerman ka pësuar dëmtime kohët e fundit.

https://p.dw.com/p/19jjd
Fotografi: DW/F. Görner

Pak para 40 vjetorit të anëtarësimit erdhën lëvdata nga fare lart: sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Moon vlerësoi në një ceremoni në Nju Jork rolin e Gjermanisë në bashkësinë e shteteve. Para dhe pas ribashkimit Gjermania ka qenë një nga mbështetësit më "aktivë" të Kombeve të Bashkuara, tha Ban. Ai tha se ka besim në këshillën dhe veprimin e numri të madh të përfaqësuesve gjermanë.

Me 18 shtator 1973, gati tri dekada pas themelimit të Kombeve të Bashkuara, të dyja shtetet gjermane, Republika Federale dhe Republika Demokratike Gjermane, u pranuan si anëtarë të plotë. Pretendimi i Republikës Federale për t'u përfaqësuar e vetme dhe konfrontimi Lindje-Perëndim gjatë Luftës së Ftohtë penguan përfaqësimin e përbashkët, i cili do të ishte interpretuar si njohje e RDGJ-së.

Gjermania në OKB – një histori suksesi?

"Deri disa vite më parë anëtarësia gjermane në OKB ishte një histori suksesi", thotë studjuesi i shkencave politike Klaus Dieter Wolf i Fondacionit për Studimet e Paqes dhe të Konflikteve në Hessen (HSFK). "Luftimi i varfërisë, ndihma humanitare, mjedisi dhe parandalimi civil i krizave janë të gjitha fusha, ku Gjermania ka punuar me sukses të madh."

Pas SHBA-së dhe Japonisë Gjermania në vitin 2013 ka qenë kontribuesi i tretë më i madh në buxhetin e rregullt, me rreth 190 milionë dollarë amerikanë. Kësaj i shtohen kontributet për financimin e misioneve paqeruajtëse ndërkombëtare. Në periudhën korrik 2013 deri në qershor 2014 Gjermania ka transferuar rreth 538 milionë dollarë amerikanë në Kombet e Bashkuara. Kështu Gjermania është donatori i katërt më i madh në këtë fushë.

"Ne kemi një influencë me të vërtetë të mirë në bashkësinë ndërkombëtare", vlerësoi ministri i Jashtëm gjerman Guido Westervelle rolin gjerman në Kombet e Bashkuara me rastin e përvjetorit. "Ne na ndihmon fakti se jemi një nga kontribuesit më të mëdhenj, se ne jo vetëm flasim, por mbështesim me vepra punën e Kombeve të Bashkuara."

Me 26 shtator 1973, kancelari Willy Brandt (majtas) pritet nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-sö Kurt Waldheim në selinë e OKB-së në Nju Jork.
Me 26 shtator 1973, kancelari Willy Brandt (majtas) pritet nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-sö Kurt Waldheim në selinë e OKB-së në Nju Jork.Fotografi: picture-alliance/dpa

Dëmtim i imazhit të nxënësit model

Kontributet gjermane janë megjithatë pagesa të detyrueshme, të bazuara në madhësinë dhe fuqinë ekonomike të vendit. "Ka edhe kontribute vullnetare dhe këtu Gjermania nuk është aspak kontribuesi i tretë", thotë sekretarja e Përgjithshme e Shoqërisë gjermane për Kombet e Bashkuara, Beate Wagner. Në pagesat vullnetare për agjencitë e posaçme, institucionet dhe programet e OKB-së në mbarë botën Gjermania renditet shpesh në vendin e dhjetë, ose më poshtë.

Përjashtim përbën programi i OKB-së për mjedisin (UNEP). Atje Gjermania është kontribuesi i dytë dhe Achim Steiner drejtues i programit. Në pjesëmarrjen në misionet paqeruajtëse të OKB-së Gjermania është në shumë raste e rezervuar. Në misionet civile të OKB-së Gjermania ka vetëm mbi një për qind të personelit, 75 të punësuar. Vetëm 315 ushtarë dhe policë gjermanë janë të përfshirë në operacionet paqeruajtëse të heltmetkaltërve, që kryhen drejtpërdrejt nga Kombet e Bashkuara, si misionet në Liban (UNIFIL) dhe në Mali (MINUSMA). Kështu Gjermania është shumë prapa në aspektin e personelit, pas vendeve si Bangladeshi, Etiopia dhe Uruguai. Megjithatë aktualisht mbi 6000 ushtarë gjermanë dhe më shumë se 300 policë ndodhen në misionet e mandatuara nga OKB-ja në Kosovë (EULEX-i dhe KFOR-i) dhe në Afganistan (ISFA).

Politologu Klaus Dieter Wolf ka konstatuar prej disa vitesh një kontradiktë në politikën gjermane ndaj OKB-së. Gjermania në fakt thekson gjithmonë rolin e rëndësishëm të Kombeve të Bashkuara, por bazohet gjithnjë e më shumë në instrumente të tilla si grupet G8 apo G20, që përjashtojnë shtetet e tjera. Berlini në këtë mënyrë shmang Kombet e Bashkuara, kritikon Wolf.

.Edhe në fushën e politikës së zhvillimit politika gjermane praktikon gjithnjë e më shumë bashkëpunimin bilateral. Përveç kësaj ka një kontradiktë ndërmjet punës me idetë dhe zbatimit të tyre praktik, thotë Wolf. Në zhvillimin e konceptit të përgjegjësisë për të mbrojtur, që parashikon ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare për parandalimin e shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut, Gjermania ka vepruar intensivisht. Por kur në pranverën e vitit 2011 u desh të votohej për ndërhyrjen ushtarake në Libi, Gjermania, e cila nuk ishte anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, abstenoi si edhe dy fuqitë me të drejtë vetoje Kina dhe Rusia. Aleatët perëndimorë SHBA, Britania dhe Franca, ishin të zhgënjyer dhe vepruan pa Gjermaninë.

Salla e Këshilli të Sigurimit
Salla e Këshilli të SigurimitFotografi: picture-alliance/dpa

Gjermania shpreson për reformimin e OKB-së dhe për më shumë ndikim

Si një shtet në mes të shumë shteteve ndikimi gjerman në bashkësinë ndërkombëtare është natyrisht i kufizuar, pasi Gjermania nuk është një prej anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Për të patur më shumë ndikim, Berlini shpreson për një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe angazhohet prej një kohë të gjatë për një reformë të Kombeve të Bashkuara. Ministri i Jashtëm Westerwelle kërkoi si fundi, që t'ia përshtasë Këshillin e Sigurimit rrethanave gjeopolitike. Së bashku me Japoninë, Indinë dhe Brazilin, Gjermania ka formuar një grup iniciator për të çuar përpara reformën dhe zgjerimin e Këshillit të Sigurimit.